Vjeshta e Vangush Mios këtë vit në Korçë pa veprën e plotë të këngëtarit të saj të madh lirik


Nga Skënder Demolli

Pikturat e klasikut të madh shqiptar mes vjedhjeve më të bujshme të veprave të artit në botë



Korçë- Dielli shkëlqimtar, si në muajt e verës, në këtë vjeshtë të begatë i tret ngjyrat e përtërira nga shirat e tetorit në Fushën e Korçës, duke i përzierë kështu edhe stinët, megjithatë syri i mprehtë i piktorit nuk e ka të vështirë të dallojë përmes okrës, në ugare e në fund të kurorës së plepave, gjurmët e ardhjes pa u ndjerë të mikes më të madhe të njërit prej këngëtarëve të saj lirikë, siç ishte Vangjush Mio. Vjeshta dhe Mio – Mio dhe vjeshta, si sinonime të njëri- tjetrit, që përzjenë ngjyrat së bashku, për të na lënë pas peizazhe të pavdekshme.

Nuk mundem të arrij peizazhe të tilla, si të Mios, thotë piktori i shquar Skënder Kamberi, sepse në Vlorë ku jetoj unë nuk ka vjeshtë. Dhe vjen në Korçë, në “Ditët e Kolonisë” së Mios, si dhjetëra piktorë të tjerë anekënd botës, për të “konkurruar” me vjeshtën e Korçës, ose vjeshtën e Mios. Po Mio, është kaq i madh, sa pas tij, jo vetëm Korça po edhe piktura e peizazhit shqiptar, nuk ka sjellë ende një mjeshtër si ai, thotë piktori i merituar Anastas Kostandini. Vepra e tij është kaq unike e organike brenda vetes së vet, por nuk i është kushtuar vëmendje ta shohim të gjithën në një album të plotë.

Po vjeshta këtë vit në Korçë e gjen të cënuar veprën e këngëtarit të saj të madh lirik, bash në galerinë e arteve, ku ruhet një pjesë e konsiderueshme e fondit të saj, në qendrën kulturore të qytetit që mban emrin e tij, “Vangjush Mio”. Me zhdukjen pa u kuptuar të 27 të pikturave të tij nga Galeria e Artit “Guri Madhi” të Korçës, Mio hyri jo vetëm në kronikën e zezë, me të cilën merren përditë masmediat, por edhe në listën e gjatë të vjedhjeve më të bujshme të veprave të artit në botë.

Gjithçka u zbulua “si rastësisht”, në muajin korrik të këtij viti, pas një inventari fizik të fondit të galerisë, me rastin e ndërrimit të personave përgjegjës të saj, por vjedhje të veprës së Mios ishin konstatuar edhe më përpara, në vitin 1997, kur gjatë trazirave të këtij viti, u zhdukën nga “Mysafirhaneja” ose Shtëpia Muze e tij 24 vepra, skicat e vizatimet e dekoreve të dramave të vëna në skenë nga Teatri “A.Z. Çajupi” nga arkivi i këtij teatri, ku ai ishte skenografi i parë si dhe dy vepra që ndodheshin në galerinë e artit të qytetit, ku ai shkonte me biçikletë nga Korça, për ta pikturuar: në Pogradec.

Është vjedhur autoportreti i tij në laps, peizazhe nga Korça, Pogradeci, Shën Naumi, etj. etj. kryesisht etyde 45×40 cm. Po Taso Poradeci, thotë se nga pjesa më fantastike e Mios është vizatimi i tij. Vepra më e bukur artistike shqiptare në këtë gjini, më unike, në letër me ngjyrë qumështi, në një koleksion të jashtëzakonshëm e të shkëlqyer superintimiteti, të një piktori që u bë nyje lidhëse për pikturën shqiptare me artin figurativ botëror qysh para Luftës së Dytë Botërore dhe sot si i tillë ze vend mes dy-tre klasikëve tanë në këtë fushë.

Është normale të vidhen, por është anormale si menaxhohen veprat e artit, u shprehën artistë të tjerë për skandalin.

Dhe ajo që ra në sy menjëherë pas gjëmës, me 51 vepra arti të zhdukura, midis të cilave edhe të Piktorit të Popullit Sali Shijaku, të Vangjush Tushit e piktorëve të tjerë, ka qenë, gjendja apatike e qendrës kulturore, pa përgjegjëshmëria, mungesa e vizionit dhe pa aftësia e atyre që menaxhojnë sot kulturën dhe artin në Korçë, në një qytet, ku artistë si Mioja, etj. “E kanë vizatuar atë në kuptimin e saj më të gjerë” dhe në specifikën e tij, ishin dhe janë, një aspekt i rëndësishëm, me artin e tyre. Për këtë kah herët, prej Nolit e deri më sot Korça i ka votuar ata ta përfaqësojnë shpesh edhe në Kuvendin e Shqipërisë. Por lidhjen e artistëve me qytetin, qytet ku aseti kryesor është dëbora, korçarët sot e shohin të vlefshëm jo vetëm për identitetin lokal, por edhe për zhvillimin e turizmit dhe konkurrencën urbane mes qyteteve të ndryshme brenda e jashtë vendit.

Dhe Mioja piktor, ashtu si Mioja (Sokrati), regjisor i parë i teatrit kombëtar dhe mjaft artistë të tjerë të së kaluarës, janë bërë sot më të respektueshëm pas vdekjes së tyre, në vend që të ndodhte e kundërta. Ngase për këtë dëgjojmë kritizerët të thonë; “Vdis pa të të dua!” Po kush për ta mund të thotë fjala vjen, se ku e ka shtëpinë Thimi Mitko, i mbi quajturi “Bleta shqiptare”, (shtëpi e cila u shemb me leje të Bashkisë vitin e kaluar, në një prej lagjeve muze të Korçës, apo ku e ka kanë varrin?… P.sh. Kristo Kono pionieri i operetës së parë shqiptare, ose Foqion Postoli dramaturgu i Rilindjes Kombëtare e lista mund të vazhdojë gjatë, për të arritur tek Vangjush Mio, për të cilin është botuar vetëm një monografi para çlirimit të vendit nga dëshmori Andon Kuqali dhe në Korçë, vetëm vitin e kaluar me rastin e 95- vjetorit të lindjes, me kërkesë të bijës së tij Rozeta Mio, u çel nga ana e bashkisë një ekspozitë, e cila tregoi gjendjen e mjerë në të cilën ndodhej fondi i Piktorit të Popullit. Fond i cili pas një viti, u pa se ishte bërë firar, siç thotë populli, nga hajdutët e shtëpisë dhe fansat e piktorit ngushëllohen, se të paktën qendrës kulturore i mbeti emri i tij. Ashtu dhe parkut të gjelbërimit në mes të qytetit, ku për çudi edhe pas kaq vitesh nuk ka një bust të “Lirikut të Madh të Vjeshtës”, ku ata të mund të venë një buqetë me lule, megjithëse një i tillë është gati në studion e skulptorit Janaq Paço.

Madje këtë vit siç bën të ditur Drejtorja e Qendrës Kulturore të qytetit Teuta Lavdari, nuk do të thirren për mungesë fondesh nga ana e Bashkisë së Korçës, si ç’do vjeshtë piktorët në “Koloninë e Mios” dhe Galeria “Guri Madhi”, vijon për shkak të skandalit, me veprat e zhdukura prej saj, vazhdon të jetë e mbyllur.

Veprat e vjedhura të Mios, janë mjaft të njohura dhe vështirë se mund të shiten në tregun e lirë, po ç’rëndësi ka kur lulëzon tregu i zi? Megjithatë siç bëjnë të ditur nga Prokuroria e Krimeve të rënda në Korçë, hetimet vazhdojnë edhe pse deri tani nuk është rënë në gjurmë të ndonjërës prej veprave të zhdukura.

Ajo që mund të thuhet, duke u nisur nga ky rast për veprat e artit, përpos perspektivës kuratore që është e domosdoshme të ndryshojë, ka ardhur koha që duhet të ndryshojnë edhe masat e sigurisë për muzetë dhe galeritë që kanë në fondin e tyre vepra me vlera të çmuara. Sepse nga sa është vënë në dukje, sot në botë pas biznesit me narkotikë, armë dhe pastrimit të parave, vjedhja e veprave të artit e biznesi me to, renditet në vend të katërt në listën e Interpolit, si veprimtari kriminale e një shkalle të lartë, e cila jo rastësisht është vënë në shënjestër të shërbimit botëror.

Kështu, sipas të dhënave të shtypit të huaj, FBI llogarit në 6 miliard dollarë vlerën e veprave të artit që zhduken përmes vjedhjes së tyre. Interpoli numëron në listën e tij mbi 30 mijë vepra të vjedhura, kurse në një platformë ndërkombëtare, si ajo Art Loss Register, numri i tyre ka arritur mbi 160.000. Natyrisht zbulimi i këtyre veprave që “kanë bërë krahë”, nga muzetë, galeritë e studiot e piktorëve, në drejtim të… tregut të zi, apo koleksioneve të artmaniakëve, si dhe kapja e hajdutëve është mjaft e vështirë, por shpejt ose vonë, gjurmimi dhe ndëshkimi i tyre ka patur dhe ka sukses.

Detaj
JA DISA NGA VJEDHJET ME TE BUJSHME TE

VEPRAVE TE ARTIT FIGURATIV NE BOTE

-Në vitin 1911 “Mona Liza” e Da Vinçit, vidhet nga Luvri. Vjedhës një punëtor krahu i rëndomtë, i cili siç u betua më pas, e bëri këtë, sepse nuk mund të shihte dot aq vepra arti të një piktori Italian, në një muze francez.

-Eduart Munk është nga piktorët më të “dashur” të hajdutëve. Një nga katër versionet e “Klithmës” së famshme, u zhduk nga muzeu me emër i Oslos, në vitin 1994. Vepra u gjend, por dhjetë vjet më vonë, në një ditë me diell, në mes të njerëzve që mbushnin muzeun, bëri përsëri krahë, këtë herë së bashku me “Madonën”. U zbuluan në vitin 2006. Tre vepra të tjera u zhdukën nga një hotel në qytetin norvegjez Mos, në vitin 2005, ashtu si “Vampiri” nga muzeu “Munk” në vitin 1988, gjithashtu dhe një portret i tij i vitit ’93 nga Galeria Kombëtare e Arteve të Norvegjisë.

-I dashur për bandat është edhe koleksioni i veçantë i Rossborough House në Irlandë, përderisa 30 vitet e fundit, mungojnë prej tij rreth 50 tablo.

-Me varkë ia mbathën rrëmbyesit e tre veprave të Renuar dhe Rembrand, nga Muzeu Kombëtar i Stokholmit në vitin 2000, duke hapur më parë zjarr e duke e mbushur rrugën me gozhdë. Një tablo prej tyre u gjet pak muaj më vonë, në një strehë narkomanësh.

-Po “këmbë” kanë bërë edhe skulptura dy tonëshe, siç ndodhi me “Figurat e harkuara” të Henri Mur nga instituticioni i tij në Hertfordshire, të Britanisë së Madhe në vitin 2007, të cilat për fat të mirë më pas u gjetën.

-Në anën tjetër të Atlantikut dhe pikërisht në muzeun “Isabella Stewart Gardner” të Bostonit, vjedhësit, duke i hedhur “hi syve” policisë, mundën të grabisin 12 krijime të Vermer, Mane, Rembrand me një vlerë dhjetëra milionë dollarë.

-Nuk mundën t’i mbajnë dot nën kthetra 20 piktura të Van Gog, grabitqarët që i ngritën ato nga muzeu me emër në Amsterdam në vitin 1991 dhe pak orë më vonë, u gjetën të braktisura brenda në një makinë. Me sukses veç, realizuan një mision të tillë, kolegët e tyre në vitin 2002 që shtinë në dorë dy vepra të piktorit holandez.

-Katër tipa të armatosur, janë përgjegjës për grabitjen e panumërt të veprave të Matish, Dali, Pikaso dhe Mane në muzeumin e Rio de Zhanerio, në vitin 2006. Duke çarmatosur rojet dhe duke nxjerrë jashtë përdorimit sistemin e sigurisë të kamerave ata rëmbyen sa mundën nga pamjet e ekspozuara nëpër mure dhe humbën bashkë me to, mes turmës në lumin e karnavaleve.

-E pa besueshme zhdukja e dy tablove të Pikasos nga shtëpia e mbesës së tij në Paris, në shkurt 2007, të cilat u identifikuan vetëm disa muaj më vonë. Po vjedhja më e bujshme e Piktorit Spanjoll, është ajo e vitit 1976, kur nga muzeu i Avijon, u zhdukën 118 vepra arti të tij.

-Një nga vjedhjet më të mëdha në Zvicër dhe nga më të mëdhatë në Europë, është cilësuar ajo e muzeut zvicerian Emil George Buehrle Collection, në vitin 2008, ku u vodhën nga koleksioni i vetëm, ku ruheshin katër tablo të artistëve impresionistë me famë të shekullit të 19- të, si “Lulekuqet pranë Vetheuil” (1880), e Klod Mone, “Viskonti Lepik dhe vajzat e tij” (1871), e Edgar Deka, “Degët e çelura të gështenjës” (1890), e V. Van Gog dhe “Djali me jelek të kuq” (1894), e Pol Sezan. Vlera e këtyre veprave të vjedhura u çmua 83 milion lira angleze, ose 112 milion euro.

-Me dhjetëra janë veprat e artit të zhdukura në Shqipëri, ku rekordi u thye në Korçë, me Vangjush Mion, me 53 piktura dhe vizatime të zhdukura nga koleksioni i tij, 27 prej të cilave vetëm nga galeria “Guri Madhi”, në korrik 2012 .

Google+ Followers