Tablotë e fshehura të Lasgush Poradecit “Dy cicat që tronditën botën” zbulojnë piktorin!


      Të bijat e Lasgush Poradecit, Konstandina dhe Maria, nxjerrin për herë të parë nga arkivi personal i poetit piktura të panjohura, të cilat këto ditë janë në treg në një botim katalog shoqëruar me fjalën e Moikom Zeqos; konsideruar një lloj ditari, albumi nis nga koha kur poeti pikturon tablonë e parë, me vajzën rumune, nudo deri tek portretet e miqve të tij si Kuteli apo “fotografia” e pasaportës së Eqrem Çabejit



Një vajzë e re rumune i lutet djaloshit të ri shqiptar, që aspiron për piktor, t’i mësojë sekretet e pikturës. Ai sapo kishte fituar konkursin e provës në Akademinë e Arteve të Bukura në Bukuresht, duke lënë vajzën e re pas dere. Vajza e ndjek për në dhomën e tij, dhe ky plot delikatesë i thotë: Zhvishu! Nuk e ngau me dorë. E vizatoi nudo. Mbas një viti fiton edhe ajo konkursin.
Dy cicat që tronditën botën”, quhet piktura e vajzës, e para për djaloshin, pas asaj të konkursit, duke na zbuluar sot një histori të panjohur për poetin Lasgush Poradecin, një histori për pikturën e fshehur. Të mbledhura rule, nxjerrë nga arka ku mbaheshin “të fshehura” pikturat ka ditë që qarkullojnë të mbledhura në një album. “Të ritë e viteve të mi”, është vendosur titulli.
Janë “pikturat e brendshme te Lasgushi që na shpalosin mrekullitë fabuleske të liqenit, lëvizjen në shtrëngatë, urinë botiçeliane të të dashuruarve, sakrificat biblike të pelikanëve, që Lasgushi i mbi quan. Kjo ekspozitë figurative e pashpallur do të mbetet përgjithmonë fjala”. Këto janë fjalët e Moikom Zeqos, i cili shoqëron me parathënien e tij katalogun që del për herë të parë në botim me Lasgushin piktor. Janë dy bijat e Lasgushit, Konstandina dhe Maria, të cilat i kanë vënë në dispozicion Zeqos piktura dhe për të ilustruar historinë se si poeti nisi të pikturojë, prej nga e sjell zanafillën e tyre të krijimit.
Në fletët e para tërheq vëmendjen se ky botimi i katalogut është bërë me burime financiare personale të z. Artan Shkëmbi, dhe se është shfrytëzuar vetëm arkivi personal i Lasgush Poradecit.
Si u bë Lasgushi piktor? Nga fjalët shoqëruese të katalogut, në hyrje, njihemi se Lasgushi nisi të vizatojë qysh në fëmijëri. Vizatimet e para janë një vetëportret i tij bërë në moshën 16 vjeçare në Pogradec, një portret i vëllait të tij Pandel Gushi dhe motrës së tij Aspasia.
Në një letër, që i shkruan të vëllait të tij në Bukuresht në vitin 1963, Vangjel Gushos, ai i thotë: “Dhimitraqi (Dhimitër Pasko) nuk m’i solli dot atëhere (pikturat). Dërgo m’i medoemos, dua të çmallem tashi me to, të çmallem edhe më shumë me autoportretin që bëra në Poradec më 1916, dhe me portretin e Pacies (Aspasia Gusho, e motra) kur ishte çupë e pamartuar.
Pra, e nisi pikturën si autodidakt”, vazhdon Zeqo nga rrëfimi mbi poetin-piktor.
Në vitin 1916 niset në Greqi për të përfunduar Liceun (Lycee Leonin Sant-Denis par les Freres Maristes). Befas u sëmur dhe u shtrua në Sonatorium “Sotiria”, në një pyll me boriga dy orë larg Athinës. “E çuditshme , por gruaja e arkeologut të famshëm Schlieman, zbuluesit të Trojës, bisedoi me Lasgushin dhe ajo e shtroi pa shpenzime në Sonatorium. Lasgushi e përjetoi botën spitalore jo me ankth. Ai kishte shpresë”, tregon Zeqo.
E dhëna është se nga ky moment vijnë vizatimet e Lasgushit për pacientët, infermierët etj., vlerësuar si një lloj ditari. Më vonë, Lasgushi do të regjistrohej në Akademinë e Arteve të Bukura në Rumani. Në konkursin e provës u paraqit me vizatimin e skulpturës së perëndeshës Afërdita.
Rezultatet e nxjerrin fitues piktorin shqiptar, duke lënë pas dere një vajzë rumune, por me të cilën lidhet historia e një prej pikturave historike për poetin. E quajtur Miçka ajo humb konkursin por përjetësohet në vizatimin e Lasgushit. Zeqo tregon historinë: “Ajo iu lut djaloshit shqiptar t’i mësonte sekretet e pikturës. Ajo erdhi në dhomën e tij, dhe ky delikat i madh i tha: zhvishu! Por nuk e ngau me dorë. E vizatoi nudo. Mbas një viti ajo e fitoi konkursin”. Ishin vitet 1922-1923
Në 1 tetor 1922, është anëtar i Shoqërisë së Studentëve të Shkollës së Arteve të Bukura të Bukureshtit. Piktura që na prezantohen në katalog me ngjyra vaji Lasgushi i ka bërë në këtë etapë. Por në 1924 Lasgushi niset në Berlin, pasi emërohet student bursist nga qeveria e Nolit, për të studiuar albanologji. Në këtë kohë katedra e albanologjisë në Berlin ishte e mbyllur duke e detyruar Lasgushin të shkojë në Graz, ku diplomohet për filologji romano-gjermanike.
Sipas të dhënave nga familja koleksionin e pikturave Lasgushi ja la të vëllait Vangjelit në Campulung (Rumani). “Shumë herë i kërkoi. Më kot. Ai nuk ia ktheu kurrë”, plotëson Zeqo. Në letrën që i shkruan Mitrush Kutelit më 21 dhjetor 1931 nga Grazi, Lasgushi i thotë:
Te Vangjeli, të lutem të marrish këto gjëra: një tablua e madhe me titull “Magdalena në shpellën e shenjtë”, 2) një tablua e madhe me titull “Zgjimi i dashurisë”; 3) Një tablua më e vogël me titull “Miq të mirë”; 4) një baulle me libra; 5) një baulle tjetër me libra.
Në një letër tjetër të dërguar po Mitrush Kuteli tregon se përmasat e tablove qenë 2m me 2 m dhe 1m me 1m. Këto janë të dhëna që tregojnë përmasën e koleksionit të pikturave të poetit, për të cilat mendojmë se janë këto të paraqitura në katalog.
Shumë shpejt, më 9 maj 1931, një tjetër dëshmi tregon për fatin e pikturave kur skulptori Odhise Paskal, i dërgon letër poetit për të marrë pjesë me krijimet e tij në një ekspozitë kombëtare. Në zarfin e kësaj letre Lasgushi ka shkruar: “Për fat të keq Mitrushi nuk i mori dot pikturat atëherë”, dhe se: “zemrën e kam të plasur për këtë humbje të jetës s’ime të parë”.
Në 1 dhjetor 1934, Lasgushi emërohet profesor i vizatimit dhe Bukurshkrimit në Liceun Shtetëror të Tiranës. Më 2 dhjetor 1935 me dekret të Mbretit Zog, emërohet profesor i Gjuhës Shqipe në këtë lice.
Më 2 nëntor 1937, me rastin e kremtimeve të 25-vjetorit të Pavarësisë u bë (në shkollën e vizatimit) ekspozita e skulpturës dhe e dokumenteve të Rilindjes. Komisioni përgatitës i kremtimeve ( në të cilën bënte pjesë edhe Lasgushi), kishte ftuar edhe albanologun e famshëm Norbert Jokl. Lasgushi ishte zgjedhur anëtar i komisionit për vlerësimin e skulpturës më të mirë të heroit tonë kombëtar Gjergj Kastriot Skënderbeu për të cilën ishte shpallur një konkurs ndërkombëtar. Me këtë informacion përmbushet portreti i piktorit dhe jeta e tij aktive në vitet e para, se sa gjerësisht njihej ai si piktor nga elita krijuese e kohës.
I jam mirënjohëse vajzave, në mënyrë të veçantë Marias, që m’i kanë hapur të tëra të fshehtat e arkivit të famshëm lasgushian. Tharmi i këtyre enigmave janë pikturat dhe vizatimet e poetit. Vendosëm të bëjmë publike për herë të parë këtë trashëgimi që i kalon përmasat e kuriozitetit”, tregon Zeqo duke kryer kështu një shërbim kulturor ndërlidhjen e viteve që Lasgushi nuk ju njoh piktura.
Është e bija e Lasgushit, sipas të dhënave të Zeqos, që ka nxjerrë nga një arkë telajot e mbështjella rul, së bashku me një tufë me letra dhe vizatime.
Dy portret me ngjyra shënonin fundin e arkës, një portret i Krishtit, me kurorë me gjemba në kokë, dhe një portret tjetër të çuditshëm, që ka pjesën e sipërme një profil burri me mustaqe të ngritura përpjetë duke ngjarë me piktorin skandaloz Salvador Dali- pohon Zeqo. “Ngjashmëria është hutuese, ngacmuese”, - pa arritur në gjurmë të ndonjë shënimi se kujt i dedikohet.
Por Zeqo na kujton se të dorës së poetit janë dhe dy gravura bardhë e zi që kanë ilustruar dy libra të Lasgushit, “Vallja e yjeve” si dhe “Ylli i zemrës”. Ekziston dhe një portret i Asdrenit të cilin Lasgushi e ka vizatuar me penë. Por, këto kanë qenë raste sporadike pa shquar zejen e pikturimit tek Lasgushi. Ky është i pari katalog, apo album që flet qartë se me Lasgushin kemi një piktor përfaqësues. Nisur nga ky fond prej 53 piktura, ndarjet janë: në piktura me ngjyra vaji, që i dedikohen kryesisht portreteve të femrave, si “ngjizje erotike e poezive të tij të përvëluara”. Veçohet një femër nudo e Lasgushit e cila është emërtuar, si marrim nga parathënia jo nga vetë Lasgushi, “Dy cicat që tronditën botën”. “Ky është tharmi i shakasë sonë”, shpjegon Zeqo, duke shkuar me tej se këtu nuk ka vend për sensing frojdian tek Lasgushi, e si i tillë nuk duhet konsideruar as “si njeri i skajimeve të bujshme”
Përkundrazi delikatesa e tij është apolloniate. Ai ka kult simetrinë, ndonëse në disa poezi është dionisian”, shkruan Zeqo.
Po pikturë në vaj i përket dhe një portret me ngjyra e Bethovenit, me dijeninë se poeti njihte si Vagnerin ashtu dhe Moxartin. “Ai e di që harmonia e muzikës është dioskure me atë të poezisë. Por femrat e pikturuara prej tij të kujtojnë artin rilindës Italian, një lloj ëmbëlsie të shkollës veneciane të pikturës”.
Ndarja e dytë e punëve lidhet me vizatimet e Lasgushit, të cilat janë kryesisht portrete në miniaturë. Tërheqin vëmendjen portretet-vizatime për Mitrush Kutelin dhe sidomos për Eqrem Çabejin.
Portreti i fundit vjen si një lloj historie, e cila është realizuar në një nga flett e pasaportës së Çabejit. “Kjo pasaportë e albanologut është një relike e dyfishtë historike, është edhe e Çabejit dhe e Lasgushit”. Ndërsa vizatimet e tjera përveç portreteve të njerëzve që ka njohur, lidhen me peizazhe, kryesisht qytetesh, të manastireve të hershme, të xhamive shqiptare e tj. ”Ky mjedis është gjithashtu një tipologji shpirtërore”, tërheq vëmendjen Zeqo.
Në fund albumi na njeh me idetë e Lasgushit mbi pikturën, një lloj vështrimi estetik të perceptimit të arteve pamore, pikturës në veçanti për ta mbyllur me një postulat të tij: “Sa kohë që arti ka qenë dhe do të jetë ndjenjë estetike e brendshme, e çfaqur në formën fisnikërore të thjeshtësisë dhe të masës”
.
“Dy cicat që tronditën botën”, telajo me ngjyra, përmasa 
70 x 50 cm, nënshkruar Llazar Gusho.



Estetika e Lasgushit
Idetë e Lasgushit shkruar për pikturën:

Në vitin 1937 Lasgushi shkruan: Art domethënë e vërtetë artistike, dhe e vërtetë artistike do me thënë semplicitet. Nga vijat e shumta, plot lëvizje dhe ngatërrim përbrenda tyre, shpirti artistik rilevon vetëm karakteristikat zotëronjëse, vetëm pamjen qendrore, për të ngjizur me anën e tyre dhe përmjet etikës së vetvetes veprën artistike të vërtetë. Futja e institucionit artistik të lirë brenda kllapës së akademizmit, klasicizmit, ekspresionizmit, dhe shumë ismave të tjera që s’thonë gjë, sepse nuk mund të interpretojnë asgjë nga e vërteta e madhe; arti s’njeh kondita, shkollat kondiciononjëse vdesin vetvetiu”.

Koncepsioni nuk është pjesë transcendentale, por transpozim i të vërtetës artistike në simplicitetin e saj”

Subjektet e qeta të pashkëputura nga realiteti shpirtëror i jetës, kompozicioni i drejt-për-drejtshëm vijash të mëdha, efektet e iluminuara prej heshtjes, përputhen harmonikisht, organikisht. Kështu arrihet në lidhjen intime të rrobës artistike që e mbështjell si një dritë përshkonjëse tejpërtej. Këtu, në këtë mënyrë kthjelltësie të ekzekutimit, hyjnë njëra pas tjetrës të gjithë elementët e tjera të artit piktural, atmosfera e ngrohtë diafane, e njëtrajtëshme që rrethon sendet, drita e qëndruar në gjithë nuancat e saj, atitudat dhe gjestet plot masë të tablove, mimika e disiplinuar e portreteve, aspekti i përmbajtur në vetvete i pamjeve të marra secila nga një botë që i përshtatet, dyke plotësuar dhe pasuruar më mirë gjendjen shpirtërore”

Notat e ngjyrave krijojnë një koncert të shumanshëm dhe harmonik ku hijedrita humbet thuajse pa u shquar në prodhimin e tonalitetit zotëronjës të ngjyrës lokale, pa aksidente ashpërsonjëse të vlerës së përgjithshme të veprës. Drita dhe hija dhe vlera e veçantë e sicilës ngjyrë në vetvete, bashkohen për të dhënë jo iluzionin e sintezës, por vetë sintezën e përshtypjes, një përshtypje lëndshpirtërore e konceptuar dhe e ekzekutuar thjeshtësisht, e cila është arsyeja primordial e qenies së artit”

Sa kohë që arti ka qenë dhe do të jetë ndjenjë estetike e brendshme, e çfaqur në formën fisnikërore të thjeshtësisë dhe të masës”

Nga gazeta Standard


Google+ Followers