Salman Rushdie: Si më ndryshoi jeta pas “Vargjeve Satanike”


Rrëfimi i parë i shkrimtarit të “mallkuar” për lexuesin shqiptar


Rudina Xhunga ka arritur t’i marrë intervistën e parë për mediat shqiptare shkrimtarit me famë botërore Salman Rushdie. Shkrimtari “i mallkuar” rrëfen për Xhungën gjithçka, që nga autobiografia, letërsia, gratë e tij, e deri tek fatwa-n që nxorri Ayatollah Khomeini për “Vargjet Satanike.


Rudina Xhunga

Më pëlqeu shumë të lexoj autobiografinë tuaj.
Faleminderit. Ishte një tundim për të thënë historinë e një pjese të rëndësishme të jetës, kryesisht, por edhe të të gjithë jetës sime. Rruga si u bëra, shkrimtari që u bëra.
Dhe ia dolët shumë mirë ta tregoni…
Faleminderit! Ndjeva se duhej t’i afrohesha si një projekt letrar, jo thjesht si një ditar rrëfimi. U përpoqa ta bëj të ngjajë, si një prej librave të mi. Për ta shkruar si roman, që gjithçka të jetë e vërtetë. Ka libra të tillë. Po mendoja për Listën Shindler të Tomas Keneally, për shembull. Apo “Me Gjakftohtësi”, të Truman Capote-s. Ose “Gjërat e Duhura”, të Tom Wolfe. Libra të tillë, që bazohen në situata të vërteta dhe u jepet trajta me aftësitë e një shkrimtari romanesh. Mendoj se kjo është mënyra e duhur. Ndryshimi është se këta njerëz s’po tregojnë historinë e jetës së tyre, por të të tjerëve. Doja të shihja se si mund të shkruaja një roman për njerëz që njihja, por dhe për veten dhe në të njëjtën kohë. T’i jepja ndjesinë dhe thellësinë e personazheve që pret nga një  roman.
Tani edhe Joseph Anton-i është i famshëm, është po aq i famshëm sa Salman Rushdie.
Siç e them në libër, e kam urryer gjithnjë atë emër. Sepse ishte një emër që u detyrova ta përdor. Është diçka shumë e rëndë, kur të kërkojnë të heqësh dore nga emri yt. Duhej të hiqja dorë jo vetëm nga emri, por dhe nga etnia e emrit. S’duhej të zgjidhja një tjetër emër indian, sepse do të kuptohej lehtë. Pasi m’u hoq etnia, e pashë letërsinë si burim. Kështu krijova kombinimin e emrave të Conrad dhe Chekhov. Por e kam urryer gjithnjë. E kam përdorur si titull të librit, si një mënyrë për t’i treguar lexuesit, se sa e çuditshme ishte të bëje një jetë të tillë, kur duhej të sakrifikoje dhe emrin. Duhej të jetoje për një dhjetëvjeçar nën një emër që s’e doje, sepse s’ishte i yti. Ditën kur munda të heq qafe Joseph Anton-in, s’u pendova fare. Isha i lumtur që më në fund u zhduk.
Kam lexuar një intervistë tuajën për Paris Review, ku i pyetur nëse do ta bënit ndonjëherë autobiografinë, jeni përgjigjur: JO
S’kam pasur kurrë interes të shkruaj një autobiografi. Arsyeja që u bëra shkrimtar s’ishte për të shkruar për veten, por për të tjerët. Pastaj pata fatin e keq të kem një jetë interesante. Ndjeva se arsyeja për ta bërë, në radhë të parë, ishte sepse shumë prej asaj jete, nuk ishte e njohur. Edhe pse ishte shkruar shumë në atë kohë, kishte shumë spekulime. Por pak njohuri dhe informacion. E dija që kisha një histori interesante për të treguar, dhe doja ta tregoja. Ndjeja që kjo histori lidhej gjithashtu me tema më të larta se vetja ime, me tema që po ndodhin në botë dhe të cilat tani i mendojmë të gjithë. Historia ime dhe e familjes sime ishte në një mënyrë pjesë e asaj historie më të madhe.
Do ta pëlqente nëna juaj autobiografinë, po të lexonte atë që keni treguar për të, për shembull?
Mamaja ime? Mamaja ime ishte shumë tolerante dhe mirëkuptuese. Them se s’do të kishte probleme. Mbase do të ndihej në siklet që kam shkruar për burrin e saj të mëparshëm, por ajo s’është këtu, dhe s’ka pse të jetë në siklet. Portreti i të dy prindërve të mi them se është shkruar me dashuri të madhe. Në fakt, shkrimi i librit ma bëri edhe më të qartë sesa u detyrohem. Sesa dashuri dhe forcë mora nga mamaja, dhe sa nga formimi im intelektual. Mënyra si e shihja botën, vinte në të vërtetë nga babai im dhe mënyra se si e shihte ai botën. Të realizoja portretin e tij ishte një nga gjërat e bukura të këtij libri.
Ju jeni indian, jeni anglez, jeni amerikan?
Them se jam një djalë nga Bombei që ka udhëtuar shumë. Por më shumë se kaq, kam menduar gjithnjë se jam një krijesë e një qyteti të madh. Mendoj se kam qenë gjithnjë shkrimtar shumë metropolitan. Kam kaluar pjesën më të madhe të jetës në këto tre qytete të mëdha, Bombei, Londër dhe Nju Jork. Nëse ke një mendje të tillë, e kupton sesa të ngjashme janë qytetet e mëdha. Jeta e metropolit është diçka e ngjashme, qoftë në Indi, Angli apo Amerikë. Mendoj se jam një shkrimtar i një qyteti të madh. Dhe lidhjet e mia janë më shumë me qytetet, se me shtetet. Mbase më shumë jam i lidhur me Bombein, Londrën dhe Nju Jorkun, sesa me Indinë, Anglinë apo Amerikën. Ndiej se i përkas qytetit.
A mendoni ju për lexuesin kur shkruani, a shkon mendimi juaj tek lexuesi?
Gjithnjë e më shumë, teksa moshohem. Kur kam qenë i ri, shkruaja libra me të cilat mundohesha të kuptoja se ç’lloj shkrimtari mund të isha. Sesi duhej të isha si shkrimtar. Kur po shkruaja “Fëmijët e Mesnatës”, më shumë po i mësoja vetes si të shkruaja, teksa po e shkruaja. Pasi kupton se e di tashmë këtë për veten, pasi e kupton se ç’lloj shkrimtari je, vëmendja juaj mund të shkojë dikur tjetër. Me çdo libër të suksesshëm, kisha gjithnjë e më shumë interes për lexuesin dhe mënyrën se si ata lexojnë. Si ta tregoj një ngjarje në mënyrë që njerëzit ta kuptojnë. Ngjarjet janë shumë të thjeshta, dhe sekreti i librit është në mënyrën si e bën. Nisa të kem më shumë interes për të gjetur mënyrën si mund të tregohet një ngjarje, që njerëzit ta kishin më të lehtë për ta kuptuar.
A mund ta përmirësojë letërsia, jetën e lexuesit të saj?
Mund të përmirësojë jetën e lexuesit gjatë kohës që po lexon librin. Nëse e pëlqen, jeta bëhet më mirë. Shumë pak libra janë ata që pëlqejmë vërtet në jetë. Mendoj se këta libra që duam vërtet, na ndikojnë dhe na formojnë. Na ndihmojnë në mënyrën sesi e shohim botën. Këta libra mund të jenë të ndryshëm për të gjithë ne. Mbase mund të jenë vetëm tre, ose katër… mund të jenë dhe njëzet, varet nga njeriu. Por është gjithnjë një numër i vogël librash që futen nën lëkurën tënde. Këto libra bëhen pjesë e asaj që je dhe të ndihmojnë.
Cilat librat duhet t’i lexojë patjetër një njeri që do të shkruajë?
Libra fëmijësh. Them se duhet të fillojë që aty. Duhet lexuar patjetër “Liza në Botën e Çudirave”. E kam rilexuar pak edhe kohët e fundit, dhe është shkruar shumë bukur. Bota e krijuar dhe imagjinata janë fantastike. Përshkrimi bëhet me zgjuarsi dhe shkurtësi të jashtëzakonshme. Them se duhet filluar me Lizën në Botën e Çudirave. Mbaj mend kur romani “100 Vjet Vetmi” e Gabriel García Márquez-it u botua për herë të parë në anglisht. Përshkrimi dhe kritika në New York Times u bë nga shkrimtari William Kennedy, i cili tha që ky është libri i parë, që pas Biblës, që njerëzimi duhet ta lexojë me detyrim. Mendoj qe s’e kishte gabim. Mbase është romani më i mirë i 100 viteve të fundit. Unë besoj se jetojmë në një botë që është krijuar nga Joyce, Proust dhe Kafka. Mendoj se nëse do ta kuptosh botën në të cilën jetojmë, duhet të kuptosh edhe këta shkrimtarë.
Lexoni letërsi kur shkruani?
Kur jam duke shkruar, nuk lexoj shumë, përveç gjërave që kanë lidhje me atë që po shkruaj. Me një libër si ky, kishte shumë materiale që duheshin kontrolluar, kuptuar e që duheshin përdorur. Kisha ditarët e mia, por dhe materialet që ishin shkruar për këtë temë nga të tjerë. Ndërsa, kur nuk shkruaj, përpiqem të lexoj librat e të tjerëve.
Çfarë bëni tjetër, kur nuk shkruani?
Luaj pingpong. S’jam më aq i zoti sa më parë, sepse po plakem. Fëmijët kanë nisur të besojnë se mund të më mundin. Por, ende jo.
Kur lexon herë pas here kronikat rozë, ngjan sikur ju jeni shumë në festa dhe pak në tavolinën e punës.
Është iluzion, sepse asnjeri s’mund të shkruajë libra nëse nuk qëndron shumicën e kohës në dhomë, në qetësi. Këtë e bëj si kushdo tjetër që shkruan libra. S’jam shkrimtar shumë i shpejtë. S’jam dikush që mund të shkruajë një libër çdo vit. Jam i ngadaltë, në krahasim me shumë shkrimtarë të kohës sime. Me shkrimtarë si Ian McEwan, Paul Auster. Ata i botojnë librat shumë më shpejt se unë. Por një gjë që kam zhvilluar me disiplinë të mirë, është metoda e të punuarit. Mund të ulem e të punoj çdo ditë, dhe gjatë këtyre viteve kam zhvilluar fuqi të mëdha përqendrimi. Kështu që mund ta lë jashtë vetes, botën, kur punoj. Të gjithë kemi teknikat tona. Ndonjëherë dal jashtë, dhe gazetat shkruajnë. Dhe duket sikur duhet të jem gjithë kohën duke dalë.
Ndaj nuk i pëlqeni gazetarët…
Kam shumë miq gazetarë, ndaj duhet të bëj kujdes në çfarë them. Jo, mendoj se problemi është që ka gazetarë seriozë dhe shumë të tjerë s’janë të tillë. Gazetarët seriozë janë nga njerëzit më të admirueshëm, dhe mendoj se përfshirja ime me organizatën e shkrimtarëve, është për të mbrojtur gazetarët që janë persekutuar ose burgosur. Gazetaria serioze ka një vlerë shumë të madhe për të gjithë ne. Por gazetaria me thashetheme është tjetër gjë.
A kanë ndikuar në letërsinë tuaj katër martesat tuaja? A ju kanë bërë një shkrimtar më të mirë, gratë e jetës suaj?
Ato të gjitha do të thoshin “po”. E kanë gabim.
Sa janë personazhe ne librat tuaj, gratë që keni njohur dhe dashur?
Mendoj se personazhet më të rëndësishme të librave të mi, janë femra. Një nga gjërat që më ka pëlqyer gjithnjë në mënyrën se si kanë dalë librat, është se kanë shumë personazhe të fuqishme femra. Mendoj se kjo ka të bëjë shumë me faktin që jam rritur në një familje me shumë femra. Kisha tri motra dhe asnjë vëlla. Edhe në familjen më të madhe, kisha më shumë teze, se xhaxhallarë. Më shumë kushërira femra. Dhe gratë në familjen time s’ishin shumë të heshtura. Ishin të zhurmshme, kishin opinione, kishin humor, kishin inteligjence. Kështu janë gratë për të cilat shkruaj, se me ato jam rritur. Kam shumë pak gra të dobëta, të turpshme e të heshtura në librat e mi. Por ka shumë gra të zhurmshme, agresive dhe të vështira.
Dhe shkojmë në 14 shkurt të 1989, kur Ayatollah Khomeini nxori fatwa-n ku ju shpalli ju dhe “Vargjet Satanike” kundër islamit, profetit dhe Kuran-it duke ju dënuar me vdekje. A ju duket sikur kjo i ka ndodhur Joseph Anton-it dhe jo juve?
Jo, më ndodhi mua. Në njërën anë, ndihet ende shumë e pranishme në jetën time, sepse kishte pasoja shumë ekstreme për një kohë të gjatë të jetës sime. Por në anën tjetër, ndihet si një histori e vjetër, sepse ajo kohë e jetës sime mbaroi para më shumë se 10 vjetësh. Mbase kanë kaluar rreth 12 vjet, që kur kjo ishte diçka e madhe në jetën time. Për shumë prej atyre viteve kam mundur të jetoj si çdo shkrimtar tjetër, të bëj punën time, të udhëtoj, dhe të jem normal. Sigurisht që jam përpjekur shumë ta kthej atë kohë pas, dhe të jem në gjendje të kthehem në jetën që kam dashur gjithnjë të kem. Mendoj se mënyra se si është shkruar ky libër, është mënyra se si unë e lë më në fund pas atë histori. E kam ditur gjithnjë që kam dashur ta shkruaj këtë libër. Sepse problemi i të qenit shkrimtar, është se edhe kur jeta jote po shkon shumë keq, ke një njeri të ulur tek supi që të pëshpërit në vesh “kjo është histori e mirë”. E dija që kisha një histori për të treguar. E dija që një ditë do ta shkruaja. Pasi e bën, ndien sikur ke hequr një barrë.
Çfarë i solli fatwa, punës suaj, suksesit tuaj? A do të ishit ju kaq i suksesshëm pa të?
Isha i suksesshëm dhe më parë. 10 vjet më parë. Do të isha shumë i lumtur dhe me atë nivel suksesi. Shiheni në mënyrë më të thjeshtë. Nga ana komerciale. Pati rritje shitjesh me “Vargjet Satanike”, por gjithë librat e tjerë, para dhe pas, kanë qenë në të njëjtin nivel. Mendoj se ma bëri emrin më të famshëm mes njerëzve që nuk lexojnë libra, dhe papritur të gjithë njerëzit që s’do të merrnin kurrë në dorë një libër timin, kishin një mendim për mua. Kjo ishte shumë e çuditshme.
Kaq vite më pas, a mund të thoni ju përsëri që nuk është e vërtetë, që Vargjet Satanike nuk donin të provokonin askënd, që nuk ka lidhje fare me provokimin ndaj muslimanëve?
Provokimi dhe fyerja është diçka që bëhet shumë lehtë. Po të dua të të fyej, mund ta bëj shumë shpejt. S’kam nevojë për pesë vjet punë. Ka shumë muslimanë që e kanë lexuar “Vargjet Satanike” dhe mendojnë se është shumë i mirë dhe s’e kanë fare problem. Një numër shumë i madh njerëzish që thonë se janë të fyer prej tij, s’i kanë lexuar asnjë fjali. Problemi s’është me romanin, por me fanatizmin. Një gjë për të cilën jam përpjekur shumë gjatë viteve që njerëzit ta kuptojnë, është të mos fajësojnë viktimën. Ai që ka përgjegjësi për krimin është krimineli. Nëse unë të fyej ty, dhe të them diçka që është shumë fyese, ti më urren për këtë dhe merr një armë e më qëllon. Është faji yt, jo i imi. Njeriu që meriton të burgoset për këtë, je ti. Nëse duhet të jetojmë në një univers moral, duhet të kuptojmë që njerëzit janë përgjegjës për veprimet e tyre. Njerëzit e dhunës janë fajtorë për veprimet e dhunshme. Jo ata që bien pre e këtyre veprimeve. Fatkeqësisht, jetojmë në një kohë kur retorika e fesë, dhe sidomos e asaj ekstreme, është aq e fuqishme, sa përpiqet ta heqë peshën e fajit. Thotë “ai njeri më fyeu, kështu që jam i shfajësuar për ta sulmuar.” Jo, nuk është.
Shtëpia botuese “Dudaj” do ta sjellë për lexuesit shqiptarë librin “Vargjet Satanike”. Mund t’iu tregoni vete, atyre se çfarë duhet të jenë gati të lexojnë?
Në radhë të parë, s’është një libër për fenë. Është roman për emigrimin, për njerëz që vijnë nga India në Angli. Kjo është, mes të tjerave. Gjatë ngjarjeve, një nga personazhet që e humbet mendjen, sheh disa makthe për lindjen e fesë së islamit. Nëse lexon gazetat e më pas lexon librin, s’arrin të kuptosh se për çfarë u bë gjithë ajo rrëmujë. Shumë njerëz më kanë kontaktuar pasi kanë lexuar romanin, dhe thonë që s’kuptojnë se nuk kuptojnë ku është problemi. Problemi është në mendjet e njerëzve që krijuan telashet.
Ata që e krijuan të parët këtë, ishin gazetarët?
Jo, dhe pse disa prej tyre ndihmuan, problemin s’e krijuan gazetarët. Në botën në të cilën jetojmë, me komunikimin në masë, është e lehtë të bësh keqinterpretime dhe njerëzit nisin t’i besojnë. Koha e fatwa-s kundër Vargjeve Satanike ishte para epokës së internetit. S’kishte internet apo e-mail-e në atë kohë. Ishim në kohën e fakseve. Por prapë, ishte një fushatë ndërkombëtare. Mbase ishte hera e parë që media ndërkombëtare po përdorej për t’i bërë propagandë një pikëpamjeje shumë mesjetare. Sot ke teknologjinë më të fundit që përdoret për të reklamuar një pikëpamje mesjetare të botës. Nëse njerëzit duan të debatojnë kundër punës sime, jam mëse i përgatitur të debatoj. Por kur futet dhuna në mes, është tjetër gjë. Çështja këtu është si do të reagosh ndaj dhunës. Nëse futesh në dhunë, garanton që do të ketë më shumë çështje të tilla. Dorëzimi ndaj dhunës, është mënyra për të garantuar që do të ketë më shumë dhunë të tillë, sepse njerëzit shohin që funksionon. Para tre vjetësh, në 20 vjetorin e fatwa-s, shtypi britanik e përmendi shumë dhe folën me shumë prijës muslimanë që ishin përfshirë në fushatën kundër Vargjeve Satanike, sesa kur doli për herë të parë. Të gjithë pa përjashtim thanë se kishin bërë gabim. Disa e thanë për arsye taktike. Pati dhe të tjerë që thanë se ngjarja më kishte dhënë më shumë para dhe më kishte bërë më të famshëm. Disa thanë që s’duhej ta kishin bërë për ato arsye, ndërsa të tjerë mbajtën anën e pozitës se fjalës së lirë dhe kuptuan që nëse ata mund të lejoheshin të thoshin çfarë donin, të njëjtën gjë mund të bënin dhe ata që s’ishin dakord me të. Kjo ishte interesante, që në 20 vjet ka pasur këtë nivel përparimi.
Ata që ju mbrojtën, pavarësisht frikës, pavarësisht kërcënimeve, në emër të kujt e bënë? Në emër të librit apo në emër të të drejtës për të lexuar, në emër të lirisë për të shkruar?
Disa mbështetën secilën prej këtyre. Besoj se ka pasur shkrimtarë që s’e pëlqenin librin tim, por mendonin se duhej të mbronin parimin e të qenit të lirë të shkruaje atë që kishe në zemër. Të tjerë pëlqenin më shumë veprën dhe për ata ishte ky faktori. Të tjerë nuk e pëlqenin veprën, por kjo është ideja e fjalës së lirë; të kërkon gjithnjë të mbrosh punë që ty s’të pëlqejnë. Sepse është e lehtë të mbrosh të drejtën e njerëzve që shkruajnë gjëra që të pëlqejnë. Kur nuk të pëlqen dhe e mbron, zbulon nëse beson tek fjala e lirë apo jo, nëse je gati të mbrosh njerëzit, të cilët i kundërshton. Sigurisht që tema e madhe është çështje parimi. Mbaj mend që po të shihje rastet e mëparshme në 100 vitet e fundit kur janë sulmuar libra, dhe njerëzit janë përpjekur t’i ndalojnë… si “Lolita” e Nabokov-it, ose “Uliksi” i Joyce. Ose “Dashnori i Zonjës Chatterley”. Mbrojtja e këtyre librave kishte të bënte shumë me mbrojtjen e cilësisë së tekstit. Njerëzit thoshin që s’mund ta ndalosh këtë libër sepse ishte letërsi serioze. Edhe në ligjin britanik e atë amerikan, mbrojtja e cilësisë pranohet me ligj. Nëse tregon se vepra ka qëllime serioze, atëherë kjo është mbrojtje. Joyce u akuzua për pornografi dhe blasfemi. “Uliksi” është roman i bukur, por nuk ngjall ndezje seksuale. Shumë pak njerëz që e kishin lexuar Lolitën mund të thoshin se po mbronte pedofilinë. Prapë, akuzohej për këtë. Mbrojtja e librit ishte se shumë njerëz çoheshin e thoshin se ishin materiale të mira letrare që meritonin të mbroheshin, sepse kishin qëllime serioze. Edhe unë doja që njerëzit ta mbronin librin tim. U kërkoja njerëzve të mbronim parimet, por ishte shumë e rëndësishme të mbronim edhe tekstin. Dhe njerëzit e bënë.
Por kishte kolegë që nuk dolën dot përtej xhelozisë së tyre megjithatë. Kolegë të cilët ju sulmuan juve dhe librin.
S’mund t’i kesh gjërat 100%. Do të ketë gjithnjë pak njerëz që kanë një tjetër qasje. Por e vërteta është se nëse sheh përgjigjen e botës letrare, do të thosha që më shumë se 99% e shkrimtarëve në botë kanë ofruar solidaritet, duke përfshirë këtu shkrimtarë nga bota islame. Në fakt, ka qenë një libër që u botua fillimisht në frëngjisht e më pas në anglisht, që titullohej “Për Ruzhdiun”. Kishte qindra shkrimtarë nga bota islamike që shkruanin në mbrojtje të librit. Ishte shumë e rëndësishme, sepse ata shkrimtarë jetonin në vende, ku vinin veten në rrezik për shkak të këtyre pikëpamjeve.
Shumë miq përmenden në autobiografinë tuaj. Ju jeni praktikisht i rrethuar prej miqve, të gjithë të shquar dhe të dashur. Çfarë është miqësia për ju, në fakt, që u shpërblyet kaq shumë prej saj?
Miqtë janë familja që e zgjedh vetë. Të gjithëve na jepet një familje në shtëpi që mund të mos jetë e mirë. Por miqtë janë familje që i zgjedhim vetë, të rrinë rrotull nesh. Për mua është gjithnjë një çështje e rëndësishme. Dhe e vlerësoj shumë, i jap shumë nga vetja. Jam me fat me miqtë që zbuloj. Kur e gjen veten në një situatë krize, zbulon se sa të mirë janë. Unë zbulova njerëz shumë të guximshëm që ishin gati të bëjnë gjëra mbresëlënëse për mua, të lëviznin nga shtëpitë e tyre që të jetoja unë aty. Merrnin ndërtesa me qira në emrin e tyre që të jetoja unë. Dhe këta njerëz kaluan telashe shumë të mëdha për mua. S’do ta kisha kaluar dot atë kohë pa ata. Por s’është vetëm për gjërat praktike, por dhe për mbështetjen emocionale. Siç mund ta përfytyroni, ka qenë një kohë shumë e vështirë. Kisha nevojë të ndieja mbështetjen e miqve, për ta kaluar.
Njëri prej tyre është agjenti juaj në zyrën e të cilit gjendemi. Andrew Wylie. Kam qeshur shumë, kur lexoja për një grua qe erdhi në zyrën e tij dhe i kërkonte adresën tuaj. U zhvesh për të marrë adresën dhe Wylie u shpreh: “Nuk para më ndodh kjo gjë shpesh, as në zyrë dhe as në shtëpi”.
Që të jemi krejtësisht të sinqertë, s’i ndodhi Andrew Wylie, por ortakut të tij anglez, Gillon Aitken. Më pas u ndanë, por në atë kohë ishin partnerë, dhe Gillion-i ishte njeriu të cilit iu afrua zonja. S’e di nëse i hoqi vërtet rrobat, por u ofrua. Ai u trondit dhe i tha të largohet.
Ka njerëz që i kujtojnë me të qeshur ato kohëra frike, por ka njerëz që nuk mund t’i kujtojnë dot, njerëz që vdiqën, në emër të librit dhe dhunës që u ushtrua për këtë libër.
Ndodhi diçka e tmerrshme, dhe s’ishte thjesht teori. Njerëzit u lënduan vërtet, dhe u vranë vërtet. Ky është një fakt i madh që s’e harroj ndonjëherë. Mendoj se dikur në ato vite, disa njerëz mendonin se ngaqë s’isha vrarë, atëherë s’po përpiqej të më vriste njeri, dhe ishte thjesht ekzagjerim. S’ishte ekzagjerim, por një sulm i vërtetë, i gjatë dhe shumë serioz. Sigurisht që s’është aspak për të qeshur. Ndonëse edhe të qeshësh duhet, kur ka situata dramatike. Nëse ti je në një situatë të vështirë, e kam në natyrë që përpiqem të bëj shaka si teknikë mbijetese. Dhe ndonjëherë, ka gjëra që ndodhin dhe janë për të qeshur. Si, kur isha në Nju Jork për herë të parë, gruaja ime Elizabeth-a ishte me mua, një polic që kishte përgjegjësi mbrojtjen time u shqetësua shumë, sepse ju duk e rrezikshme. Ajo ishte njeriu me pamje më pak të rrezikshme në botë. I thashë që Elizabeth-a ishte në rregull, ishte me mua. Ai më tha që po të donte të më vriste, do të më sillte pikërisht atë. Pas asaj, e pamë gjithnjë si vrasëse të mundshme.
Pati njerëz në atë kohë pro dhe kundër, njerëz që ju besonin dhe njerëz që nuk donin t’ju besonin. Tani që gjithçka ka kaluar të gjithë e besojnë atë që ju ndodhi juve.
Sepse ishte diçka e pazakontë. S’kishte fjalë që mund ta përshkruante diçka të tillë. Tani mund të kuptojmë më tepër, sepse kanë ndodhur më shumë gjëra në vitet e fundit. Por në atë kohë, shumë njerëz e kishin të pamundur ta fusnin në një kontekst të kuptueshëm. Ishte e lehtë të thoshe, që, po të mos kishe hapur gjithë këto telashe, këto gjëra s’do të kishin ndodhur. Është pjesë e natyrës njerëzore të thuash “të mos ishte ngatërruar.” Kishte shumë njerëz që mendonin se po të mos kisha folur, s’do të kishte pasur probleme. Natyra e artistit s’është ta qepë gojën.
Rasti juaj ndihmoi shumë raste në ditët e sotme si në rastin e Roberto Savianos apo të Orhan Pamuk.
Shkrimtarët janë përndjekur gjithnjë. S’është diçka e re. Duhet të shohësh historinë e Bashkimit Sovjetik që të dish për përndjekjen e shkrimtarëve. Pastaj duhet të shohësh historinë e qeverisë Falange në Spanjë, për të ditur se ç’ndodhi me Lorca-n. Fatkeqësisht, përndjekja e shkrimtarëve nuk u shpik me këtë çështje. Thjesht ndodhi të ishte një nga çështjet e mëdha të viteve të fundit. Por sigurisht, e bën dikë të ndiejë solidaritet me shkrimtarë të tjerë që kanë qenë në situata të tilla. Qëkur jeta ime u përmirësua, ndjeva që ishte shumë e rëndësishme të vazhdoja luftën në emër të shkrimtarëve të tjerë që ishin ende në vështirësi. Si Saviano, për shembull, të cilin e kam mik.
A është rreziku që kërcënon botën e sotme, tani, kohë mbas fashizmit, stalinizmit, islamizmi totalitar?
S’mendoj se është rreziku më i madh ndaj botës, por ndaj vendeve islamike. Mendoj se njerëzit që vuajnë më shumë nga fanatizmi islamik, janë muslimanët. Njerëzit që vuajtën më shumë nga regjimi i Ayatollah-ut në Iran janë pikërisht iranianët. Njerëzit që vuajtën më shumë nga talebanët, janë njerëzit e Afganistanit. Mendoj se kjo fazë e islamit fanatik është një rrezik i stërmadh për banorët e vendeve islamike. Aftësia për të sulmuar pjesën tjetër të botës mund të jetë zvogëluar. Mendoj se sulmet e 11 shtatorit ishin kulmi. Gjithashtu besoja, por mund ta kem gabim, që ky moment fanatik në Islam mund të mos jetë i gjatë. Sepse njerëzit që jetojnë në ato vende e urrenin shumë. Sa më të fuqishëm të bëhen prijësit islamikë, aq më shumë urrehen. Mendoj se në fund, kush urrehet, do të refuzohet nga banorët e atyre vendeve. Pranvera arabe është një shembull, një përpjekje për t’u larguar nga politika autoritare, drejt një shoqërie më të hapur e më të lirë. Sido të jenë rezultatet e Pranverës arabe, deri tani na ka treguar se njerëzit duan të njëjtën gjë si ne. Duan liri dhe punë. S’duan të jetojnë në diktaturë, qoftë fetare apo të çdo lloji qoftë ajo.
Kam intervistuar së fundmi Robert Savianon, Orhan Pamuk, David Grossman, dhe ndërsa ju intervistoj juve, bindem se njerëzit që kanë shumë për të treguar, flasin thjesht.
Problemi është të mos flasësh përtej përvojës që ke. Të mos thuash se di gjithçka. Sepse asnjë s’i di te gjitha. E njoh mirë Grossman-in e Saviano-n, dhe ata janë të aftë ta marrin atë situatë të veçantë në të cilën gjenden, dhe të gjejnë të vërtetën universale. Kjo është ajo që bëjnë artistët e mëdhenj. Orhani mund ta bëjë nëpërmjet përvojës në Turqi. Ideja është të mos përpiqesh të jesh gjithçka, por të jesh diçka e të flasësh për atë që di. Mendoj se këtë përpiqem të bëj me “Joseph Anton”. Them që kjo është ajo që di, sepse e kam përjetuar vetë.
Marrë me shkurtime nga emisioni “Shqip”

Google+ Followers