“Qorrfermani” i Kadaresë, përkthimi i parë nga origjinali në italisht


Pas Tedi Papavramit në frëngjisht, një tjetër violinist bën përkthimin e Kadaresë, këtë herë në italisht

Blerina GOCE

Muzika duket se ka qenë gjuha e përbashkët, që i ka çuar të dy tek vepra e Ismail Kadaresë.
Edhe pse njëri ka përkthyer në frëngjisht e tjetri në italisht, ajo çfarë i bashkon është shumë më e fortë se ky përcaktim gjuhësh. Është pikërisht melodia e shpirtit, gjuha e artit dhe ndjesia ndaj fjalës së bukur, në tërësinë e formave të saj.
Pas përkthimit nga Tedi Papavrami të veprës në frëngjisht të Kadaresë, një tjetër violinist tenton të përkthejë veprën e shkrimtarit, por këtë herë në italisht.
Bëhet fjalë për muzikantin Beniamin Guraziu, i cili pavarësisht moshës (92 vjeç) dhe përvojës jo të sprovuar në përkthime letrare, guxon të çojë veprën e Kadaresë te publiku italianfolës në të parin përkthim italisht nga origjinali.
Është vepra “Qorrfermani”, libri i përzgjedhur prej tij me sugjerimin e vetë Ismail Kadaresë.
Një veteran i muzikës shqiptare, në Teatrin e Operës dhe Baletit, lidhjet e Guraziut me Italinë dhe gjuhën italiane nuk janë rastësore.
Lexues i pasionuar i veprave të Dante Aligierit e G. Leopardit, adhurues i muzikës së Bahut, Verdit apo Puçinit dhe sonatave italiane, janë me dhjetëra nxënësit që kanë mësuar italishten në mënyrë private prej tij.
Pavarësisht se ai e quan dhe e ndjen veten shqiptar, nuk mund të jetë përvojë e parëndësishme koha e jetuar në Itali.
I lindur në vitin 1923 në Bari të Italisë, ai jetoi në këtë vend deri në moshën 9-vjeçare për të ardhur më pas në Shqipëri. Për t’u larguar më pas sërish në Itali në vitet ’40, kur shkoi për të studiuar si student i mjekësisë.
Në këtë mënyrë, italishtja mund të themi pa frikë se është gjuha e “vendlindjes” së Guraziut, që na bën të besojmë më tepër, se përkthimi i kësaj vepre në italisht vjen në mënyrën e duhur shpirtërore.
Ai ndjehet për më tepër i lidhur me vepën e Kadaresë, komshi i tij, të cilin e falenderon përzemërsisht për lejen dhe besimin e dhënë në këtë ndërmarrje.
Instrumenti i dikurshëm i TOB-it, e ka të vështirë me vitet të ushtrohet në instrument, e ndërsa me bastun në dorë vjen vërdallë në pallat, takon shpesh edhe Kadarenë.
“Pikërisht këto hyrje-dalje në pallat dhe veçanërisht ashensori ishin vendi ku u njohëm nga afër me Kadarenë dhe u miqësova me të. Meqënëse italishten e zotëroj shumë mirë, në këtë rast ishte qejf të përktheja një vepër të Kadaresë me përzemërsinë më të madhe. Kadareja ma dha me afat të pacaktuar që para më shumë se tre vjetësh”, rrëfen Guraziu, ndërsa flet se “Qorrfermani” është në fakt një vepër që i është sugjeruar nga Kadareja, por që ai e gjeti të përshtatshme dhe të dëshirueshme.
Violinisti i TOB, themeluesi i klasës së violës
Kushëri i afërt i pianistit të parë shqiptar, Tonin Guraziu, të ngjan sikur Gurazinjtë e kanë “gjenetike” lidhjen me muzikën.
“Djali i xhaxhait, Tonin Guraziu, ka qenë profesori i parë dhe themelues i shkollës pianistike në Shqipëri. Prej tij jam influencuar shumë e edukuar në pikëpamje muzikore”, nuk mund të rrijë pa përmendur natyrshëm, Beniamin Guraziu, i cili pavarësisht fjalëve të pakta, po ashtu ka me se të krenohet edhe tek vetja.
Është pikërisht ai që ka hapur klasën e violës në Liceun Artistik në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit, derisa u bë përfundimisht pjesë e Teatrit të Operës dhe Baletit.
Ndërsa për vite me radhë ka qenë violinist i parë i operës derisa ka dalë në pension.
Benjamin Kryeziu kujton me një lloj respekti edhe dy profesorët e tij: Ludovik Naraçi dhe dirigjentin Mustafa Krantja.
Fillimisht ai filloi të studiojë violinën në gjimnazin e shtetit me prof. Ludovik Naraçin, profesor i violinës, i diplomuar në Vjenë dhe në Pragë. “Gjimnazi ishte themeluar në 1932-1937 dhe unë fillova të studioj me të në vitin 1937”, kujton Guraziu.
Në fillim angazhohet në radio, pastaj në vitet ‘50, pasi shkrihet Orkestra e Radios ai bëhet pjesë e Okresktrës së sapokrijuar të Filharmonisë Shqiptare. Dhe natyrshëm më pas pjesë e bërthamës së parë të Teatrit të Operas nën drejtimin e dirigjentit Mustafa Krantja.
Ndërsa me Naraçin kujton kohën e gjatë të studimeve dhe mësimit si student, me Krantjen janë të panumërta operat për të cilat kanë punuar: opera italiane apo ruse, “të cilat kanë dashur nivel të lartë dhe me të cilat ka pasur aktivitet të dendur e sukses publik dhe nga publuiku”. Sipas tij, orkesta e TOB është fuqizuar sidomos në kohën e Krantjes.

Google+ Followers