Një vepër shumë e rëndësishme historiografike në duart e lexuesit shqiptar


Doli në qarkullim “Kryengritja e Dervish Carës”nga autori Aleksandar Matkovski, një vepër  shumë e rëndësishme historiografike për një ngjarje të rëndësishme historike të shqiptarëve.
Nga e hëna librin do të mund ta gjeni në libraritë kryesore të Tetovës: Albas,Rilindja,Nobel,Donika,Universi etj,kurse së shpejti libri do të përurohet edhe në Tiranë,Prishtinë dhe Tetovë.


Fjala e përkthyesit                            


Gjëja e parë që mund t’i shkojë ndër mend lexuesit kur të marr në duar këtë libër, sigurisht është pyetja: përse u ripërkthye nga e para? Shih për këtë, e ndjej të arsyeshme të jap sqarimet më të domosdoshme, sa për të plotësuar kureshtjen e lexuesve, sa për të qenë korrekt me vetveten dhe me të tjerët.
Siç dihet, veprën “Kryengritja e Dervish Carës” të historianit vlleh Aleksandar Matkovski, të njohur ndër lexuesit tanë edhe me studimin për stemat shqiptare…, e përktheu dhe e botoi gazetari Lutfi Rusi.[1] Ishte ky botimi i parë i veprës, i bërë në kohën kur Republika e Maqedonisë, si njëra prej 8 njësive federale të Jugosllavisë së AVNOJ-it, qe kapluar nga ethet e shovinizmit të çartur serb që, pas demonstratave të rinisë studentore shqiptare të vitit 1981, kishte marr përmasa gjenocidiste. S’do mend se botimi në kësi rrethanash i  librit që flet për njërën prej kryengritjeve antiosmane me shtrirje më të gjerë gjeografike, kush e di përse të harruar e të lënë anësh nga studiuesit sllavë dhe shqiptarë, ishte më shumë se trimëri, më shumë se heroizëm. Aq më tepër kur dihet se studimi i A. Matkovskit, sigurisht për shkak të lëndës së ndjeshme, nuk kishte mundur të botohet paraprakisht në gjuhën maqedonase, në të cilën u shkruajt dorëshkrimi origjinal i tij.[2] Së këndejmi, mund të merren me mend problemet me të cilat është ballafaquar përkthyesi i veprës, që gjithsesi i ndjejmë të shprehura në botimin e parë të saj:
E para: Vepra është përkthyer vetëm disa vite pas standardizimit të shqipes, në mos dhe përpara kësaj kohe[3], ndaj cilësia e përkthimit, përkundër angazhimit serioz të përkthyesit, në shumë vende e vështirëson të kuptuarit e drejtë të tekstit.[4]
E dyta: Për shkak të gjendjes shumë të tendosur politike dhe histerisë kolektive antishqiptare që kishte mbërthyer Maqedoninë[5], duke e shndërruar në poligonin më të përshtatshëm serb për disiplinimin dhe asimilimin e shqiptarëve, përkthyesi nuk mundi ta botojë veprën në tërësi, përkatësisht, u detyrua ta shkurtojë atë në pika të rëndësishme, duke ia dalur megjithatë që ta bëjë më të mirën e mundshme në një moment tejet të papërshtatshëm historik për botime veprash që hedhin dritë ndoshta mbi betejën më të madhe çlirimtare në gjithë Ballkanin e fundit të gjysmës së parë të sh. XIX; mbi betejën e organizuar e të udhëhequr pikërisht nga shqiptarët e këtyre trojeve, për të cilët, në kohën e botimit të parë të veprës, ulërinin në kor mediat sllave, duke na prezantuar si popull ardhacakë, gjoja të sjellë në këto troje nga turqit me qëllim të uzurpimit të tokave që paskëshin qenë denbabaden të tyre!? Kuptohet: botimi i veprës së A. M. binte ndesh me qëndrimet zyrtare, sepse një kryengritje përmasash të papara e shtrirë që nga Dibra e gjer në Vrajë nuk mund t’u përshkruhej “ardhacakëve”, të paraparë për satanizim dhe zhveshje nga virtytet njerëzore, autoktonia dhe çdo lloj e drejte trashëgimore mbi trojet e tyre…;
E treta: Për të shmangur gërshërët dhe persekutimet zhdanoviste të sistemit diktatorial, përkthyesi u detyrua të autocensurohet, duke e dëmtuar monografinë në linjat kyçe. Bie fjala, në vend të fjalës çlirim, ai përdori fjalën: pushtim, kështu që në vepër, në vend të titujve: Çlirimi i Tetovës, Shkupit, Prishtinës, Vrajës…, janë përdorur titujt: Pushtimi i Tetovës, Shkupit, Prishtinës, Vrajës…, që e bëri veprën joserioze, sepse i binte sikur kryengritësit shqiptarë ishin ngritur të luftojnë, jo në vendbanimet e tyre shekullore, po diku në Anadolli.
E katërta: L. Rusi ka lënë pa përkthyer në shqip (mbase është detyruar ta bëjë këtë në bashkëpunim me autorin e dyshimtë për sistemin monist) shumë faqe të dorëshkrimit origjinal të veprës, duke e cunguar e bërë gjysëmlibër që përcjell tek publiku gjysëmtëvërteta…
E pesta: Për shkak të propagandës së shfrenuar anti-shqiptare, L. R. la pa përkthyer disa pjesë të dorëshkrimit origjinal, që kishin të bëjnë me keqbërje individësh shqiptarë mbi pjesën e popullatës së krishterë të viseve të përfshira në trazira. Ma thotë mendja se këtë e bëri me idenë që ta kursejë sado pak popullin e tij nga mashtrimet që, në kohën e botimit të veprës, mund të merreshin si “dëshmi” plotësuese për gjoja shpirtin gjenocidist të shqiptarëve…[6]
E gjashta: Pjesë të caktuara të përkthimit/ botimit të parë në shqip, nuk ekzistojnë në faqet e dorëshkrimit origjinal të A. M. Ato thjesht, janë shkruar/ shtuar nga përkthyesi L. R., i cili, sigurisht për të shmangur keqkuptimet e lexuesve, u përpoq të plotësojë dhe sqarojë disa çështje që lidhen me të vërtetat e njohura të shqiptarëve dhe trojeve të tyre…;
E shtata: Vetë autori i dorëshkrimit origjinal “Kryengritja e Dervish Carës”, është detyruar, thënë më butë, të ngatërrojë disa gjëra dhe të mjegullojë disa të tjera…, më së shpeshti duke këmbyer e ndërlidhur realitetet e kohës së shkrimit të studimit me ato të kohës së kryengritjes masovike të shqiptarëve. Kështu, në pamundësi për ta thënë të vërtetën lidhur me aleancën e pashpallur turko-sllave kundër kryengritjes së Dervish Carës, ai përpiqet ta zbusë këtë me pjesëmarrjen masive në kryengritje të torbeshëve, atyre që i quan “maqedonas muslimanë”.[7] Po t’mos ishte kështu, nuk do të mbetej vepra gjer më sot e pabotuar në gjuhën maqedonase, në të cilën janë shkruar penegjerikë të njohur për kryengritje përmasash minore antiturke...;
E teta: Për shkak të rrethanave krejtësisht të pamundshme për botimin e monografisë, kompromiset me të pathëna të A. M. diktohen nga hëna. Bie fjala, ai, edhe pse një historian me nam, përveç raporteve të konsujve të huaj (anglezë, francezë, rusë…), të cilët njoftonin në vazhdimësi për gjithë rrjedhën e kryengritjes së Dervish Carës, duke shpërfaqur katërcipërisht betejën e denjë që bënë shqiptarët kundër pushtuesve otomanë dhe kundër përkrahësve të tyre sllavë, detyrohet të citojë aty-këtu deklarata krejtësisht të paverifikuara e me plot defekte gjuhësore të pleqve e plakave të krishtera, që flasin për krime monstruoze të kryengritësve, të cilët, merreni me mend, i paskan djegur e dhunuar publikisht në mes të fshatrave[8] dhe i paskan detyruar të islamizohen!?[9]
E nënta: Autori i dorëshkrimit origjinal në maqedonishte për shkaqet e sipërpërmendura, detyrohet të citojë edhe deklaratat tendencioze dhe të paverifikuara shkencërisht të priftërinjve serbë, sipas të cilave kryengritësit vetëm në manastirin e Deçanit të Kosovës kanë vrarë me dhjetëra kallogjerë e priftërinj të pafajshëm ortodoksë. Natyrisht, në pamundësi për ta tjerrë gjer në fund të vërtetën, A. M. nuk e thotë se të sipërpërmendurit ishin në anën e turqve si palë luftuese dhe se vrasja e tyre (nëse ka ndodhur vërtet dhe nëse kjo nuk qe pjesë e propagandave të njohura mashtruese serbe…)[10] u bë në përballjen e armatosur të kryengritësve me artilierët turk dhe aleatët e tyre - personelin e manastirit të Deçanit, i cili ua lejoi turqve të pozicionohen në brendinë e tempujve fetarë, vendbanimeve dhe lagjeve të tyre, për t’ua lehtësuar betejën me shqiptarët e armatosur me armë të lehta…[11]
E dhjeta: Për vështirësitë e A. M. flet dhe pjesa e fundit e studimit “Kryengritja në folklorin e Ballkanit”, ku, për arsye të njohjes më të mirë të folklorit maqedonas, apo ndoshta për arsye të lehtësimit të botimit të studimit, autori i vendosi sërish në të njëjtën shkallë meritat e popullsisë sllave me ato shqiptare, duke bërë një ministudim disafaqësh mbi këngët popullore sllave kushtuar kryengritjes së Dervish Carës. Kësisoj, A. M., mbase vetëm për censorët/ persekutorët e idiotëzuar të sistemit monist, relativizoi pro forma meritat ekskluzive shqiptare të kësaj kryengritjeje të madhe antiturke, duke i kushtuar vëmendje shumë më të vogël krijimtarisë gojore të shqiptarëve mbi këtë ngjarje të madhe. Megjithatë, për lexuesin e vëmendshëm që lexon “nga gjethet tek rrënjët”, edhe kjo është plotësisht e kuptueshme dhe duhet parë vetëm në kontekstin e një koheje të mynxyrtë.
Në këto përsiatje hyrëse po ndalem fare shkurt në meritat e jashtëzakonshme të autorit Aleksandar Matkovskit dhe përkthyesit/ botuesit të parë të veprës në gjuhën shqipe – Lutfi Rusit:
- A. M. është historiani/ shkencëtari i parë serioz që, në mënyrë boll korrekte, vin të rrëfejë për Kryengritjen e madhe antiosmane të shqiptarëve.[12] Meritat e tij dalin edhe më shumë në pah kur të kihet parasysh e dhëna se ai si joshqiptar[13] guxoi të shkruajë me dashuri për një ngjarje të lavdishme historike të shqiptarëve, në një kohë diabolizimi të skajshëm e të rrezikshëm të imazhit tonë…;
- Ndërkaq, meritat e përkthyesit/ botuesit të parë të veprës në shqip Lutfi Rusit, janë ndoshta edhe më të mëdha, sepse libri doli në dritë në njërën prej stinëve më të acarta antishqiptare, kur gjithë qenia jonë ishte rrëgjuar në heshtjen dhe pritjen e frikshme të asaj që do të sillte e nesërmja. Këtë meritë të madhe nuk e zbehin për asgjë të vetme as lëshimet e sipërpërmendura, sepse ngjarjet duhet parë me syrin e kohëve të tyre. Botimi i parë shqip i kësaj vepre madhore, ka qenë njëri ndër aktet më burrërore e më të guximshme të tërë një plejade njerëzish të ndjekur këmba-këmbës nga mizëria e zagarëve të sistemit, ndaj, më duket njerëzore të pohoj se: personalisht, përulem përpara guximit të këtillë.[14]
Përndryshe, përkthimi/ botimi i parë i këtij libri ishte sihariqi më i madh kulturor për shqiptarët e këtij krahu, sepse askush nuk dinte gjë për kryengritjen madhështore që kishte ndodhur mes nesh dhe nga njerëzit tanë.
Akti i daljes në dritë të kësaj vepreje, që ndodhi në kohën e mohimit dhe përbuzjes fashizoide të orientuar me sistem ndaj një etnie; akti i përkthimit/ botimit të studimit që vin të shpërfaqë përpjekjen e madhe çlirimtare të shqiptarëve, të ndodhur pikërisht gjatë viteve kur, sipas armiqve tanë, ne na paskan sjellur turqit në këto vise, nëse hiq tjetër, qe përgjigjja më shtanguese për albanofobët dhe shkencëtarët mjeranë, të cilët duhet ta kuptojnë sekryengritja, që mobilizoi 200.000 burra shqiptarë dhe zgjati më shumë se 3 vjet (1844-1847), nuk ka mundur të organizohej nga një popullatë ardhacake dhe e pakonsoliduar sa duhet brenda një hapësire gjeografike.[15] Botimi i parë i këtij libri është nokdaun vetëdijesues për të gjithë ata që shkumojnë post festum për idilat e paqena të së djeshmes (të shqiptarëve me pushtuesit e huaj), të cilët duhet ta kuptojnë se me injorancën e tyre, në fakt pështyjnë inteligjencën dhe gjakun e stërgjyshërve krenarë që nuk i duruan kollaj nëpërkëmbjet e dinjitetit… Akti në fjalë është njëkohësisht dhe qortimi më dashamirës dhe më dobiprurës për shkencëtarët tanë, të cilët, në vend të humbjes së energjive me spekulimet e të tjerëve, në vend të bërjes së karrierës me llafe dhe me të vërteta triviale, duhet të gjurmojnë arkivave të vërtetat historike të shqiptarëve të këtyre trevave, me çka do të mbyllej kapitulli i poshtërimeve dhe mohimeve të vazhdueshme të bëra mbi kurrizin e etnisë sonë fatkeqe
Më duhet të sqaroj se përkthimi/ botimi i Lutfi Rusit më ka hyrë në punë vetëm  për konsultimin e 10-15 termeve e shprehjeve turke dhe, aty-këtu, për saktësimin e emrave të disa vendbanimeve të panjohura për mua, në mënyrën si i ka përdorur autori i veprës A. M. Prej përkthimit të parë kam huazuar (pasi e kam rregulluar dhe pastruar gjuhësisht…) dhe fjalorin 2-3 faqesh të fjalëve dhe shprehjeve turke, i cili me gjasë është përpiluar nga Lutfi Rusi, duke qenë se nuk ekziston as si shtojcë në dorëshkrimin origjinal të veprës.
Ndërkaq, përveç pjesëve të papërkthyera në botimin e parë dhe përpjekjes për të saktësuar në aspektin gjuhësor e përmbajtjesor fjalë e pjesë të caktuara të veprës, kam sjellë dhe rezymenë në gjuhën frënge, që është shtojcë e dorëshkrimit origjinal dhe përmbajtjen e plotë të lëndës së veprës, që, shpresoj, do ta lehtësojë leximin e saj.
Sa i takon përkthimit të ri, jam përpjekur të ruaj, me aq sa kam pasur mundësi, origjinalitetin e gjuhës që përdori A. Matkovski, gjithnjë i vetëdijshëm se më janë përvjedhur dhe mua lëshime të caktuara, për çka i kërkoj ndjesë lexuesit, duke i premtuar se të njëjtat do t’i evitoj me rastin e ndonjë botimi të dytë eventual.
Fare në fund, ndjej nevojën e parezistueshme që të falënderoj nga zemra miqtë e mi të shtrenjtë, pa të cilët nuk do të finalizohej projekti që keni në duar. Para së gjithash falënderoj:
-shkrimtarin dhe dramaturgun e shquar – Xhabir Ahmetin, njeriun i cili ma dha idenë e parë për nevojën e ripërkthimit/ ribotimit të kësaj vepre tejet të rëndësishme për historiografinë dhe kulturën shqiptare…;
-përkthyesen dhe intelektualen Poliksena Matkovska (bashkëshorten e autorit të ndjerë të veprës), e cila pati mirësinë që t’ma besojë për një shumë simbolike të drejtën e botimit të këtij studimi;
-komunën e Tetovës dhe drejtuesit e saj, të cilët, në vitin 2005, më mirëkuptuan dhe e ndihmuan blerjen e të drejtës së botimit të veprës;
-profesorin dhe piktorin e mirënjohur – Miftar Memetin – autorin e pikturës së ballinës së librit;
-maestron e dizajnit – Ngadhnjim Mehmetin;
-poetin, shkrimtarin e studiuesin e shquar – Salajdin Salihin, i cili e bëri radhitjen kompjuterike të librit;
-shtypshkronjën ArbëriaDesign, që tregoi përkujdes dhe profesionalizëm të veçantë për realizimin e projektit tonë dhe, natyrisht:
-kompaninë me renome të madhe ndërkombëtare ECOLOG, që mbuloi në tërësi shpenzimet e përkthimit dhe shtypit të librit.

Fatmir Sulejmani



[1] Libri u botua ga “Flaka e vëllazërimit”, Shkup, 1985.
[2] Studimi nuk është botuar akoma në gjuhën maqedonase, sepse të dhënat e tij bien ndesh me të dhënat e gënjeshtërta të antishqiptarëve të  njohur si  ristevskët e popovskët.
[3] Nuk kemi të dhëna rreth vitit të saktë të përkthimit të veprës në fjalë…
[4] Në cilësinë e përkthimit ka ndikuar edhe gjuha jo shumë korrekte e dorëshkrimit origjinal, sepse vepra  nuk është botuar akoma në maqedonishte dhe për pasojë nuk i është nënshtruar një redaktimi dhe lekturimi profesional, që sigurisht do ta lehtësonte përkthimin.
[5] Vitet e ’80-ta ishin vite kur në Maqedoni u zbritën në shkallë mizerje të drejtat e shqiptarëve - kur prej etnisë shtetformuese u degraduam në pakicë kombëtare; na u mohua përdorimi i simboleve kombëtare, i fituar pas rënies së Rankoviqit famëkeq në Plenumin e Brioneve (1966); u cungua përdorimi i gjuhës shqipe përmes përdhosjes së toponimisë shqiptare…; u suspendua gati në tërësi shkollimi i mesëm në gjuhën shqipe përmes të ashtuquajturave “paralele të përziera”, në të cilat vetëm për shkak të një nxënësi maqedonas, i tërë procesi mësimor zhvillohej në maqedonishte; u përjashtuan nga puna mijëra arsimtarë e profesorë, mjekë e inxhinierë… shqiptarë, nën akuzën se ishin irredentistë e separatist…; u “përpunuan”nëpër kazamatet e UDB-së mijëra të rinj shqiptarë, të cilëve paskëtaj nuk u mbetej udhë tjetër përpos braktisjes së vendlindjes dhe trojeve të tyre etnike etj., etj.
[6] Petar Popovski, autori i budallallëqeve për gjoja Skënderbeun maqedonas, edhe sot na quan publikisht: komb gjenocidist, pa ofruar asnjë të dhënë për të dëshmuar shpifjen monstruoze, për të cilën, në një shtet normal e të civilizuar, do të përfundonte në burg.
[7] Në këtë rast, A. M. shfrytëzoi shpikjen e njëfarë Nijazi Limanovskit, që  e kishte zakon ta ndërrojë mbiemrin varësisht nga stina politike (gjatë viteve të ’80-ta është shkruar për prirjen e këtij njeriu shumemërsh: Nijazi Limani, Nijazi Liman, Nijazi Limanoviq, Nijazi Limanovski…), i cili u përpoq të abuzojë me origjinën e popullatës që me këmbëngulje vazhdon ta quajë veten: t o r b e s h e. Është fjala për banorët e dy katundeve të Malësisë së Tetovës (Urviçit dhe Ollovjanit), që vërtet flasin një lloj maqedonishteje të përzier me serbishte, por, për çudi, këngët nëpër dasmat e synetisë, këngët e fejesave dhe martesave i këndojnë Shqip. Po në këtë gjuhë ata i vajtojnë/ rendejtin dhe të vdekurit e tyre…
[8] Dhunën ekstreme që gjoja e paskan bërë kryengritësit shqiptarë ndaj popullatës së krishterë sllave e demantojnë më së miri raportet e disa konsujve të huaj të vendosur në rajonet kryengritëse, veçmas raportet e konsullit anglez Henri Lejardit, te vetmit qe kontaktoi me kryengritësit dhe me prijesin e tyre Dervish Carën, të vetmit që i shoqëroi ekspeditat ndëshkuese kundërshqiptare të gjeneralit renegat Omer-pashë Llatasit…
[9] Historikisht shqiptarët njihen si kombi më tolerant në aspektin fetar (natyrisht, kjo nuk përjashton rastet e veçuara të individëve ekstremë që nuk e përbëjnë dukurinë…). Nëse është kështu, si ka mundësi që ata të synonin islamizimin në një periudhën e shkurtë kohore kur prisnin me ankth ndeshjen e përgjakshme me ushtritë e sulltanit?! Se bëhet fjalë për mashtrime flet vetë dëshmia e një të tilli, i cili pohon se, ata që nuk e pranonin islamin shqiptarët i digjnin me kashtë, që paskësh qenë e njohur si materie e ngadalshme djegëse, me qëllim të shkaktimit të vdekjeve sa më të ngadalshme e sa më të dhembshme!?
[10] Ish kryetari dhe shkrimtari i njohur serb Dobrica Qosiq e ka shkruar e zeza mbi të bardhë se gënjeshtra është pjesë e natyrshme e filozofisë serbe…
[11]Lidhur me propagandat dhe gënjeshtrat për gjoja krimet e kryengritësve mbi të krishterët sllavë, po sjellim në vijim edhe pikëpamjet e autorit të monografisë, kurse më pas dyshimet e hapura të disa konsujve të cituar në vepër: A. Matkovski: “Gjithë këto burime duhet të merren me një rezervë, sepse vijnë nga peshkopët fanatikë - priftërinjtë dhe konsujt e huaj… Nuk duhet harruar se edhe shtypi turk i asaj kohe ishte me orientim antikryengritës dhe antishqiptar, shtyp në të cilin i mbështetnin informatat e tyre konsujt e huaj dhe i cili kishte për qëllim informimin e gënjeshtërt të opinionit turk dhe botëror, duke hiperbolizuar e prezantuar si krime monstruoze keqbërjet e zakonshme në kohëra luftërash. Është e vërtetë gjithashtu se raportet ishin tendencioze dhe të ekzagjeruara, me qëllim të diskreditimit të kryengritësve. Informacionet tendencioze i përhapte pushteti turk dhe shtypi turk, peshkopët e ndryshëm, priftërinjtë dhe konsujt, të cilët gjithashtu kishin qëndrim negativ ndaj kryengritësve…”; Konsulli francez: “Jam i bindur se ka ekzagjerime”[11]Konsulli austriak: “Shqiptarët nuk janë fanatikë fetarë, ata e duan vetëm paqen… Edhe përkundër të dhënës se në disa vende ka ngatërresa, nuk duhet besuar lajmeve të ekzagjeruara prej atyre që i ngjyrosin’ ngjarjet, gjoja popullata e krishterë po keqtrajtohet. Kështu, peshkopi grek nga Shkupi, i cili gjendet në Selanik, përhapi në publik lajme të rreme, prandaj u qortua seriozisht nga Ali Riza-pasha, i cili ka ardhur me mision në këto vende dhe i cili i demantoi lajmet e rreme”; Konsulli anglez – Lejardi (dëshmitari më serioz i ngjarjeve që lidhen me kryengritjen e Dervish Carës), pasi pranon se: “Si zakonisht, raportet e këtilla ishin të ekzagjeruara dhe ndoshta të pabazuara fare”, sjell reagimin e vetë kryengritësve në këto shpifje: “Prijësit protestonin të fyer duke thënë se nuk kishte asgjë të vërtetë në ato lajme, sepse gjithçka ishte shpifje e armiqve të tyre Turqve, me qëllim të dëmtimit të kauzës së tyre dhe të ndërsimit të urrejtjes nga ana e vendeve evropiane. Ata deklaronin se, me përjashtim të tatimeve të mbledhura që nga koha e vënies nën kontroll të rrethit, për të cilët besonin se janë legjitime, ndaj dhe i mblidhnin prej njerëzve të të gjitha shtresave dhe besimeve, në asnjë mënyrë nuk janë ndeshur me të krishterët të cilët ishin vëllezërit e tyre dhe të cilët nuk janë shqetësuar kurrë për shkak të besimit të tyre...”

[12]Bie fjala, A. M. nuk e përmend asnjëherë Kosovën brenda kontekstit të shtetit serb, që, në kohën e kryengritjes së Dervish Carës e kishte fituar autonominë e njohur brenda kufijve të Turqisë evropiane. Në këtë vepër Kosova përmendet si subjekt i veçantë, i barabartë me Serbinë…

[13] Sipas të gjitha gjasave, A. M. është me origjinë vllahe…
[14] Kjo harresë hap vetvetishëm parantezën e dhunës dhe shpëlarjes sistematike të trurit të shqiptarëve nga ana e të gjitha regjimeve satrape, me çrast mbi ta është ushtruar shpesh “seça” (prerja) e kokave më të mençura (sipas modelit të elaborateve të njohura  gjenocidiste serbe…), me qëllim të zhdukjes së Prometejëve që, në momente të caktuara, janë të pritur ta vetëdijësojnë kombin mbi situatën e mjerë në të cilën janë katandisur…
[15]“Shqiptarët, shkruan A. M.,  nuk ishin ardhacakë nga Anadollia, si Turqit. Ata, që nga lashtësia, ishin në atdheun e tyre të varfër për nga pasuritë natyrore, por të cilin e mbronin me xhelozi. Pavarësisht nga e dhëna se një pjesë e Shqiptarëve e pranuan islamin, ata i ruajtën edhe ‘adetet’ e hakmarrjes dhe ndjenjën për mbrojtjen e nderit të bashkësisë së tyre”.



Google+ Followers