NË ISHULLIN E PAEMËR




Irena Gjoni 

Jam në ishullin tim të paemër,
me maja e magmë dallgësh,
ku fatitë e fatet vallëzojnë
në ritin e pagëzimit,
të larjes katartike
me valë e shkumë.

Ku brenga nanuris të flejë
në një varkë diku
atje tej të harruar,
ku Joni e rrethrrotullon
pareshtur si një fluger,
në ngrënie të vetvetes
të ishullit të paemër.

E shpirti sërish në rit,
kërkon një breg.
Për far
është fikndezja e një xixëllonje.
Çasti midis
dy përndritjeve të shkëndijta,
fanitet si jehonë Feniksi,
si pushim Sizifi…

Kalëroj me krahë Pegasi
nëpër majën e shpirtit tënd,
kur ti lundron
nëpër një luginë me mjegull e re,
për t’u takuar aty ku barka ankorohet,
edhe pse furtunë,

përjetësisht në bregun prehër të blertë,
ku shtojzovallet heqin valle drite,
me hirin e dashurinë
e nuseve të ujërave shkumë...

Google+ Followers