Li Bai dhe Du Fu, poetët pianukë më të dashur të Kinës

Nëse shkon të ndalosh njerëzit çfarëdo në rrugë dhe i pyet se cila ishte dinastia më madhështore në historinë e Kinës, nëntë nga dhjetë vetë do të përgjigjen se ishte dinastia Tang
Hëna simbolizon gjithashtu poezinë dhe ëndrrat, pra përputhet dhe ka një rol në vdekjen e Li Bai-t, legjenda thotë se ai u mbyt në një lum, ndërsa përpiqej të përqafonte refleksin e Hënës
“Ai ishte qartë një pijedashës… dhe ka shumë gjasa që ka qenë tërësisht tapë kur shkroi disa nga poezitë e tij më të mira. E ke parasysh, ai është i egër dhe i shoqëruar me një lloj festimi të shfrenuar”

Poetët pianukë më të dashur të Kinës

Carrie Gracie, BBC



Du Fu


Dy poetët më të pëlqyer të Kinës lindën 1300 vjet më parë, në fillim të shekullit të tetë. Gjuha ka ndryshuar kaq pak sa edhe sot poezitë e tyre mbeten të lehta për t’u lexuar nga populli kinez dhe temat e tyre janë sërish të rëndësishme – nga miqësia te dashuria e panorama, si dhe qelbja e korrupsionit politik.
Kaiser Kuo, themeluesi i bandës së parë kineze “heavy-metal” është ndoshta një nga të paktët muzikantë rok në të gjitha vendet, që e merr frymëzimin nga një poet i lindur më 701 PK.
“Ai ishte qartë një pijedashës… dhe ka shumë gjasa që ka qenë tërësisht tapë kur shkroi disa nga poezitë e tij më të mira. E ke parasysh, ai është i egër dhe i shoqëruar me një lloj festimi të shfrenuar dhe kjo është pjesë e arsyes pse e dashuroj atë”, thotë Kuo.
Ai po flet për Li Bai-n, një poet i lindur në Azinë Qendrore, i cili u bë ylli i përçart i Kinës, i njohur si “i pavdekshmi i rënë” ose “i pavdekshmi i verës”.

Kjo besohet se eshte kaligrafia e vetme origjinale e Li Bait qe ekziston sot







Banda e Kuos u bashkua më 1988-n kur Kina sapo kishte dalë nga izolimi dhe po përballej me periudhën e dashurisë dhe urrejtjes me kulturën e huaj. Me humor therës dhe me flokë të gjatë, djemtë i dhanë emrin bandës së tyre “Dinastia Tang” si një përkujtim të kësaj periudhe të mirë për artin, kohë kur jetoi edhe Li Bai.
“Nëse shkon të ndalosh njerëzit çfarëdo në rrugë dhe i pyet se cila ishte dinastia më madhështore në historinë e Kinës, nëntë nga dhjetë vetë do të përgjigjen se ishte dinastia Tang. Një pjesë e arsyes për këtë, është sepse ajo ishte me të vërtetë një periudhë simbol i kozmopolitanizmit. E ke parasysh, kishte një farë lloj fetishizmi për gjërat e huaja në atë kohë”, thotë Kuo.
“Dhe ishte pikërisht për shkak të kësaj prirjeje për hapje, kësaj përtypjeje të ideve të huaja, përfshirë religjionet si Budizmi, tek artet e huaja që unë besoj se njerëzit do të kuptojnë se një bandë që punon tërësisht në një art të huaj dhe që e quan veten ‘Dinastia Tang’, synon të përfaqësojë këtë frymëzim.”
Çdo kinez i mëson poemat e Li Bai-t dhe poetit tjetër të parapëlqyer të vendit, Du Fu, që në fëmijëri.
Li Bai shikon te Hëna – dhe te fundi i një gote vere – për frymëzim.
“Ata janë po aq të rëndësishëm për historinë e letërsisë kineze sa është edhe Shekspiri për banorët e Britanisë”, thotë Yuan Haiwang, autori i librit “Kjo është Kina në 5 mijë vitet e para”.
“Mbaj mend kur fëmija im ishte vetëm një foshnjë që mbahej në krahë, unë fillova t’i mësoj atij disa poema, siç bën çdo prind në Kinë, megjithëse natyrisht, nuk i mbaj mend dot të gjitha. Po kjo është çfarë bëjmë ne kinezët.”
Si një kinez që jeton në Amerikë, shumë larg shtëpisë, Yuan pëlqen veçanërisht një poemë të Li Bai-t mbi Hënën:
Hëna përballë krevatit tim
M’u duk si ngricë në Tokë
Ngrita kokën, pashë Hënën e malit
E ula kokën dhe mendova për shtëpinë.
“Hëna në Kinë ka një kuptim special. Dhe kur ajo është e plotë, atëherë përfaqëson plotësimin dhe ribashkimin e familjes”, thotë Yuan. “Pra kjo poemë ma mbush shpirtin sa herë që më mungon familja.”
Hëna simbolizon gjithashtu poezinë dhe ëndrrat, pra përputhet dhe ka një rol në vdekjen e Li Bai-t, legjenda thotë se ai u mbyt në një lum, ndërsa përpiqej të përqafonte refleksin e Hënës.
“Sipas të gjitha gjasave, ka qenë tapë”, thotë përkthyesi Burton Watson. “Ai ishte tapë në pjesën më të madhe të kohës.”
Portretet e Li Bai-t shpesh e tregojnë atë me një veshje të gjatë të bardhë, duke i ngritur gotën e tij të verës Hënës.
Sot besohet se ekziston vetëm një kaligrafi origjinale e Li Bai-t që ka mbijetuar.
Të qenët pijedashës nuk kishte një kuptim negativ për një poet të shekullit të tetë, pasi konsiderohej si një mënyrë për frymëzim hyjnor. Li Bai dhe Du Fu qenë që të dy pijanecë të mëdhenj, megjithëse pjesa tjetër e jetës së tyre ishte shumë e ndryshme.
Li Bai, një njeri i famshëm, i bombarduar me nderime për shkak të gjenialitetit të tij. Nga ana tjetër, Du Fu aspiroi për një karrierë si nëpunës publik, por dështoi në provim dhe ishte shumë trazovaç për të krijuar rrjetin e nevojshëm të interesave për të kapur një pozicion të mirë.
Pastaj erdhi një rebelim i udhëhequr nga gjenerali An Lushan, që solli tetë vite luftë civile. Du Fu u arratis nga kryeqyteti Tang, Xiani, por u kap dhe u detyrua të sorollatej si një emigrant dhe azilant deri sa gjenerali rebel u vra nga i biri dhe të gjithë u lejuan të kthehen në shtëpi.
Pas kësaj, ai më në fund kapi një post zyrtar në qeveri… por jo për shumë kohë. Burton Watson shpjegon:
“Ai mori një pozicion zyrtar, por menjëherë bëri diçka për të mërzitur perandorin apo foli tepër hapur për probleme shoqërore, në mënyrë të përsëritur, duke shkruar poema që qenë kritike ndaj regjimit. Dhe rrjedhimisht u mënjanua nga pozicioni zyrtar.
Du Fu e shpjegon këtë në një nga poemat e veta:
Pervers nga natyra, unë jam adikt nga vargjet e bukura
Nëse fjalët e mia nuk befasojnë njerëzit, unë nuk do të dorëzohem deri sa të vdes
Në vitet e fundit të jetës, Du Fu ishte aq i varfër, sa një nga fëmijët e tij vdiq nga uria.
Ai shkroi edhe poezi të famshme mbi një stuhi që mori me vete çatinë e kasolles së tij, e dërgoi atë përtej lumit në majë të pemëve, duke bërë që shiu të binte mbi krevatet e fëmijëve të tij. Du Fu shkruan se ai nuk mund të flejë dhe bie në meditime mbi padrejtësitë e jetës.
Pastaj, nga fundi i poemës ai ka një vizion:
Nëse arrij të gjej një pallat me mijëra, dhjetëra mijëra dhoma,
Një strehë të madhe për të gjithë dijetarët e botës, së bashku me gëzim,
Të fortë si mali, stuhitë nuk mund ta lëvizin atë.
Ah sikur të mund ta shoh këtë shtëpi para meje,
Do të vdisja me qejf nga i ftohti në kasollen time të rrënuar!
“Ne vazhdimisht flasim mbi këtë varg”, thotë Xun Zhou, një historian i Universitetit të Hong-Kongut, i cili u rrit në këtë pjesë të Kinës jugperëndimore ku jetoi edhe vitet e fundit të jetës poeti Du Fu.
Në fakt, ajo dhe shumë kinezë të tjerë, jo vetëm flasin për këtë poezi, por krijojnë edhe batuta ironike, thumba mbi korrupsionin dhe shefat.
“Ata shpesh e transformojnë vargun – ‘Papritur, pashë një pallat që u shfaq para meje – dhe babai im duhet të ketë pesë dhoma atje.’”
Morali i shakasë është se zyrtarët kujdesen për veten dhe familjen e tyre shumë mirë.
Unë pyeta disa njerëz që ishin rehatuar një mbrëmje të ngrohtë në brigjet e liqenit të Pekinit mbi mendimet e tyre për poezinë.
Kur i pyeta nëse ata kishin ndonjë poet të parapëlqyer bashkëkohor, ato nuk patën asgjë për të thënë. Njëri prej tyre shpjegoi se njerëzit nuk kanë shumë kohë për poezi në ditët tona.
Por shumica e tyre qenë ende në gjendje të recitonin poezitë e Li Bai dhe Du Fu, të cilat i kanë mësuar në fëmijëri dhe qenë të vendosur se edhe fëmijëve të tyre do t’i recitonin po ato poezi, të cilat vijojnë të përbëjnë shpirtin e këtij qytetërimi tashmë që prej 13 shekujsh.

Dinastia Tang
Dinastia Tang sundoi Kinën nga 618 më 907
Kryeqyteti i saj Xian ishte i populluar me tregtarë, murgj dhe përfaqësues diplomatikë, ndërsa Rruga e Mëndafshit transportonte mallrat kinezë deri në Siri dhe në Romë.
Pati një lulëzim marramendës të arteve – poetë të tjerë të njohur të kohës janë Wang Wei, Cui Haoi dhe Zhang Jiuling – ndërsa piktura, skulptura dhe kaligrafia lulëzuan gjithashtu.
Banda muzikore rok “Dinastia Tang” me vetëdije ia dedikon emrin kësaj epoke të krijueshmërisë artistike.

Rebelimi i An Lushan
An Lushan ishte një gjeneral, i cili u ngarkua me detyrën për të luftuar nomadët, por në fakt i ktheu ushtritë e tij kundër Perandorit Xuanzong.
Perandorin e zuri paniku dhe u arratis nga kryeqyteti, ndërsa mbështetësit e tij ia hodhën fajin konkubinës së tij të parapëlqyer, Yang Guifei, për të gjitha problemet. Perandori, me zemër të thyer, dha urdhër që ajo të mbytet.
Yang Guifei kishte një histori të shkuar të komplikuar, pasi ishte martuar me një djalë të perandorit. Ajo ishte edhe priftëreshë Taoiste, si dhe nëna adoptuese e An Lushanit…
Kështu, për shkak të rivalitetit të jashtëzakonshëm brenda oborrit, vendi u zhyt në kaos nga 775 në 763.
Në fund, An Lushan u vra nga i biri.

Du Fu mbi luftën
Karrocat gjëmojnë dhe rrokullisen, kuajt hingëllijnë dhe turfullojnë,
Rekrutët kanë të gjithë harqe dhe shigjeta në gjokset e tyre.
Prindërit, gratë dhe fëmijët nxitojnë t’i shohin ata duke u larguar,
Kaq shumë sa pluhuri ngrihet në qiell dhe fsheh urën Xianjang.
Ata veshin rrobat, mbërthejnë këmbët dhe, duke qarë, nisin rrugën,
Rënkimet e qarjes ngrihen përpjetë dhe godasin retë.

Oborri perandorak dhe poetet


Li Bai shikon te hena dhe te fundi i gotes se veres




Google+ Followers