Fan Noli, Pavarësia dhe Ismail Qemali

MOIKOM ZEQO


MOIKOM ZEQO
Shpallja e pavarësisë së Shqipërisë më 28 Nëntor 1912 pati një jehonë të jashtëzakonshme. Ishte akti juridik më i madh i shqiptarëve në të gjitha kohërat, themelimi i shtetit modern shqiptar, që kemi deri më sot.  Një nga kryeprijësit e Lëvizjes  Kombëtare, eruditi i madh, shkrimtari dhe politikani Fan Noli, gjendej në Londër të Anglisë kur mori vesh shpalljen e pavarësisë në Vlorë.  Ai i dërgoi menjëherë Ismail Qemalit këtë telegram: “Telegram Ismail Qemalit/ Londër 06.12.1912, Ju përgëzoj për veprën tuaj patriotike. Rroftë Shqipëria! Rroftë kabineti i ri! Fan Noli”.

Brenda qenies së Fan Nolit shpërtheu drita dhe vizioni për të ardhmen e Shqipërisë. Por Fan Noli, si një mendje e gjithanshme, njohës i politikës europiane të kohës, e dinte mirëfilli se njohja e pavarësisë së Shqipërisë do të ishte, megjithatë, një proces i ndërlikuar për kancelaritë politike të mëdha.

Disa ditë më vonë Fan Noli i dërgon një letër Ismail Qemalit, letër që përbën një dokument autentik të atmosferës së ndezur të kohës.

Në këtë letër Fan Noli e vë në dijeni Ismail Qemalin se ishte njohur me dy kampionë të çështjes shqiptare në fushën e gazetarisë londineze, me Luacien Volf dhe Charles Wools. Gazetari i parë ishte një hebre me famë europiane, i botonte artikujt në “Daily Graphic” i specializuar për problemet ballkanike. Për të Noli shënon: “Nisi të mbrojë shqiptarët në një kohë kur asnjeri s’guxonte të fliste mirë për ta”. Tjetri: Charles Woods, anglez, përshkruhet si një burrë i gjatë, i bukur dhe i hijshëm “me një hundë si të Skënderbeut”, ishte konsulli i Anglisë në Anadoll, por e la karrierën diplomatike dhe u hodh në fushë të gazetarisë, kishte udhëtuar në Shqipëri dhe kishte botuar shumë artikuj shqiptarofil në “Evening News”. Fan Noli kishte grumbulluar të gjithë artikujt e këtyre gazetarëve dhe do t’ia dërgonte Ismail Qemalit. Për njohjen e pavarësisë së Shqipërisë Fan Noli kishte shkuar edhe në “Foreign Office” dhe në të gjitha ambasadat që ndodheshin në Londër. Pas kësaj letre, e cila mbaronte me fjalët “Rrini me shëndet, u pjekshim në Shqipëri”, Fan Noli, në ditët e fundit të dhjetorit 1912, shkruan dhe letrën e mëposhtme, të cilën po e botojmë të plotë:
“The Norfolk Hotel

Surrey Street

Strand. W. C
Dhjetor 1912 – shkurt 1913

Fort të Nderçmit

President të Guvernës Provizore të Shqipërisë

Ismail Qemal Beut

Në Vlorë
Fort i nderçim Zot,

I dërguar si delegat i Shqiptarëve Orthodoksë t’Amerikës, qëndrova ca ditë në Londrë që të punoj sa të munt për Shqipërinë tonë të mierë, e cila ndodhet nër çastet më kritike në histori të saj. Kur dolla në Londrë, këndova nër gazetat lajmën gazmore të proklamatës s’independencës. Ju dërgova me një herë një telegraf përgëzimi dhe tani e njoh për detyrë t’ju bëj një raport të përpiekjeve të mia në metropojen e Inglisë, si një krej të zgjedhur prej popullit shqipëtar.

          Vajta të gjithë ambasadat dhe përhirova përfaqësonjësit e fuqive mike të Shqipërisë dhe u bëra të njohur përfaqësonjësve të fuqive kundërshtare që një Shqipëri e lirë është një nevojë absolute për paqen e Ballkanit. Në ministori të Punëve të Jashtme të Inglisë më priti nga ana e Ministrit, z. Norman, të cilit i dëfteva dëshirën e gjithë popullit shqiptar dhe iu luta guvernës inglize të mos përmetojë mbytjen e një kombësie në këtë shekull qytetarie, po të ndihmojë për një Shqipëri të lirë, e cila do të jetë e vetëma shiguri për paqen e Ballkanit. Z. Norman, pas cesa fjalëve të mira, m’u zotua që do t’i bëjë një raport për pjekjen tonë ministrit të Punëve të Jashtme, Z. Sir Edward Grey.

         Si mbarova vizitat zyrtarisht, mora me radhë gjithë zyrat e gazetave me rëndësi dhe fola me të djathtë e më të mëngjër. Veçanërisht u prita mirë në zyrë të gazetave “Daily Graphie”, ku punon i njohuri shqiptarofil Z. Lucien Wolf, “Evening News” ku më priti me krahë hapur ish-konsulli inglis Z. H. C Woods dhe “Times” ku një nga editorët e lajmeve të jashtme më mbajti afro një orë duke më pyetur për punët e Shqipërisë. Nuk do t’ju loth, dyke ju treguar vizitat e tjera nëpër njerës të veçantë.

Tani, gëzohem shumë t’ju thom me shiguri që përshtypjet e mia nga këto vizita qenë më të mira se sa prisja. Natyrisht nër vizitat zyrtarisht nuk dëgjova veç përgjigje të errëta që munt t’i kuptosh si të duash dhe s’kanë asnjë rëndësi. Po vura re dhe një gjë, e cila më dha shumë shpresa. Kudo që vajta i gjeta dyert të hapura, ndonëse s’jam veç një delegat i ca punëtorëve të Amerikës. Nga ana tjetër, në Ministori të Punëve të Jashtme të Inglisë Z. Norman më priti e më përcolli me një fisnikëri dhe një buzëqeshje e cila më theshte: “Më ndje që s’munt t’ju thom gjë prej gjëje sakt: po mos kij frikë. Jemi miq të Shqipërisë dhe do të përpiqemi ta çlirojmë”.

Sa për vizitat e mia nëpër zyrat e gazetave, munt t’ju thom ato që dëgjova me veshët e mia. Dhe nga këto të gjitha përmblodha këto: Inglizët përgjithësisht nuk i duan serbët dhe grekët dhe simpathitë e tyre më pak përjashtime janë nga ana e shqipëtarëve. “Times”-i i së dielës që shkoi thoshte me fjalë të prera dhe të çkoqura: “Inglia kurrë do mos luftojë kundër Gjermanisë, Austrisë dhe Italisë për hatrin e Serbëve, të cilët duan të robërojnë Shqiptarët, se kjo luftë do të jetë kriminale për Englinë. Politika inglize që nga koha e Lord Salisbury-t dhe Lord Goschen-it qe independenca e Shqipërisë”. Mund t’i shtoj këto shembëlla, po më duket që arrin t’ju them që janë aq shumë ata që shkruajnë mirë për Shqipërinë sa nuk e di cilin të përhiroj më parë. Gazeta “Daily Telegraph” botoi një Korispodencë të gjatë ku përshkruante ceremoninë e proklamatës së indipendencës që më bëri të derdh lotë prej gazit.

          Shkurt, gjeta aqë mirëdashës këtu që më përkëdhelë veshin dyke më thënë që i duan shqipëtarët, se janë një racë e hieshme dhe fisnike sa nuk më iket së këtejmi, ndonëse Londra është një qytet i mbrojtur ku s’e sheh kurrë diellin me sy. Nga ana tjetër, ish konsulli inglis Z. H. C. Woods, më tha që të pres dhe të piqem me delegatët e paqes. Besoj që kabineti juaj të ketë biseduar nevojën e një delegati zyrtar të guvernës provizore të Shqipërisë në Londrë në këto rasjera (raste). Nofta orën që shkruaj delegati të jetë nisur. Në u nis nonjë, do të rri që t’i ndih me atë Inglishte të pakë që di. Në mos u nis, niseni me një herë dhe telegrafisti të dal ta pres. Në mos kini njeri për të dërguar, s’pres veç të më urdhëroni dhe do ta kem për nder dhe do t’jua di për të mirë që t’i shërbej vendit tim në një luftë për jetë dhe vdekje. Në është nevojë të ndodhem në Shqipëri, ju lutem shumë epmëni zë që të nisem menjëherë. Do të pres gjer sa të më urdhërojë guverna e atdheut ç’udhë të marr.

Dyke përgëzuar nxehtërisht Zotërinë tuaj, si dhe gjithë Zotërinjtë shokë të kabinetit të parë të Shqipërisë për veprën tuaj patriotike dhe historike të shkëlqyer, thërres “Rroftë Shqipëria! Rroftë Kabineti i saj i parë!” dhe mbetem
Shërbëtori juaj

+F.S.Noli
Norfolk Hotel, Surrey St.

Strand, W.C.

London”
Vetëkuptohet që këto dokumente noliane janë ndër më tipologjiket dhe dëshmojnë në mënyrën më të perceptueshme për momentin e madh historik të Shqipërisë. Kemi të bëjmë jo thjesht me një optikë të personalitetit të madh Fan Noli, por edhe me elemente autentike të kronikës. Ajo që të tërheq vëmendjen është kahja politike euro-perëndimore dhe amerikane, si poli i një interesi diplomatik të botës anglo-saksone në lidhje me çështjen shqiptare, që Fan Noli e nënvizon dhe e ngre në reliev edhe në një vështrim perspektiv dhe strategjik. Nga kjo pikëpamje, kjo veprimtari e Fan Nolit jo vetëm që është dëshmia më e patjetërsueshme e atdhetarizmit të tij, por edhe tregon qartë që e mbështet dhe e vlerëson lart figurën vigane të Ismail Qemalit, duke e mbështetur publikisht.

Vite më vonë Fan Noli shënon këto mendime për Ditën e Flamurit: “E duam flamurin e kuq me shkabën e zezë me dy krerë, se është flamuri ynë, se nën të do të rrojmë të lirë, të nderuar dhe kryelartë në mes të kombeve të qytetëruar të Evropës. E nderojmë flamurin e kuq me shkabën e zezë me dy krerë, se është flamuri i kurorëzuar me nder e lavdi i kryeushtarit dhe luanit të shkëlqyer që çuditi botën me trimëritë e tij, duke thyer njëzet e pesë vjet me radhë, njërën pas tjetrës ushtritë më të forta të asaj kohe të kryesuara prej sulltanëve më të mëdhenj të Turqisë.

Kur Evropa dridhej nga mizoritë otomane, dragoi Shqiptar që s’dinte ç’është frika, me një grisht trimash të zgjedhur, vërtitej mi armikun si rrufe që që tundte malet dhe shkëmbinjtë, dhe u jipte arratinë kuçedrave aziatike me atë shpatën e tij të rëndë, që vetëtinte e tmerronte, nën atë flamur të kuq me shkabën e zezë me dy krerë. E ngremë lart flamurin e madh të Skënderbeut, se ai që e mbajti i thirri tërë botës me trumbetë ç’është i zoti të bënjë Shqiptari kur bashkon trimërinë me besën, me nderin, e me dashurinë e vendit të tij. Papa, Kryetari i Krishterimit në Perëndim, Republika e Venedikut, mbretëresha e deteve dhe gjithë mbretërit dhe princërit e Evropës në kohën e Skënderbeut, e përshëndoshnë flamurin tonë me bekime, përgëzime dhe lavdërime.

E qajtim kur u unj për katërqind e pesëdhjetë vjet, se Shqipëria u shua nga lista e shteteve të lira, dhe varfëria, mjerimi, dhe robëria e shtypnë dhe e vogëluan në sy të botës.

Po kur u ngrit dhe valoi përsëri në Vlorë dhe u sallutua në Durrës me gjëmime topash prej anieve, të fuqive evropiane, koskat e shenjtëruara të Skënderbeut u drithëruan në varr dhe ne, kur e pamë si në ëndërr, derthmë lot mallëngjimi, gazi, shprese dhe kryelartësie kombëtare.

E kujtojmë këtë histori dhe e kremtojmë, se mësuam se ç’domethënë flamur i huaj, shpate, kamcik dhe zjarr armiku: fshatra të djegura, ara të shkretuara; pleq, gra, fëmijë të therrua pa mëshirë, a të arratisura në shpella e përronj, të veshura, të zbathura prej sëmundjeve, me syrin të errur prej helmit dhe dëshpërimit. Nga goja e kësaj ushtrie dëshmorësh të pafajshme të barbarisë dhe pashpirtësisë së armiqve të pabesë në Shqipërinë e shkretuar dhe nga zemra e gjithë shqiptarëve të mërguar e të shpërndarë si zogjtë e korbit, në vise të huaja ngrihet sot një lutje e nxehtë, e mëshirueshme, e mallëngjyer përpara fronit të Perëndisë:

“O Zot i madh, i drejtë dhe i dhemshuruar, shpëtoje popullin dhe vendin tonë të mjerë dhe nderoje përsëri me liri nën flamurin tonë, flamurin e Skënderbeut, flamurin e kuq me shkabën e zezë me dy krerë”. ( “Dita e flamurit” Noli, F. Stilian, Vepra 6, Tiranë, 1996)”.

Dokumentet e mësipërme vërtet nënshkruhen nga Fan Noli, por simbolika e tyre dhe semantika kuptimore është e gjithëmbarshme dhe kombëtare në një nga momentet historike më të thekshme dhe më inkandeshente kur mbaron epoka e vjetër e sundimit otoman mbi Shqipërinë dhe nis epoka e re e themelit të shtetit modern.

Pavarësia e Shqipërisë vulosi njëherë e përgjithmonë pikërisht Shtetin e Mëveçëm të Kombit Shqiptar në një nga momentet më ekstreme dhe më të rrezikshme të kohës, siç ishin “Luftërat Ballkanike” që po ndryshonin hartën e Ballkanit dhe mundet që të eliminonin edhe vetë ekzistencën e ardhshme të një strukture shtetërore të shqiptarëve nga vetë shqiptarët.

Pra, në një moment apokaliptik Ismail Qemali dhe atdhetarët shqiptarë, gjithë populli shqiptar, ngritën pikërisht atë flamur që ringjalli kombin, por që bëri edhe atë që mungonte prej pesë shekujsh, bëri realitet juridik ekzistencën e shtetit shqiptar.

Google+ Followers