Eric Hobsbawm dhe intervista e tij e fundit

Bota është në krizë, sepse askush nuk vendos

Kjo është intervista e fundit që historiani i madh Eric Hobsbawm dha për gazetarin Alain Elkann në korrik të këtij viti. Hobsbawm mbylli sytë më 1 tetor në moshën 95-vjeçare
Profesor Eric Hobsbawm më pret në shtëpinë e tij në Hampstead, mobiluar në mënyrë perfekte me jetën e tij: libra, disqe, fotografi të familjes, portrete që të kujtojnë udhëtimet e tij në Rusi apo Itali. Është shumë i kthjellët dhe komunikues.
Profesor, ju keni parë me sytë tuaj fundin e Luftës së Parë Botërore, fashizmin dhe komunizmin, Luftën e Dytë Botërore, Luftën e Ftohtë, rënien e Murit të Berlinit, 11 shtatorin. Në çfarë pike ndodhet sot bota?
Është e qartë që jemi në një epokë të paqëndrueshme. Pjesa më e madhe e njerëzimit është e shqetësuar dhe shumë pak e dinë se ç’mund të ndodhë. Mes viteve 1945 dhe fillimit të viteve ‘70 ishim në një epokë të qëndrueshme. Sot shumë pak individë dhe qeveri e dinë ç’do të ndodhë pas 5 vjetësh. Kjo është ndjesia e kësaj periudhe. Ka nga ata që janë shumë optimistë, të tjerë më pak, por në përgjithësi ka mungesë besimi.

Mendon se do të ketë një tjetër luftë?
Një tjetër luftë botërore nuk arrij ta imagjinoj. Nuk shoh as të vetmen luftë të mundshme, atë mes Kinës dhe SHBA-së. Më të mundshme janë disa luftëra margjinale në Lindjen e Mesme, në juglindjen aziatike të mbështetura nga Perëndimi, por jo një luftë të vërtetë globale.

Po pranvera arabe?

E përkraha shumë dhe isha i lumtur, sepse nuk mendoja se do të jetoja kaq gjatë sa të shihja se si njerëzit të rrëzonin regjimet ushtarake. Më dukeshin si të vitit 1848. Por një nga leksionet më të mëdha është se është më e lehtë të rrëzosh një regjim se sa ta zëvendësosh.

Ç’po ndodh në Europë?
Sistemi kapitalist nuk funksionon më prej vitit 2008, me kolapsin e sistemit financiar ndërkombëtar. Pjesa më e dobët sot është në Europë, por është një aspekt i mosaftësisë për të organizuar një sistem ekonomik global që funksionon.

Cili është problemi?
Mungesa e lidershipit, e personave që vendosin. E kam thënë në të kaluarën dhe e them edhe sot: kjo është thembra e Akilit, e globalizimit që funksionon në të gjitha fushat, linguistike, kulturore, shkencore, ekonomike, por jo në politikë. Nuk ka marrëveshje mes dy ose tri vendeve kryesore të botës, askush nuk vendos më.
As Amerika?
Jo. Janë të pasur, të fuqishëm, të fortë nga pikëpamja ekonomike dhe ushtarake, por nuk vendosin ata.

Po Gjermania?

Gjermania është ekonomia më e fortë e Europës, por jo aq e fortë nëse krahasohet me SHBA-në apo Kinën, sepse është shumë herë më e vogël. Europa është një shembull konkret i asaj që thashë më lart, d.m.th. dështimit të politikës që nuk di të jetë globale. Do të ishte e mundur për shembull një marrëveshje për eurobondet, por francezët dhe gjermanët nuk arrijnë të bien dakord.

Po Britania e Madhe?

Ndoshta do të shkatërrohet. Jo! Ka kërkuar të mbajë pozicionin e saj si perandori e madhe për shumë gjatë dhe kjo është një nga arsyet kryesore për të cilat në fund vendosëm të qëndrojmë me Amerikën dhe jo me Europën. Britania e Madhe është gjysmë Europë.

Ju besoni tek euro?
Nuk jam ekspert në këtë fushë, por mund të them se nëse euro “zhduket” kostoja e ndryshimit të të gjitha sistemeve ekonomike do të ishte shumë e madhe. Askush nuk e do këtë. Kështu që edhe pse nuk funksionon, do të jetojë.

Si është bota sot?

Shumë më e mirë. Kushtet e njeriut janë përmirësuar, sepse njerëzit jetojnë më gjatë dhe kanë më shumë zgjedhje në jetën e tyre. Edhe kur mendojmë për katastrofat e mëdha dhe se sa shumë persona kanë vdekur në shekullin XXI, jeta e njeriut është përmirësuar. Pas 40 vjetësh personat do të jenë më mirë dhe ne jemi më mirë se gjyshërit dhe prindërit tanë.

Për shkak të progresit teknologjik?
Po, edhe për kapacitetin për të prodhuar dhe shkëmbyer. Do të ketë probleme të rëndësishme, si ajo e burimeve, për shembull mungesa e ujit, por nuk besoj se duhet të jemi pesimistë për 50 vitet e ardhshme. Por njerëzit nuk janë më të lumtur. Lumturia nuk matet me sigurinë materiale. Deri në fund të viteve ‘50 jetohej pak a shumë si në mijëvjeçarët e fundit, njerëzit ishin të varfër, fshatarë, por kishte rregulla, tradita, role, besimi dhe kështu siguri dhe një guidë. Nga vitet ’70, ky sistem rregullash është shkatërruar dhe njerëzit nuk e dinë ku janë e ku duhet të shkojnë. Nuk ka më rregulla precizë.

Çfarë do të ndodhë?

Fondamentalizmi fetar është një reagim ndaj kësaj situate. Nga njëri krah, njerëzit duke mos pasur direktiva, shohin mundësi dhe i shfrytëzojnë. Në Perëndim jemi akoma të pasionuar pas firmave, të cilat i besojmë dhe vazhdojmë t’i krahasojmë. Në Kinë nuk interesohen për firmat dhe mbi të gjitha nuk ka besnikëri, sepse mbi të gjitha ata janë lojtarë të mirë.

Ju jeni ende komunist?
Komunizmi nuk jeton më. Jam besnik ndaj shpresave për një revolucion që unë nuk mendoj se do të ndodhë më. Unë jam marksist, sepse mendoj që nuk do të ketë stabilitet deri kur kapitalizmi nuk do të transformohet në diçka të panjohur nga kapitalizmi që njohim sot.


Google+ Followers