Zef Sqiroi, meritat e frymëzuesit të aspiratave

Ndriçim Kulla


Çdo vend, çdo komb, përmes shekujve, bazuar në ato që janë veçoritë e tij etnike, tok me prurjet e kontakteve dhe ndikimeve kulturore të kombeve të tjerë, përgjatë ngjarjeve nga më të ndryshmet, që kanë sjellë formësimin e karakterit të vet, pra në sajë të historisë, ose akoma dhe më thellë në sajë të Provanisë së tij, zotëron një personalitet të vetin, ashtu si çdo individ, e për rrjedhim, edhe një funksion të caktuar të kësaj Provanie. Është mëse i qartë atëherë nga një këndvështrim i drejtpërdrejt teologjik dhe ligjor, një funksion i tillë për ato kombe të cilat prej epokës antike kanë arritur të kenë një rit të vetin karakteristik, që mbetet si një monument apo si një dokument i patjetërsueshëm i traditës kristiane. Akoma dhe më bindës për qëllimin tonë është shembulli i atyre kombeve (ose riteve apo patriarkateve) që shihen sot të reduktuara në një ekzistencë numerike shumë modeste, e nganjëherë të krahasueshme me atë të një dioqeze të zakonshme latine të asaj kohe.
Për sa i përket shqyrtimit të njësive të vogla kombëtare, të atyre që nuk shfaqen kurrë si protagoniste apo dhe thjesht si subjekte të historisë, mund të themi se - të shtrënguar nga vogëlsia - të qëndrojnë në rolin e spektatorëve, ato vuajnë shumë më pak nga ajo kufizueshmëri gjykimi që shpirti i të qenit asnjanës duket t'u diktojë. Për çdo lloj kërcënimi përreth vetes, ata janë të rrahur e të mësuar të tej këqyrin horizontin në të gjitha drejtimet e të mbeten të mirë-informuar detajësisht. Formohet kështu brenda tyre një lloj mentaliteti që njëherë e një kohe quhej kozmopolit, e qe sot do të parapëlqenim ta quanim ekumenik, për shkak se ai arrin të krijojë një terren mëse të gatshëm për të lëvruar konceptin ekumenik.
Njësi të tilla kombëtare paraqesin kështu një jetë ndonjëherë gati të nëndheshme, deri aty sa të mos paraqiten as edhe nëpër hartat gjeografike brenda kufijve të vet. E megjithatë, një njohës i mirë i historisë e di p.sh. se ç'mirënjohje lipset të kenë irlandezët në historinë e re të Amerikës ose gjeorgjianët në atë të Rusisë. Dihet gjithashtu se ç'domethënie kanë në historinë e sotme franceze shkrimtarët baskë të tillë si Bernanos, por pak e dinë se sa shumë ata i kanë dhënë literaturës më të lartë spanjolle. E shembujt mund t'i shumëfishojmë për një kohë të gjatë aq sa mund të themi se një studim i këtij lloji do të arrijë të na japë rezultate shtangëse sa për të revolucionarizuar edhe vetë historinë e deritanishme kulturale të Evropës e të Lindjes së afërme.
"Madje, akoma edhe më tepër shtangëse do të paraqiteshin të tilla zbulesa në pohimet e shqiptarëve, të cilët i bashkëngjisin lavdisë së kombit të tyre emra të mëdhenj të një jehone botërore", - nënvizon studiuesi dhe albanologu At Giuseppe (Zef) Valentini në sprovën e famshme "Shqipëria dhe ekumenizmi", për të argumentuar më pas. "Kështu, mund të radhisim një listë të tërë perandorësh romakë e bizantinë, një listë, jo të madhe, por jashtëzakonisht domethënëse papësh, një listë goxha të gjatë Vezirësh të mëdhenj të Perandorisë turke, apo Ospodarësh të principatave Danubiane ose vezirësh e mbretërish të Egjiptit, e kështu me radhë, ç'ka dëshmon efikasitetin në shkallë ndërkombëtare të këtij vendi të vogël në detyrën e qeverisjes".
Në këtë pikë do të qe me vend të thonim dy fjalë edhe për veçanësinë e së drejtës tradicionale shqiptare. Në Shqipëri, gjejmë një kompleks traditash juridike edhe më lart se sa e drejta civile, por - në thellësi - edhe më poshtë se ajo, në mënyrë të atillë që, duke ruajtur dhe shpjeguar parimet themelore apo normat e përgjithshme të së drejtës, e duke e bërë një gjë të tillë në një mënyrë të mahnitshme logjike dhe konstante, të na paraqesin spektaklin e një koncepti thellësisht të vërtetë e special juridik, të ruajtur sipas traditës për një periudhë jo më pak se 16 shekuj. Madje duke e studiuar këtë të drejtë sipas mënyrës historiko-kritike, siç patën bërë vetëm në disa çështje të veçanta studiuesit e mëdhenj Jiriçek dhe Sufflay (të cilët u morën më shumë me të drejtën e qyteteve bregdetare), e më vonë Zef Valentini (i cili shqyrtoi më gjerësisht të drejtën zakonore të maleve shqiptare), arrihet përtej përfaqësimit më të përpiktë të konceptit të institucioneve përgjatë zhvillimit të tyre historik, për të mundësuar kështu demonstrimin historik të vazhdimësisë së traditës juridike shqiptare të paktën deri në Mesjetën e vonë, edhe në spikatjen që mbart kjo traditë për sa i përket origjinalitetit të saj. "E ky pohim i origjinalitetit, nënvizon Valentini, s'duhet aspak të na habisë, ashtu siç nuk duhet të na habisë as pohimi se populli ilirik dhe ai thrakas përfqinj i tij, e më vonë kombi shqiptar që i është vazhduesi i denjë, qe mrekullisht i pajisur me dhuntinë e një kapaciteti veçanërisht special juridik, të shquar për logjicitetin e vet rigoroz.
Sa për të dhënë një shembull ilustrues të këtij kapaciteti, do të qe me vend të përmendnim këtu një figurë të shquar botërore në radhën e jo pak ligjvënësve që Shqipëria i ka dhënë botës, Justinianin nga Shkupi, perandor romak i cili, pikërisht në prag të epokës së transformimit të Perandorisë nga Romake ne Bizantine, arriti jo vetëm siç thotë Dante "të nxjerrë brenda ligjeve, atë ç'ka ato kanë të tepërt dhe të kotë", por për më tepër, t'i vendosë së drejtës romake bazat e një sistemi logjik e parimor, duke i dhuruar kësaj të drejte jo vetëm mbijetesën në letër, por edhe shërbesën e saj si themel e normë e së drejtës së të gjithë Europës dhe botës së qytetëruar.
Mirëpo shumë pak i njohur është fakti që epoka e tij e madhe e rivendosjes së rregullit juridik përkon - e nuk besoj rastësisht - me atë të rivendosjes së madhe të sistemit liturgjik, rrjedhimisht dhe artistik e veçanërisht arkitektonik, por edhe piktoresk e poetik, nga i cili gjen fillimet - në vlerat e tij më autentike - edhe vetë qytetërimi Bizantin.
Vetëm ai që njeh thellësisht strukturën përsosshmërisht logjike e njëherësh elastike të mentalitetit juridik shqiptar, mund të jetë i zoti të njohë atë fill lidhës të mendjes rregull-vendosëse të Justinianit, ashtu si dhe prirjen universaliste të fisit të vet që ai u përpoq ta vendosë në aspiratën e tij për rifitimin e integritetit të perandorisë romake.
Ndërkohë që të gjithë atyre që e injorojnë këtë sens të lindur juridik të shqiptarëve, mjafton t'u kujtojmë se Justiniani - edhe pse qe më i shquari - nuk qe i vetmi përfaqësues i tyre, pasi në fronin e perandorit ai u pasua nga Diokleziani dhe Konstantini, të vijuar nga ipeshkvi Gjergjencio nga Dardania, ligjvënësi i parë i arabëve kristianë Hymiariti dhe nga ligjvënësi i parë i Moldavisë, shqiptari i ardhur Vasile Lupul.
Tek të gjithë vihet re një themel mendor i ngritur mbi një strukturë logjike e cila, pikërisht pse ka një vlefshmëri universale, shërben si një prirje përshtatëse ndaj rrethanave të ndryshme apo ndaj realitetit të vendit e të kohës, shoqëruar kjo me një hapje ngazëllenjëse shpirtërore.
Ja, vetëm kështu mund të shpjegohet fakti se si deri në ditët tona, një patriark i Kostandinopojës, Atenagora, përfaqësuesi më i lartë i kishës orientale, paraqitet si i pari dhe më i hapuri ndaj ekumenizmit dhe ndaj paqes me Romën, midis të gjithë hierarkëve jo katolikë. E Atenagorën, lindja në rrethinat e Janinës, e bën aq të afërt me shqiptarët.
Ja, të gjitha këto janë dëshmi të mëdha që tregojnë se tradita ekumenike e shqiptarëve, në radhën e ligjvënësve, ka themele goxha të forta falë sensit të tyre të lindur juridik.
Nëse do të thoshim se Zef Sqiroi, poet, historian dhe njeri politik i kohës, ka qenë në këtë shekull, të paktën mes arbëreshëve, mbrojtësi, propaganduesi dhe shpirtgjalluesi më i madh i traditës kombëtare shqiptare, një pohim i tillë do të qe mëse i justifikuar. Aq më tepër, që ai synon të arrijë, që një vlerë e tillë e pazëvendësueshme në botën shpirtit, të mos humbet kurrë, por të rivlerësohet gjithmonë, nga të gjithë ata që janë sot trashëgimtarët e saj natyralë.
Megjithatë, nuk duam të ndalemi veç në meritat kombëtare të Zef Sqiroit, politikan por dhe frymëzuesi i asaj ndërmarrjeje madhështore mbështetëse ndaj aspiratave kombëtare që solli njohjen e pavarësisë së Shqipërisë dhe futjen e saj në Ligën e Kombeve në vitin 1921. Nuk duam të ndalemi as në dhuntitë e tij të jashtëzakonshme si poet e shkrimtar, e as në veprat e tij që do të ngelen në historinë e literaturës shqiptare si pikat e saj më kulmore.
E më tej, nuk duam të ndalemi në faktin se në institutin e parë italian të pajisur me një katedër të gjuhës shqipe, ai qe drejtori i saj i parë. I themeluar që më 1725 në Napoli, nën emrin e "Kolegji i familjes së shenjtë", e duke mësuar breza të tërë nxënësish të lindjes, e kryesisht shqiptarë, ky kolegj u transformua derisa u shndërrua në Institutin Mbretëror Oriental. As të nënvizojmë se Sqiroi i përket asaj plejade të madhe studiuesish, bashkë me Justin Rrotën, Eqerem Çabej, Namik Resulin, Gaetano Petrotten, etj, të cilët bënë përpjekje të lavdërueshme në lëmin e historisë sonë letrare. Romantikët arbëreshë, në fakt, nuk e jetuan asnjëri fazën e diskutimeve që u ndezën në Itali, veçanërisht në atë veriore, me qendër Milanon, rreth romantizmit, në vitet '10-'20 të shekullit të XIX. Ndaj zor të flasim për ndonjë ndikim të shënuar të romantikëve të mëdhenj italianë si Monti, Foskolo, Leopardi apo Manconi, mbi De Radën, Gavril Darën dhe Sqiroin. Mos-shkëputja e tyre nga mitologjia greko-latine, vula klasike që ruajti disi krijimtaria e tyre, nuk mundi t'i bëjë dot paraardhës të poetëve arbëreshë. Veçanërisht në veprat e dy të parëve, e shumë më pak te Sqiroi, kemi ndikimin e poezisë së madhe kalorësiake të Rilindjes italiane, të veprave të Ariostos dhe Tassos, se sa të romantikëve bashkëkohës. E më tej, krijimtaria e tyre lidhet më shumë me Kalderonin, Shekspirin, Osianin dhe letërsinë e madhe të frymëzuar nga mesjeta, prej Uollter Skotit e gjer te Viktor Hygoi; Aq më tepër që një dallim të dukshëm e të rëndësishëm midis krijimtarisë së romantikëve arbëreshë nga njëra anë dhe atyre italianë nga ana tjetër, e gjejmë në faktin se të parët e vendosën poezinë popullore në bazë të krijimtarisë së tyre, kurse të dytët jo.
Vijoi edhe ai të nxjerrë material nga burimet e traditës popullore, porse duke i përzgjedhur motivet më me kujdes e me shije më të hollë, për t'i konturëzuar ato ndër forma komplekse letrare që imitojnë modelet perëndimore më në zë të gjysmës së dytë të viteve '800. Synimi i tij kryesor ishte zotërimi i normave ekspresive më të spikatura të letërsive të mëdha europiane, duke i ndenjur besnik karakterit të gjuhës shqipe, dhe duke i përdorur burimet e saj për futjen në letërsinë tonë të thelbit dhe sajesave poetike tashmë gjerësisht të shfrytëzuara në perëndim. Ndoshta, poezia e tij - në dallim nga ajo e shembujve të vet më të mëdhenj - nuk shqetësohej edhe aq për të zbuluar variacionet e frymës autoktone nëpërmjet gërmimit ndër skutat më të thella të racës, por duke përsëritur me një shqipe të pastër e harmonike modulacionet poetike më të këndshme për popujt e kulturuar. Edhe atëherë, kur ashtu e lëshuar në krahët e fantazisë, i shmangen mësimeve të tre mjeshtrave të mëdhenj të poezisë shqiptare, për t'u shfaqur me thekset e një origjinaliteti të pastër, ai parapëlqen ta bëjë një gjë të tillë në mënyrë të pavullnetshme.
Në këtë pikë do të qe me vend të hapnim një parantezë të shkurtër mbi raportin dhe marrëdhëniet letrare shqiptaro-arbëreshe, për të kaluar kështu në një tjetër dallim midis De Radës dhe Sqiroit. Këto marrëdhënie, gjer në fund të viteve '50 të shekullit XIX, për të mos thënë edhe më këtej, ishin ende fillestare. Në fillim të viteve '60, me miqësinë që De Rada dhe Dhimitër Kamarda lidhën me rilindës të ndryshëm shqiptarë si Mitkoja, Jubani, Doçi, Kristoforidhi e ndonjë tjetër, kontaktet marrin udhë të mirë. Mirëpo nga fundi i shekullit, nevoja që ndjenin për t'u kuptuar nga lexuesit e Shqipërisë, i bëri autorët arbëreshë, duke nisur nga Serembja dhe duke vazhduar sidomos me Sqiroin, ta kenë parasysh faktin se me gjuhën arkaike të kolonive të tyre, nuk mund të njiheshin e të ndikonin në Shqipëri. Kështu, ata iu futën një përpjekje të re e të vërtetë heroike gjuhësore, e cila pati edhe konseguenca të mëdha artistike. Madje, ndonjë arbëresh si p.sh De Martino, nuk shkroi më as në dialektin e vendlindjes, por në shqipen e Shqipërisë.
Në këtë prirje, me një ndjesi të këndshme letrare Sqiroi shtyhet t'i përpunojë temat e poezisë më të moçme popullore të trashëguara nga paraardhësit e tij të shekullit XV e t'ia dalë mbanë me sukses në realizimin e risive formale, vetëm pasi t'i ketë çuar në përsosmëri të admirueshme skemat metrike tradicionale. Ai mbërrin rezultate të lakmueshme nëpërmjet kombinimeve leksikore bindëse që gjenden në të folmet e ndryshme, e i afrohet krijimit të një "koine" shqiptare, depërton në zemër të kompleksit problemet shpirtërore të kombit e ofron pamje delikate në episode plot jetë, mbarsur me domethënie të thella në poemat e tij epiko-lirike.
Por dhuntitë më njerëzore të poezisë së tij i gjejmë në poemën polimetrike "Mino", ku ai rrëfen vdekjen tragjike të njërit prej bijve të tij, veçanërisht në ato fragmente ku toni elegjiak i nënshtrohet miklimeve të evokimeve klasike e zbret papritmas në brazdën e vajeve tradicionale mortore ku gjen shfrim dhe lehtësim dhimbja e tij prej babe.
Veçse ajo që duhet theksuar është se magjia e tij nuk flatroi vetëm në këtë fushë. Më pak i ndjeshëm, ndoshta, ndaj ngacmimeve dhe yshtjeve romantike, por dhe më i përmbajtur klasikisht, ai qe i shënjuar për t'u shndërruar në poetin më të madh të mendimit frymëzonjës ose e thënë ndryshe, të fjalës poetike. Formimi i tij kulturor, i degëzuar në interesa nga më të variueshmet, e bëri një njeri të rangut të parë, udhëheqës të aspiratave sociale të shqiptarëve, duke ia shoqëruar këtë prirje me një pohim të fuqishëm të një tradite që shpërhapte tek të gjithë dinjitetin e fisnikërisë bashkë me atë të përvuajtësisë e të një ngushëllimi të thellë të një jete religjioze të mbrujtur nga e vërteta, poezia dhe melodia; latine në aspiratat e saj kah unitetit dhe universalizimit të botës romane; bizantine në thellësinë dhe vetëtishmërinë e gjuhës teologjike dhe në dashurinë e asaj bote kristiano-orientale në të cilën shpirti i tij ashtu si dhe i gjithë popullit të tij ndihej aq familjar. Pavarësisht se i besimit ortodoks, ai u shfaq një laik i thekur deri në atë pikë sa t'i paraprinte - pa nevojën e mbështetjes s'atëhershme klerikale - asaj hapjeje ndaj njohjes së vlerave autentike të çdo religjioni, që vite më vonë shërbeu si baza për zhvillimin e ekumenizmit. Ishte kremtimi më i bukur i një përvjetori pavarësie në përkujtim të poetit që në poemën e tij "Këthimi" e këndoi me vargje fluturuese atë ditë të madhe. Në këtë pikë do të qe interesante të tregonim edhe historinë e zbulimit dhe botimit të kësaj poeme, bazuar në kujtimet e dhëna për të nga Karl Gurakuqi.
"Më 1940, u gjenda për disa ditë në Pjanë, në shtëpinë e dy vëllezërve Sqiro, Dr. Xhovani dhe Dr. Tommazo, ku u njoha edhe me tre bijtë e poetit, Zefin, Gjergjin dhe Gjinin. Në mbrëmje, Dr Xhovani, më i madhi, nisi të më lexonte në dorëshkrim veprën postume "Këthmi" të të vëllait. Në lexim e sipër ai mallëngjehej, lëshonte fletët mbi tryezë, fshinte sytë e rimur nga lotët, e duke psherëtitur shikonte fotografinë e vëllait mbi mur, nën një flamur kuq e zi të qëndisur bukur. "Mëkat që kjo vepër nuk është botuar ende. Porsa të kthehem në Tiranë, do t'i flas për këtë punë Ministrit të Arsimit, Ernest Koliqi, i cili, jam i sigurt se do t'ia gjejë mënyrën e botimit".
Ja, këtë premtim i dha Gurakuqi familjes së poetit, mirëpo ngjarjet e mëvonshme në Shqipëri nuk lejuan konkretizimin e dëshirës së tij e të ministrit Koliqi, në pritje të kohëve më të përshtatshme. Vetëm pas 48 vitesh nga hartimi i saj (kënga e fundit u shkrua më 28 Gusht 1917) dhe 25 vjet pas takimit të Gurakuqit me familjen e autorit, vepra e tij më e madhe e gjeti dritën e botimit, po nën kujdesin e Koliqit, (i cili disa vite më parë kish nxjerrë në shtyp, në bashkëpunim edhe me prof. Gradilonen, ribotimin e kryeveprës deradjane "Milosao"), e me një parathënie të bukur shkruar nga prof. Zef Sqiroi i ri.
Në këtë këndvështrim, ajo çka na duket mëse e sigurtë për t'u pohuar është fakti se për një njeri që i ka dhënë atdheut të vet, kryevepra të një rangu të tillë krijimesh të angazhuara si poemat "Te dheu i huaj" apo "Këthimi", është gjithmonë e ligjshme dhe e lejueshme një masë e caktuar reflektimi mbi mangësinë e pashmangshme të largpamësisë njerëzore, e cila mund të kundërshtohet, po s'duhet të pengojë admirimin dhe njohjen e mbizotërimit të vlerave pozitive brenda personalitetit të tij.
Ndoshta nuk qe e pamundur që ai të arrinte po të njejtën gjë i mbyllur brenda një kulle të argjendtë e përmbi çfarëdolloj zgjedhje politike; por megjithatë, duhet gjithmonë të pyetet nëse, pa një ndërmarrje faktike e luftarake si ajo që gjalloi tërë jetën dhe veprën e tij, ai do të kishte po atë stimul që e nxiti të bënte ato gjëra të mëdha që arriti. Ndihmesa pozitive në këtë ndërmarrje nga ana e forcave politike, ai nuk pati; mundi vetëm të shfrytëzojë drejt një liri fjale, qoftë edhe nga pikëpamja sociale, që i lë të shtangur ata që e lexojnë sot këngën e parë të poemës "Te dheu i huaj".
Vetëm ai që me anë të këtij çelësi interpretativ, shtrohet të lexojë dhe "Kthimin", kryeveprën e tij më të vërtetë poetike, do të arrijë të njohë e të kuptojë se kjo poemë që, falë ndryshimeve historike që i zhveshën premisat konkrete politike, ngeli e pambaruar si poema e shenjtë e një doktrine të lartë, është në thelb kryevepra e poezisë filozofike dhe religjioze shqiptare, është një poemë e cila për nga shtrirja dhe thellësia e doktrinës që përfaqëson, për nga kthjelltësia, fuqia shprehëse, shkreptima dhe epërsia marramendëse e gjuhës së përdorur, është për shqiptarët ajo ç'ka është për italianët "komedia hyjnore" e Dantes.
Madje, përveç kësaj, "Këthimit" duhet t'i njihet - akoma dhe më shumë se çdo gjë tjetër - parësia në rang botëror si poemë e ekumenizmit, ku çdo e vërtetë filozofike dhe religjioze arrin të shprehet ashtu siç mund të konceptohet më mirë, brenda ambientit të vet, të marrë, të çliruar nga lënda bazë, e pastaj të ripunuar si një diamant, të ngallmuar për të shkëlqyer fisnikërisht në kurorën e mrekullueshme të katolicizmit më ortodoks; e bashkë me të edhe vetë Shqipëria e vogël, aq e ngucur në kufij, po aq vërshonjëse në vitalitet njerëzor, gjithnjë e më shumë efikase sa më shumë e injoruar, aq xheloze në ruajtjen e individualitetit të saj etnik, po njëherësh edhe aq universaliste, kaq fatkeqe, por dhe gjithmonë e ruajtur nga Zoti në vijim të misionit të saj sekret; Ja, falë tij, Shqipëria e vogël dhe e madhe mori një vend të merituar, në mos nderi, në historinë e ekumenizmit botëror.
"E ka patur, por unë do të thoja edhe se e ka, sepse meritat nuk fshihen nga faqja e dheut siç fshihet fama", - pohon Valentini. Megjithatë, do të doja të pyesja: Të gjitha këto merita, a do të mbeten vallë të vakëta apo duke u vazhduar me po të njëjtën energji dhe me po të njëjtin efikasitet, do të arrijnë të shumëfishohen në të ardhmen.
Po! Veç me një kusht: Që këto vlera të traditës shqiptare që kanë konfiguruar aktivitetin e shqiptarëve përgjatë gjithë historisë, nëpër këto drejtime e me këto impulse karakteristike, të ruhen përjetë. "Është një detyrë që u takon veçanërisht atyre të rinjve, që kanë vërshuar aq të shumtë në thirrje të magjisë së flakës së ekumenizmit; E kjo sepse nuk mund t'i japësh kontribut ekumenizmit, duke i shuar vlerat e veçanta kombëtare, por duke i fuqizuar dhe integruar ato. Ashtu siç i takon çdo shqiptari t'i ruajë apo t'i ringjallë - nën shembullin e një De Rade a të një Sqiroi - traditat e shenjta të stërgjyshërve të vet, për t'ia bërë më pas dhuratë botës. Po gjithsesi do të donim të kalonim edhe më tej.
Me jetën e vet, Zef Sqiroi do të mbetet përgjithmonë njëri nga emrat më të mëdhenj në historinë e shpirtit të Shqipërisë, e vepra e tij, njëra prej majave më të epërme të saj. E deri kur vepra e tij të mbijetojë bashkë me ato të një De Rade, të një Naim Frashëri, të një Fishte a të një Mjede, atëherë do të mbijetojë edhe shpirti i Shqipërisë e do të jetë gjithmonë i aftë për lartësime të reja".

Google+ Followers