Vallja e heronjve (Botuar më 1937)


Veli Stafa (Platonicus)

Shkruar me rastin
e 25 vjetorit të shpalljes së pavarësisë.

Veli Stafa (Platonicus)
Pesëqind “Engjëj” hapën portën e artë të pallatit hyjnor. Me grupe grupe filluan me ardhë miqtë. Me mijra Engjëj bajshin pritjen madhështore me çfaqje simpatije. Miljona Shqiponjash fluturojshin mbi kokat e tyne. Miljona drita të shumëngjyrta i jepnin një pamje fantazmagorike atij pallati.
Nji heshtje e madhe mbuloi atë vend kur dy engjëj të mëdhenj hapën një portë të madhe. Të gjithë u drejtuen dhe hudhën sytë andej. Me hapa të randa, kokënaltë e me plot buzëqeshje filluen me hy në pallat heronjtë. Të gjithë u gjunjëzuen në shenjë nderimi para tyne. Pesëqind shqiponja me krahë hapët bajshin hije mbi kokat e tyne.
Të gjithë heronjtë buzëqeshun! Të gjithë në gëzim!

Buzëqeshun Naimi rrethue prej vëllezenve! Buzëqeshun Çerçizi me shokët e tij, e gjithashtu Ismail Qemali me të tjerë martirë!

Mirësevini-tha nji Hero, – jemi mbledhun edhe na për të festue të njizet e pesë vjetorin e lirisë së bijve tanë! Ashtu si mblidheshim disa vjet ma parë për të luftue së bashku për këtë liri!

Pushoni! U ndi nji zâ engjëlli.

Qindra engjëj me flamur kuq e zi në dorë hynë në pallat.

Mbasandaj në mes të duartrokitjeve dhe brohoritjeve, hyni Skënderbeu.
Të gjithë u përulen në shenjë nderimi.

Festoni! Këndoni dhe kërceni dhe ju o burra ashtu si këndojnë sot bijtë tanë të gjithë kangët e lirisë.

Mbasandaj njëmijë vasha të reja bija shqiponjash ja muerrën valles. Miljona engjëj rrotulloheshin rreth pallatit.

Prap heshtje për nji çast.

Miljona shpirtna dëshmorësh parakalojnë para mbret Skënderit e para të tjerë luftëtarëve. Dhe parapë kangë e valle. Të gjithë shpirtnat e dëshmorëve merrshin pjesë në këtë festë të madhe. Jo vetëm në pallatin e heronjve por në krejt parajsën ushtojshin kangat skënderjane. Kangët e lirisë ! Kangët e ngadhnjimit ! Kangët e fitores !…

Miljona kuq e zishë me shkaba dykrenore valviteshin në kupë të qiellit. Njimijë engjëj u veshën me rroba kuq e zi dhe qëndisën me atë nji flamur të bukur. Mbasandaj të gjithë muerrën nga nji flamur dhe u nisën për në tokën Arbënore me i dërgue popullit shqiptar urimet që bajshin heronjt nga bota tjetër.

Qe vallja e Heronjve që më 28 Nanduer 1937 festojshin edhe ato ditën fatlume që i dha kombit shqiptar lirinë ! Ditën për të cilën ato vaditën tokën arbënore me gjakun e tyre të kristaltë.

Na sot i kujtojme me respekt. Dhe gjithë Shqipnia përulet para kujtimit të tyne.
O Heronj! O Dëshmorë! O Martirë të Shqipnisë! Ju gjithmonë jeni pranë nesh.

Emnat e kujtimet e jueja janë të pavdekshme. Historia me shkronja t’arta do të përshkruaj heroizmin tuaj. Dhe na, çdo ditë do të gjunjëzohemi para kujtimit tuej.

Krejt populli shqiptar që sot kremton të 25 vjetorin e pamvarsisë i gjunjëzuem para flamurit të shenjtë, murmëron me lot ndër sy:

Të falemi ty, o flamur.
Dr. Veli Stafa (Platonicus) 28 Nandor 1937

(Veli Stafa lindi në Elbasan 1914 në një familje të dëgjuar dhe vdiq në Paris më 1939 në Sanatoriumin Rueil Malmaison. Shkollën fillore dhe të mesme e kreu në Kolegjin e Etneve Saverian në Shkodër ku ishte një nga nxënësit më të dashur të Dom Ndre Mjedës. Pastaj studion në Fakultetin e Mjekësisë në Bolonjë ku diplomohet më 1938 me rezultate të shkëlqyera. Punon për pak kohë mjek në Spitalin Ushtarak të Tiranës. Është një nga shkrimtarët më të dëgjuar të brezit të viteve’ 30. )

Google+ Followers