NË QENDRËN GUMËZHITËSE TË BOTËS.Potë të famshëm të perkthyer nga Feride Papleka


NË QENDRËN GUMËZHITËSE TË BOTËS

Feride Papleka



GJEOGRAFI POETIKE


           
Të përftosh poezinë duke soditur format embrionale, harmoninë, kuptimësinë bashkëkohore dhe mitike, duhet të njohësh individualitete që i transpozojnë këto vlera brenda një kulture me lulëzim të përhershëm. Prej një njohjeje të rastësishme, por të lumtur me  një poete të rrethinave pariziane, Jeanne Maillet, të cilës i kam përkthyer në shqip përmbledhjen poetike “Këngë e premtuar” (Chant promis) dhe me një poet, frymëzues i palodhur i shtegtimit të ideve dhe kulturave,  Jean-Paul Mestas, lindi një libër me një gjeografi të veçantë, me zëra nga disa krahina të Francës. Mbase nga dëshira e fshehtë për të zbuluar ankthin dhe trishtimin që rrinë strukur prej të papriturave që na dhuron fati ose fatkobi ynë, mbase nga parandjenja për të ushqyer shpresën në një të nesërme që s’duhet të mbetet vetëm ëndërr, mbase edhe nga kureshtja për të kundruar lartësitë e poezisë si pasqyrë shpirtërore, metaforë e një dialogu të brendshëm në kërkim të bukurisë dhe dashurisë.

F.P.

JEANNE MAILLET (Saint-Pol-sur-Ternoise)

U lind në TOUQUET më 1931. Banon në Saint-Pol-sur-Ternoise. Më 1978 themeloi Rrethin Poetik të qytetit dhe më 1980 filloi të botonte buletinin Bulles Ternois. Është anëtare e shoqatave letrare si: Shoqata e SHKRIMTAREVE, Shoqata e POETEVE FRANCEZE, PENKLUBI i Monaco-s etj.
Ka botuar 18 libra poetikë. Poezitë e saj janë përkthyer e botuar në Angli, në Itali, në Vietnam, në Kore etj. Më 1996 është botuar në shqip libri i saj poetik “Këngë e premtuar” (Chant promis).
Që nga 1978-a ajo nisi të botonte kronika në të përjavshmen Abeille de la Ternoise nën okelion “En Mussardant”, në të cilën janë përmendur rreth 300 poetë.
Jeanne ka organiyuar në Saint-Pol takime e konferenca për subjekte letrare, për shkrimtarë dhe poetë të njohur. Me rrethin e saj poetik ajo ka zhvilluar biseda për A.SAMAIN, J. SUPERVIELLE, E. EDMONT, M. FOMBEURE, R. M. RILKE, P. VERLAINE, G. de NERVAL, A. DEHORNE, H. BOSCO, YEATS, NORGE e të tjerë.


NË QENDRËN GUMËZHITËSE TË BOTËS

A mos djeg dielli për freskinë e hijes?
A i sfilit hardhia degët për premtimin e molisjes?

E nëse dritës së një ylli
i duhen miliona vjet,
a nuk e bën këtë për të na thënë :
“Mugujt kanë tjetër qartësi
që vështrimet tona ende nuk kanë ditur
ta zbërthejnë?…”

***
Në qendrën gumëzhitëse të botës
së sakatosur,
në ekstazë,
Njeriu, ky zemërplasur.
I urtë apo i pafe,
përdhosës a profet.
Isoja e një gjinkalle
i hap gjithmonë rrugën
edhe më tej:
një drithërimë bari
një buzëqeshje,
një lot pritjeje,
- këto paranteza të ngutshme të lumturisë… -

***
Kur historitë tuaja përqasen
me bukurinë e ditës që shkon,
Mos i mbyllni dritaret,
që ngjajnë me ëndrrat tona
bija të detit e të qartësisë,
të hajthme si një bukë e zezë…

Meqë na duhen mijëvjeçarë
për të farkuar fjalën e zjarrtë,
që asnjë avull në xham
të mos ua shtrëmbërojë fytyrat…

Dhe pastaj të lutemi, të lutemi sërish.
vula shpërthen vetë
kur ne i çojmë sytë
gjer në kufijtë e dritave.
Dhe ja ku jemi, trupa të rrethuar,
në vapën e një çasti
ku e mundshmja zgjohet…

***
Dimri pushton zemrat
si turtullesha të lodhura.
Mos e ndiz llampën.
Mos e ndiz edhe pak.
Nata ëndërron vëngjilla të këndshme
këngësh të fshehta.
Mos eja.Mos eja më.
Deti ka mbetur pa barkat e tij.
Ka mbetur vetëm kjo barkë:

delikatja, e magjepsura,
e mëkuar e tëra me diell
e që e sfilit padurimi,
të presë udhëtarin e saj
bashkëfajtor në atë flakëritje.

GJURMË XHAMASH

Qetësi e ngutshme. Ti më thoshe “Ec, gjej fjalët kyçe”. Unë nuk mundja. Sot e di se ato janë të thjeshta. Ato kanë emrin lule, dashuri, dorë, fytyrë, vdekje, bukuri e vdekjes, trishtim i panjollë. Kështu do t’i ujdis këto flluska të brishta.
A do të ketë një fund? Nuk e mendoj. Por eci përpara.
Guximi duhet të ketë shtatin në gjurmët tona të qelqta.


ANNE – MARIE  SOULIER (Strasbourg)

Anne-Marie Soulier u lind më 1945 në LUNEVILLE (Lorraine). Ajo jetoi fillimisht jashtë shtetit (në Algjeri, në Gjermani, në Angli, në Norvegji); tani jeton në Strasbourg ku jep anglisht.
Ka botuar dy përmbledhje poetike “Eloge de l’abandon”(Lavd braktisjes), 1994 dhe “Patience des puits”(Durim i puseve), 1998. Poezia e saj përshkruan universin e ëndrrave të shqetësuara; ajo bashkëpunon me revista të ndryshme në Francë dhe Jashtë.

***
Llahtari udhëtimesh
Dhembshuri e fjalës udhëtar

Nuk po ju lë
por po mungoj për pak kohë

me qëllim që tek ju gjithçka të jetojë
e të drithërohet pa mua

që fytyrat tuaja aq të dashura
të buzëqeshin pa mua

Si paradhënie ju jap
këto pak çaste nga vdekja ime

***
Deti, deti do të vijë
do të vijë të na ngushëllojë
trupa pa befasime
Në netët pa jargavan

ne do t’i qetësojmë zërat e burrave
thirrja e të cilëve martohet
me një grua në rrugë

CHRISTIANE KELLER (Souvigny)

U lind në ALSACE më 1946 dhe banon në Allier që nga viti 1972.
Njohja me veprën e Jean Sulivan, Rilke, Saint – John Perse, Bachelard, Levinas dhe Bruaire qe përcaktuese për të.
Poezitë e saj u botuan në shumë Revista dhe Antologji. Midis shtatë përmbledhjeve të botuara, “Dhuntia e Verës”, fitoi çmimin Max – Pol Fouchet më 1985 dhe Çmimin e Madh të qytetit Angers.
Anëtare e Komitetit Redaktues të ARPA-s, ajo është botuar në revista dhe Antologji të shumta.
“Një poezi bashleriane e regjistruar në sekretin e prekshëm të një natyre miqësore, një poezi ku harmonia e përgjithshme ka përherë arsye për konflikte të brendshme, një poezi që zbulon përmes peizazheve, fusha të panjohura”.(Jérôme Garcin “L’Evénement du jeudi”).
Jacques Chancel i ka kushtuar një “Quotidien Pluriel” dhe J. P. Jossua ka bërë një ese për poezinë e saj në librin “Histori religjioze e përvojës letrare”.

***
Ja ku po vijnë ditët
kur nën dherat e errët
do të kuturisen të dalin lastarët e rinj
me hovin e pranverës

Atje ku ndodhen të fshehtat e të vdekurve
dhe çatmat mërdhace të dimërimit
do të zhvesh të blertën e kullotave
gjer në floknajën e dehur me dritë

Nga rrënja te frutat
do ta magnetizoj kujtesën  tënde murmuritëse
syrs pas syrsi
si trazimi i dhembshur
i dashnorëve në mëngjes

Prej kaq kohësh
Qëndroj pranë teje

Te qepalla e shtëpisë sime
poshtë sanës së fundit
aty ku spërkatet gjaku i shkurtës
do t’i thërras farës të mugullojë

Në atë stinë
shiu do të jetë i butë
e do të kujtojë qumështin
dhe shijen e lëngjeve
duke përgjuar çastin kur bisqet kanë etje

Atë ditë
ti do të lindësh
nga thellësia e legjendës

***
Ji
ajo që njoh
vajzë e mëngjeseve cigane
rritur nën kurorën e yjeve

Ti ishe ngujuar brenda në zgavër
Nuk e dije ç’është dëshira e çuditshme
ku merr formë kërkimi i etshëm

- Para pak kohësh plasaritjet e mishit
kishin shkrydhur gjunjët e tyre prej argjile -

Në hapësirat e të pathënës
përkëdhelja u ngjit gjer te përqafimi
rrëshqiti nga i përgjumuri gjer te agu shtegtar

Dhe shkëmbimi u bë
në  natën e bariut

Nën brucë u kruspullos
fëmija që kaloi
u përmbys errësira lemerisëse

Nga skuta më e thellë ca fjalë disidente
nxorën forcën e tyre pagëzuese

Kurrë më nuk do të heshtë vera


SYLVIE REFF (Ringendorf)

U lind më 1946 në BISCHWILLER. Studimet Universitare për letërsi i kreu në Strasbourg. Ka dhënë anglisht në shkollën e mesme në Bouxwiller. Banon në Ringendorf, një fshat në Hanauerland. Sylvie ka botuar dhjetë libra, ndër të cilat, përmbledhje poemash, romane dhe një antologji në frëngjisht – gjermanisht. Nga gjuhët që përdor, është gjuha e mëmës, alzasiania që Sylvie pëlqen më tepër. Në këtë gjuhë ajo këndon dhe ka botur tashmë një kasetë që përmban këngë alzasiane në frëngjisht dhe gjermanisht. Ka zhvilluar edhe turne koncertesh si në Gjermani, në Belgjikë, në Luksemburg dhe në Austri. Jeton në fshat me të shoqin dhe katër fëmijët.      
Sylvie ka marrë shumë çmime: Çmimi i Shoqatës së Shkrimtarëve, Alsace, 1976, Çmimi Maurice Betz i Akademisë, Alzace, 1994 etj.

STREHA E ZJARRIT

Dashuria ime në mbrëmje zbret gjer te gjunjët
deti është më rrezëllitës se ditën
mirëbesimi përherë kalëron përpara
dhe pi me ngut yjet.

Gjëja më e bukur është ky vrull i rigjetur
dhe vajtja qetë – qetë gjer në cak të të jetuarit
të zhytesh në burim gjer
te dielli i mëngjesit, sepse tërë të dashuruarit e dinë
njeriu gjen strehë vetëm te zjarri


KOPSHTI I SHPIRTIT

Kopshti i shpirtit nuk është gjithmonë
i mihur nga drita
Të gjitha pemët sidoqoftë i përkulin
gjethet e tyre në drejtimin
e asaj që duket, ndërkohë që ti
na shtyn drejt nga maja e thikës
tmerrësisht e gjallë, atje ku mbetet
vend veç për të kremtuar

VELORE DITËSH

Ditët janë velore të mëdha të bardha
në formë këngësh
që nata i bën më të gjalla
këmbëngulëse për të rrojtur më gjatë
se një turmë çupash të vogla.

me po atë zjarr
që na përshkojë ditët
i kapërcejmë edhe ne. Lodhja ndonjëherë
pandeh se është po ajo që vjen

pa parë zjarrin që rritet
në fund të hangarëve
ah! Të jetosh! Ç’të bësh tjetër?…


COLETTE CLEIN (Paris)

U lind më 1950 në PARIS. Është anëtare e Komitetit redaktues të revistës “Phréatique”dhe presidente e shoqatës “Arts et Jalons”. Ka fituar çmimin poetik për të rinj “François Villon” dhe çmimin “La Rose d’or” (Trëndafili i artë) më 1983.
Ka botuar dymbëdhjetë libra poetikë e dy libra me tregime. Bashkëpunon me shumë revista letrare. Është përfshirë nëpër Antologji Poetike që nga viti 1981. Ka shkruar pjesë për teatër si dhe ka përshtatur për radio disa novela. Clein është edhe piktore.

***

Kisha kaq frikë nga këto rrugë të sajuara për vdekjen
të ndryra në kyç së jashtmi
gjithë ethe
Isha vetë ekzili
gur i shkulur nga muri
që vështron murin tek rrëzohet.


DITA THARMOHET NËN DËBORË

Përpëlitjeve të saj prej zogu i pason një vdekje e ndritshme – trupa të pacënuara, por të mbushura me një drithërimë – Në rrashtë mijëra yje e planete dhe pa – mundë – si – a për të rilindur. Në rrashtë mijëra vështrime e shpirtra dhe fillimi i një jermi.

Të qëndrosh në brendësi të plojës, nën dëborë.
Të qëndrosh aty.

***
Takimi trup me trup
padit kujtesën
si mashtrim të jetës

Në spitalin e pushtuar nga drizat e shpirtit
këndet hedhin tej muret

Por mjafton që nervat të kujtojnë ceremoninë
dhe vdekja hap kanatet.


MARIE FAIVRE (Lyon)

U lind më 1950 në rrethinat e BELFORT-it. Jeton dhe punon në Lyon. E do poezinë, sepse ajo e lidh me botën, e baraspeshon mes pikëpyetjeve dhe metamorfozave. Shkruan edhe prozë. Bashkëpunon me disa revista në Paris, në Mundolsheim, në Nantes dhe në Montreuil.

NË TË VËRTETË ASGJË S’KA NDRYSHUAR

Nëse kanë lulëzuar pemët e reja
Nëse dimrat prej mjalti
e kanë mbyllur plagën
Nëse kujtesa ka rënë në gjumë

Gurët mbajnë mend

Në kopshte, në shtëpi
dëgjoj zërin e tyre
Flakë minerale
Llambë e pavdekshme
mes rreziqeve
që mendja s’i rrok


ASGJË NUK QE E LEHTË

Për të larguar fantazmat
në ndajnatë

Për të kaluar cakun
ku zë fill
rruga e enigmave

Ti nuk ishe aty
për të më mësuar.
Sot
ti nuk je aty,
por unë të përfytyroj

Me ty
asgjë s’është e vështirë.


RIGON MBI VENECIA

Uji i burimit
Lehtësi e ritmit përherë e pranishme

Shiu i vdekshëm

Të dy të puthitur
sa mund të ngatërrohen

Gjatë kohës që njëri
flet me zë të lartë,

tjetri,
mërmërit zërin e dytë
ardhur nga shumë larg
përpara

LILIANE REYNAL (Belfort)

U lind më 1947 në DORDOGNE. Një pjesë të fëmijërisë e kaloi në Gironde, pjesën tjetër në Touraine. Studioi Filozofi dhe Anglisht në Universitetin e Poitiers.Që prej moshës 20 vjeçe jeton në Belfort. Ka dhënë anglisht në Dhomën e Tregtisë e të Industrisë. Eshtë e martuar dhe ka dy fëmijë.
Ka marrë Çmimin e Parë të Poezisë në Belfort më 1991 dhe çmimin Special të jurisë më 1992. Eshtë fituese e Medaljes së Argjendtë të Akademisë Ndërkombëtare të Lutèce-s më 1993. Ka marrë gjithashtu Çmimin e Parë Kombëtar të Poezisë organizuar nga poetët dhe artistet burbonezë më 1993. Ka fituar një Medalje Bronzi në konkursin poetik të Akademisë së Lartë Letrare e Artistike të Francës më 1993. Më 1995 hapi në Belfort një atelie poetike për fëmijë të talentuar.


DASMË

Shungulluese
Pleksur me dallgë dhe fanare

ujëra të mallkuara.

Qerpikët duart gishtat e tu
fryma jote prej kripe
goja jote e ndaluar që thith detin
që thith shtjellën e valëve

gjersa të fundoset
ajo që lëkundet në pluskim

duke qenë pas pak veç një dënesë.

Veç një dënesë.

VARRIM

Bark alabastri i anijembytjeve
ndërsa deti përkund
bashin e anijes që zhytet
mes shkumës dhe heshtjes.

Ndryshk hënën në prushërimin e një reje.
Në festoftë
një grimë uji të gjelbëremë
nga druri i thatë që mbetet.


MONIQUE POURKAT (Jarny)

U lind më 1949 në VERDUN. Ka mbarur studimet për Letërsi Klasike. Jeton dhe jep gjuhë frënge dhe latinisht në Jarny. Ka botuar një vëllim poetik dhe bashkëpunon me revista të ndryshme si: “Impulsions”, “Poésie Presente”, etj. Shkruan shumë, por ka botuar fare pak. Është e martuar dhe ka dy fëmijë.

***
Në rrugën e së dielës
fluturon zëri yt nëpër degë
E zbrazët
do të jetë dora ime
kur ta kap
Ndërsa hëna e mbështjell
gurin
në acar
më shkon mendja tek ty
që nuk qan

***
Rruga e arsyes
është më e gjatë
se kujtesa ime
e pezullt

Nga ti
më ka mbetur
vetëm bota
dhe fjalët
që të flas për të

E strukur në krahët e mi
më e lehtë
se një fije floku.
E di që ti s’je më

BEATRICE MACHET (Saint Antonin du Var)

U lind më 1958 në BROU. Më 1978 kreu studimett paralele për Farmaci dhe për Filozofi. Poezitë e para i recitoi në lokalin e Federatës anarkiste në Tours për publikun. Më 1980 bëri një kurs vallëzimi për të mësuar koreografi bashkëkohore. Nga viti 1981 deri më 1985 mori pjesë në veprimtari të ndryshme artistike. U bë nënë më 1986. Më 1992 dha një shfaqje në mbështetje të popullit kurd dhe hapi një ekspozitë me vizatime e poezi. Më 1993 punoi në atelienë “Vallëzim dhe Teatër’ të shkollës së baletit në Mareille dhe hapi sërish një ekspozitë tjetër me tekste e grafika. Çdo vit kryen një veprimtari madhore që lidhet me pikturën, poezinë dhe vallëzimin.1996-n ia kushtoi poezisë së indianëve të Amerikës.

***
Urtia e zambakut
atje në mugëtirën që josh.
Natën ai bëhet lozonjar
pastaj mbyllet me një fërfërimë mëndafshi.

Më vonë sytë zhdukin grackat
dhe urtia e zambakut frymëron qelibarin
e vetmisë së tij që pret ëndrrat.

***
Sepse ai është gëzim…

plotëri e një qenieje që jepet e tëra
që e tëra u blatohet forcave të jetës.
Sepse  është i dendur dhe muzikë e bukur
Sepse është i fortë e i gjallë si një zjarr brambullitës
Sepse është frymë, po aq i dashur e i fuqishëm
Sepse është energji e pastër
Sepse është lojë nga kënaqësia e guximit
Sepse shpërthimi i emocioneve të tij të rrëmben
të çon në udhëkryq të burimeve

Sepse trupi im është pjesë e trupit të tij
Sepse ai luan me Diellin kukafshehtas si një re
Sepse vrullli i përqendruar në fytyrën e tij imcake
i vallëzon në trup
Sepse kaq e butë është lëkura e tij, kaq të mëdhenj i ka sytë,
kaq çapkën është vështrimi i tij,
Sepse tharmë
ai më ngre peshë mbi shtigjet e adhurimit.


PAOLA PIGANI (LYON)

U lind në ROCHEFOUCAULD (Charente) më 1963. Tani  jeton në Lyon dhe punon në një kopsht fëmijësh. Në kërkim të kufijve “të  mëparshëm” ajo filloi të shkruante që në moshë fare të vogël edhe pse e botoi vonë librin e saj të parë “Le ciel à rebours”(Qielli së prapthi), tek i cili melankolitë paraqiten si bashkëfajtore të një shpirti përherë në kërkim të dritës e të gëzimit të fuqishëm.

***
Drurë ku profilizohen
Vështrimet e një njeriu të vetëm
që koha
kurrë të mos humbë udhën
te hija buron syri i tij
drita i jep etje
ngaherë
durimi i tij hedh rrënjë
e nesërmja nxjerr lastarë në lëngun e duarve
një njeri punon
për të mos vdekur kurrë

***
Nga pema nuk ikën asgjë
direkët shekullorë
bëjnë gjeste shpëtimtare
thuamë, jep shpirt e palëvizshmja?
poetët e rrënuar
ia falin vështrimet e tyre
tokës që përgjumet
ata tundin pemën me flamujt e saj të kaltër
udhëtimi nëpër natën e mohuar, të ngrirë
me mure të njollosura

***
Kjo poezi e varfër
që të gërryen zemrën
ja ti ke bërë me të dy pako
jo më të rënda se hija jote në verë
gjethe të thurura me çaste ikanake
fytyra të dashura e të padashura
një flakë e vetme
pak prush për të nesërmen
pak hi për duart

            Përktheu Feride Papleka

Google+ Followers