Lamtumirë shqiptare për Filippo Bettini-n

AGRON TUFA

AGRON TUFA
U pikëllova shumë pas mesazhit telefonik të Blerinës: “Filippo Bettini vdiq sot…”. Nuk bëhet fjalë thjesht për vdekjen e një 62-vjeçari, një të njohuri në vargun e pafund të njohjeve, që shorti na i sjell dhe kujtesa rreket t’u gjejë një vend, një domethënie të pashkatërrueshme, nëse përndryshe – me kohën që vë përposh male dhe luanë – nuk ia ka dalë t’i zbehë e vagëllojë fytyrat e tyre në fantazma mjegullore. Fill pas një grimë topitjeje, përgjatë gjithë mbrëmjes, nuk m’u shqit profili i qartë i dandy-t aristokrat 55-vjeçar, ashtu siç e kisha njohur unë në verën romane të vitit 2005, veshur thjesht e me shije të paspitulluar, një kompromis i butë midis stilit klasik dhe shpërfilljes altruiste. Profesor Bettini kishte një aurë që përhapte një prani qetësuese; bashkëbiseduesi e ndiente këtë menjëherë, nën vështrimin e thellë e përshëndetës të syve të butë e të kaltër. Ishte i gjithi përqendrim, a thua se rrekej të përthithte dhe nuancat më të holla të fjalëve, gjesteve të tua! Më pati lënë mbresë të thellë konstrukti masiv i kafkës së tij, thuajse pa flokë, që më përqasej me atë të Mishel Fukosë, por mbi të gjitha buzëqeshja e tij, që shkrihej në një pikë të ngulët me vështrimin e syve kaltëroshë, një buzagaz i habitur, fëmijëror, që shpërhapej prej së brendshmi në rrathë koncentrikë dhe derdhej e rrezatonte edhe jashtë tij. Gjatë gjithë kohës 13-ditore në festivalin “Mediterana” që drejtonte, e kam parë të gjente momente për secilin, të shkëputej nga shoqëria e pandarë e mamasë dhe bashkëshortes (përndryshe dhe koleges së tij në “La Sapienza”) dhe t’u avitej t’u kushtonte vëmendje të posaçme çdocilit prej poetëve të huaj, të gjente me ta temën e parapëlqyer të kuvendimit. Gjithë kohën tjetër, para performancave poetike në Romë, Ladispoli, Cerveteri, Santa Marinela, Anzio, Lavinio, Nettuno – profesor Bettini-n e shihje të rrethuar me bashkëpunëtorët dhe asistentet e tij – Blerina Sutën, Cristiana Muto, Camilla Marino etj. Në ato çaste ai njëmend shndërrohej në një “njeri orkestër”. Filippo Bettinni, një ndër miqtë më të sinqertë e të përkushtuar të shqiptarëve, vdiq më 28 korrik 2012. Në e mail-in e dërguar, Blerina më njoftonte se një ditë më parë Bettini i kishte telefonuar për të mësuar më shumë mbi rrethanat e vdekjes së poetit Ali Podrimja, të cilin ai e pati dashur e vlerësuar aq shumë, sa u bë dhe bashkëpërkthyes i librit të tij të vetëm në italisht (“Deserto invasivo, 2007, De Angelis). Kishte vdekur po atë natë nga një infarkt. I mistershëm ky përkim i vdekjes së dyfishtë: të poetit dhe përkthyesit të tij.

2

Përse vallë t’i interesonin shqiptarët një profesori roman të “La Sapienza”-s, këtij teoricieni, studiuesi e kritiku të famshëm letrar të neoavangardës? Së bashku me Francesco Muzzioli-in, Marcello Carlino-n, Aldo Mastropasqua-n, Giorgio Patrizi-n, Filippo Bettini përndezi debatin letrar italian e më gjerë të viteve ’70 me inkursionet teorike e analizat e mprehta interpretuese të krijimtarisë së Gramsci-t, Edoardo Caçiatore-s, Paolo Volponi-it etj. Më vonë, në vitet ‘80-‘90, kemi një arrati pasionante të Bettini-t në kërkim të fillit të Ariadnës -një rindërtimin i historisë së Romës, përmes poezive të shkruara përgjatë kohërave, duk u shndërruar një guidë intelektuale erudicioni e meditimi mbi marrëdhëniet e muzave me qytetin e përjetshëm. E pra, ky bir i qytetërimit, bashkëpunëtor e redaktor revistash shkencore, themelues dhe drejtues i festivalit ndërkontinental “Mediterranea”, botues i katalogëve poetikë në gjuhët origjinale dhe italiane, përse interesohej për kulturën shqiptare, për praninë dhe përfaqësimin e saj në ballafaqimet më të larta me kulturat e tjera të kontinentit? Fare pak gjëra dija mbi Filippo Bettini-n. Isha student në institutin “Gorki”, kur emrin e tij ma pati përmendur për herë të parë studiuesja dhe kolegia ime, Blerina Suta. Edhe këtë herë kishte qenë profesor Bettini që i kishte sugjeruar koleges sime “të zgjidhte e të përkthente një poet të ri shqiptar” për të marrë pjesë në konkursin ndërkombëtar të poezisë “Tivoli”, që mbahej në Romë. Dy vite rresht u përfaqësova në atë konkurs, duke zënë dy herë vendin e dytë. Në të dyja herët në juri kishte qenë një profesor i “La Sapienza”-s me mbiemër Nishi, që kishte ngritur kartonin me zero pikë, përkundër vlerësimeve maksimale të jurisë. Ky profesor shqiptarofob kishte një bindje për prejardhjen e tij të largët serbe, nga qyteti i Nishit. Gjesti i tij e kishte lënduar shumë Bettini-n. Për mua mbetej e habitshme përse i afronte dhe i ndihmonte shqiptarët profesori roman. Mos vallë, thjesht për një farë hoby ekzotik? Përse këmbëngulte të tërhiqte sa më shumë studentë shqiptarë në “La Sapienza” e mandej, t’i udhëhiqte në studimet pasuniversitare? Mos ndoshta nga një mëshirë humane, duke ditur historinë në zgrip të mbijetesës së shqiptarëve? Përse kur ishte president i çmimit prestigjioz “Ferronia”, ai ia dha këtë çmim Ismail Kadaresë në 1999-n, pikërisht para momentit historik të bombardimeve mbi Serbi? Përmbledhja e përvjetorit të dhjetë të këtij çmimi, për vitin 1999 ka si titull një varg të poezisë së Podrimjes: “Quel dio che non avemmo”. I papranishëm në takim me motivin “jam i zënë për të varrosur të vdekurit e mi”, Podrimja i dha ngjyrën e tragjedisë ballkanike kësaj ngjarjeje të zhvilluar në Campidoglio, pikërisht kur ngjitur, ne “Altare della Patria”, ngriheshin flamuj protestash kundër bombardimeve. Përse vallë këmbënguli aq shumë profesor Bettini të nguliste në kulturën italiane autorët shqiptarë, duke marrë vetë pjesë në përkthimin e krijimtarisë e mundësimin e botimeve të poetëve shqiptarë F. Arapi, V. Zhiti, A. Podrimja, A. Tufa, G. Hajdari? Mos vallë, si njohës i hollë i historisë, ky shkencëtar italian ndiente ndofarë pendese për vitet tragjike të pushtimit të Shqipërisë nga bashkëkombësit e tij fashistë? Por kur në edicionin e festivalit “Meditteranea” 2009 që ai drejtonte, nxiti e mundësoi në qendër të Romës një ekspozitë rrëqethëse me masakrat, varret masive, fëmijët dhe femrat e hedhura puseve, rrënojat e shkatërrimet në Kosovë, e sidomos me varganët apokaliptikë të të dëbuarve shqiptarë nga ushtria, policia dhe paramilitarët serbë, pra, kur ekspozita e krimeve serbe në Kosovë iu ekspozua mijëra vizitorëve të llahtarisur nga gjithë Europa dhe kur ambasadori serb në Romë e paditi në Gjykatë si “nxitës të urrejtjes ndëretnike”, atëherë po, them se dija diçka për këtë shqiptardashës e shqiptarmbrojtës, që vepronte i vetmuar, në kokë të vet e për kulmin e kënaqësisë që i jepte një lidhje e fortë, e vjetër dhe e fshehtë, e siç do ta shohim, lidhje edhe familjare me Shqipërinë dhe Kosovën.

3.

Amfiteatër antik në gjirin e detit Tirren. Në programin e Festivalit, në Lavinio, atë mbrëmje gushti me hënë thuajse të plotë, në orën 11:00 të natës do të lexoheshin për 1 orë e gjysmë pjesë nga poema e Virgjilit “Eneida”. Asnjë dritë, përveç rrezeve të plota të hënës. Sipas Virgjilit dhe shkrimtarëve romakë, në atë gji deti thuhej se kishte zbritur sefte në tokën romane Eneu, duke e braktisur Kartagjenën dhe mbretëreshën e saj Didona, në emër të themelimit të dinastisë së tij lavdimadhe perandorake. Ishte qetësi e përkryer para fillimit të leximeve: vetëm llokoçitja e dallgëve të detit dëgjohej tej mureve të amfiteatrit. Mandej zërat e aktorëve në latinisht dhe italisht, nën hënën e ulur mbi det, krijuan efektet e magjishme të një transcendence metahistorike. Soara u bënë fir shekujt; udhëtimi i ngadaltë i Eneut, si shigjeta e Eleatit; ankorimi në brigje, mandej – zbritja dhe pesha tragjike, solemne e rrëmeteve të bartura të Trojës – dridhej e shpleksej nën ritmet e dallgëve dhe hekzametrit latin. Jehu e kumbi i kësaj ligjërate shtrohej e tëhollej filigran në muzikalitetin e përjetshëm dadaist të italishtes. Kur mbaroi magjia, u zhvendosëm në qendër të qytetit, një shesh tipik mesjetar, stërgjyshi dhe arketipi i të gjitha qyteteve të vjetra europiane. Në mes të këtij sheshi qe shtruar gostia me gjithë bujarinë e parajsës gastronomike italiane. Erdhi nga dikah makina që solli mamanë e profesor Bettini-t. Ajo ishte një plakë 84-vjeçare, bionde, me taka e shtatlartë, e stolisur nga vargje stringlash xixëlluese, si një perandoreshë. Më kishte bërë përshtypje përshëndoshja që i bënte i biri: ai i dilte para, i zgjaste dorën të zbriste nga makina dhe, mandej, ia puthte dorën dhe e vinte mbi zemrën e tij, duke e parë drejt në sy. Edhe atë mbrëmje, e ëma, së bashku me të birin dhe bashkëshorten e tij, u ulën bashkë. Pak e fije, në disa prej tavolinave filloi kënga. Këndohej në gjuhët nga vinin poetët. Në tavolinën tonë ku qemë ulur unë, Blerina, Gëzim Hajdari, një violonçeliste shqiptare dhe një emigrant nga Lezha – kishte qetësi. Dhe me sa duket, ne nuk kishim ndërmend ta provonim. Nga tavolina e profesor Bettini-t, kundruall, pashë të ngrihej e ëma. E drejtë, shtatlartë, me një ecje të sigurt e disi nervoze, nën kërcitje takash e tringëllima xhinglash, ajo po vinte drejt nesh. Dhe njëmend u ndal para tavolinës sonë. Na përfshiu me një vështrim të sertë e blu dhe ashtu, me duart në bel, na foli qortueshëm me një shqipe të pastër: “Po ju, pse nuk këndoni? Këndoni pra! A jeni shqiptarë, a ç’jeni!?”. Mbeta i ngurosur nga habia. Si ka mundësi… mamaja e Bettini-t foli shqip, a qe shajni e gjithë kjo…? Blerina më tha shkurt: “Ta shpjegoj më vonë”. Por plaka vazhdonte të na shihte me qortim dhe priste përgjigje. Atëherë, thjesht sa për të dalë nga heshtja, i thashë: “po çfarë doni të këndojmë, zonjë?”. “Këndoni, – tha ajo, – s’ka rëndësi se çfarë… këndoni: “Bini toskë e bini gegë/ si dy rrfe qi shkojnë tue u djegë!”. Pastaj po me atë hap solemn u kthye tek i biri.

4.

Për fat të keq e kam harruar emrin e mamasë së Filippo Bettini-t. Vajzë e vetme prindërish intelektualë, në moshë fort të re ajo ra në dashuri me studentin e Akademisë Ushtarake, Xhemal Rexhën. Nuk dihet gjë rreth këtij ish-oficeri me fat tragjik të Mbretërisë shqiptare, por rastësisht, kur ia pata treguar këtë histori gazetarit të njohur Besnik Dizdari, ai më siguroi që Xhemali ka qenë bash vllau i Zekria Rexhës, intelektual, politikan e patriot shqiptar, që u përjashtua nga parlamenti jugosllav për konfrontimin e hapur që pati në një seancë në lidhje me të drejtat e shqiptarëve të Kosovës. Më vonë e dëbuan në Shqipëri ku vuajti për një farë kohe internimin, mandej, pas lirimit, ka qenë profesor i frëngjishtes në Liceun artistik. Prej Zekria Rexhës na ka mbetur përkthimi i parë i jashtëzakonshëm në gegnisht i kryeveprës së Gustav Floberit “Zonja Bovari”. Po për të vëllain, Xhemalin, nuk kam arritur të gjej ndonjë të dhënë, përveç asaj që dihet. Studenti i ri, Xhemal Rexha, i dashuruar marrëzisht me vajzën dhe i refuzuar nga prindërit e saj, vendosi ta rrëmbejë atë në mbarim të studimeve. Në fund të viteve ’30, çifti i sapomartuar u vendos në Tiranë. Xhemali filloi karrierën ushtarake në Ushtrinë Kombëtare të Mbretërisë. Pas një viti u transferua me nusen e tij të re në Korçë. Atje u lindi dhe djali i tyre, Luani. Ishin shumë të lumtur. Fëmija nuk kishte mbushur 2 vjeç, kur Italia e Musolinit pushtoi Shqipërinë. Thonë se në një nga ditët e para të pushtimit, kolegët e tij i hidhnin përditë nga një fjalë të rëndë: “Gëzohu zotni Xhemali, gëzohu! Të erdhi më në fund dita jote! Gëzohu e bëj sehir, me gruen e tët bir, se për këtë ditë je lutë e mundue!”. Për oficerin e ri kosovar të Ushtrisë Kombëtare, këto fjalë e kishin mbushur kupën. Kthehet në zyrën e vet, shkruan një letër të shkurtër lamtumire për miqtë e ngushtë me amanetin: “Ma vrisni djalin. Gruen, gjeni mënyrën e ma ktheni tek prindët e vet.” Kuptohet, miqtë ia plotësuan veç gjysmën e amanetit: gjetën një avion dhe e nisën për në Romë gruan e të ndjerit, bashkë me djalin, Luanin. Në vitet e vështira të pasluftës, në përpjekjet për mbijetesë, është pikërisht ky Luan (që kurrë nuk e përshtati emrin në Leone), që luan rolin vendimtar në mbajtjen e familjes. Gjatë gjithë jetës ai punoi gazetar i ANSA-s nga Parisi. Pas martesës së dytë, ai ishte shumë i lidhur me të vëllain, Filippo-n, një lidhje ideale, e ndërsjellë. Kur Filippo-n e vogël e pyesnin “çfarë dëshiron të bëhesh kur të rritesh?”, ai përgjigjej: “Luan!”. Këtë dashuri ata e ruajtën gjatë gjithë jetës. Edhe tani, thoshte Blerina, kur pret të vijë Luani nga Parisi, profesor Bettini e spastron axhendën nga të gjitha detyrimet, për të ndenjur me të vëllain, të cilin vazhdon ta ketë kult. Profesor Filippo Bettini ëndërronte të vinte në Shqipëri. Jo thjesht si vizitor, por si njeri i kulturës. Për fat të keq, dy ftesa zyrtare në vitet 2001 dhe 2005, njëherë nga Bashkia e Tiranës dhe herë tjetër nga MTKRS, u anuluan, meqë aktivitetet ku qe ftuar, dështuan. Ky shqiptardashës nuk arriti ta shohë vendin për të cilin kishte dhënë kontributin e tij plot dashuri. Tani që Filippo Bettini nuk është më, jo vetëm për kujtimin e dashur që ka lënë tek unë, por në emër të gjithë atyre shqiptarëve që ka ndihmuar dhe çështjeve shqiptare që ka përkrahur, na takon të vëmë dorën në zemër dhe, të mbushur me mirënjohje për këtë bir të tokës romane, që na deshi pa kërkuar të duket, t’i themi: Lamtumirë mik! Paqja e Zotit qoftë me ty!

Google+ Followers