Konica më 1905: Të zgjedhim toskërishten apo gegnishten

Faik Konica

Faik Konica
Botuar më 1905


Një nga çështjet më të rënda të literaturës shqipe është pa fjalë edhe çështja e themelimit të një gjuhe letrare. Kemi nëntë vjet që shënuam, këtu, nevojën e atij themelimi, kemi nëntë vjet, që,- duke trajtuar “Albanien” si një urë të vërtetë për të bashkuar gegët dhe toskët (të cilët gjeri atëhërë ishin si vendasit e dy ansujave të lidhura bashkë me avullore) – gatitmë udhën e atij thelemimi aq të nëvojshëm, sa pa të nuk do të quhej kurrë komb i vërtetë populli ynë. Ca kaptie, ca alkoolikë, ca kafshë, armiq të amëshuar te çdopërparimi të cilët e marin kufirin e mendjes së tyre për kufirin e botës, nuk e kanë pëlqyer kurrë këtë qëllim tonin. Vërtet, është më mirë të pijë rakie njeriu, të pështyjë të shara, se të përpiqet të kuptojë. Po këtu kuptimi s’është i vështirë. A ka punë më të kulluar e më të kuptueshme se kjo?
Gjer më sot shqiptarët nuk kanë njohur si jetë të përbashkshme, përveç jetën e katundit a qytetit, prandaj, cilido ka qenë i kënaqyr me dialektin e rretheve ku jetonte. Sot shqiptarët zunë të rrojnë një jetë më të gjerë, jetën kombëtare. Ky zgjerim i madh në jetë, na shtrëngon të zgjerojmë edhe gjuhën. Ky trup i ri, kombi- ka nevojë për një organ të ri. Si do ta ndjejë shqiptari i Pejës që është në një komb me shqiptarin e Filati, kur të mos jetë një gjuhë e përbashkët mes tyre? Secilido që ka ca derhem tru në kokë, kupton se më e madhja nevojë që kemi sot ne shqiptarët është për një gjuhë të përbashkshme, letrare. Sot librat që shtypen s’hyjnë në punë, përveç në qytete të autorit. Vetë pa thënë se, përe shqiptarët sadomos të ditur është një lodrë të kuptojnë e të shkruajnë çdo dialekt…qoftë. Po flas për shumësien. Duhet të vihemi në vend të shqiptarëve të mirë, pot ë paditur, në vesh të të cilëve ai më i vogli ndryshon nga dialekti i veçantë i tyre, tingëllon sin ë gjë e huaj dhe e pakuptueshme. Si të marrim vesh atëherë një shqipe që ndryshon në çdo libër?

Po le të themelojmë një gjuhë të përbashkshme, me te cilën të shkruhen të gjithë librat, – dhe njeriu më i pagdhendur, duke parë kudo e kurdoherë fjalë të shkruara me një fytyrë, gjëra të thëna me një mënyrë, do t’kuptoj mirë e do t’këndojë me gaz se veshi do t’i mësohet në pak kohë. Si duhet bërë, pra, që të trajtojmë edhe ne një gjuhë letrare të përbashkshme?
Në shume fise goditi që ca shkronjëtarë të mëdhenj, duke i dhënë dialektit të tyre një shkëlqim të madh, e ngijtën më sipër se dialektet e tjerë, dhe me kohë dialekti i tyre u njoh, a, për të përdorur një fjalë më të vërtetë, mbretëroi vetëm si gjuha e përbashkshme e vendit. Po ne s’kemi oborr; dhe koha na mungon për të lënë dialektet që rriten gjersa më në fund, dialekti më i zoti, i zgjedhur natyrisht, të dalë më sipër se të tjerët e të mbretërojë si gjuha e përgjithshme e Shqipërisë.
Këtu si për abece e për orthografi jemi të shtrënguar të vemi shpejt, duke bërë me të marr veshë atë punë që koha do ta bënte më mirë se ne sikur të prisjëm dot. Si duhet të merremi vesh atëhërë? E, për të nisur cilat janë parimet themelore që na ndritin udhën? Jam gati e pres me padurim mendimet e shkronjëtorëve shqiptarë, si edhe të gjith’ atyre që duhan të na ndihin në këtë vepër. Sa për mua, mendimi im mund të shkurtohet në nja dy fjalë: Është një gjë e thënë popullore në Shqipëri. “Turqisht’ e Stambollit, greqisht e Anthinës, (siç) shqip e Elbasanit. “Mjerisht Elbasani sado q’është qendra e Shqipërisë, flet gegërisht, dhe lartësimi i dialektit elbasanor në shkallë të gjuhës letrare do të jetë dënimi i toskërishtes. Nuk mundim, pra, të zgjedhim dialektin e Elbasanit si udhëheqës e si pajtor. Le ta shkoqit mendimin tim ca më gjerë, sado qëllimi im në këtë artikull është më tepër të tregojë nevojën e një gjuhe të përbashkshme se mjetin për të përmbushur këtë nevojë.
Është sigurt se nuk kemi në dorë të forcojmë botën të sillet si e do arsyeja, atdhesia, nevoja e kohës. Edhe ta kishim në dorë s’jemi nga ata që kllasin gjindarmërit në fyshë të mendjes. Po besoj se do të kemi një autoritet të vërtetë përmi shqiptarëte arsyeshëm: autoritetin e njerëzve që, duke shkuar një kohë të kushtueshme në mundime për të lartësuar gjuhën shqipe, nuk duan të heqin botën posi dele; po duan t’i japin secilido të kuptojë.

Google+ Followers