Ernest Koliqi dhe problemi shqiptar


Kristaq Jorgo


1. Zgjidhja e problemit shqiptar përkufizohet shpesh si lufta kundër robërimit, ndarjes e copëtimit tonë historik në përpjekje për njëmendësimin e bashkimit politiko-shpirtëror të gjindjes shqiptare. Zgjidhjes së këtij problemi, kështu të konceptuar, i kanë falur jetën, mendjen dhe shpirtin breza të tërë dhe individë të panumurt. Rezultat i veprës së tyre jemi ne, shqiptarët e sotëm, shoqëria dhe kultura jonë.
Në të vërtetë, ky nuk është i tërë problemi shqiptar; ky është një pjesë e tij, pjesë tejet e rëndësishme - trungu dhe mbuloja. Por jo thelbi. Thelbi është tjetër. I kanë falur jetën, mendjen dhe shpirtin atij të tjerë shqiptarë, veç jo breza, por individë, jo të panumurt, por të paktë.
Një ndër ta, Ernest Koliqi.

2. Njohësi më i mirë i thelbit të problemitnë fillimshekullin XX, Faik Konica, nënvizonte: “Shqiptarit i mungon ideali”, “Njeriu për njeriun ujk, shqiptari për shqiptarin akoma dhe më ujk”. Në përpjekje për ta kuptuar disi thellësinë e për ta pranuar disi hidhësinë koniciane mund të thuhej: Ka një problem njerëzor, ka dhe një problem shqiptar, pjesë e njerëzorit ky, pa dyshim, por pjesë e majisur më thekshëm.
Qe thënë para Konicës, në kohën e tij, pas tij, vijon të thuhet edhe sot: "Armiku më i madh i njeriut është vetë njeriu". Por cili përfaqësues i një tjetër etnie ka mundur të thotë për bashkëkombasit e vet atë që Konica tha për të tijët: "Armiqtë më të mëdhenj të shqiptarëve janë vetë shqiptarët"?

3. Koliqi, njohësi më i thellë i thelbit të problemit pas Konicës, duke folur për kohën e turbullt midis dy Luftërave Botërore, kur, sipas tij, dhjetëra tendencave kundërshtuese e përplasëse të brendshme u shtoheshin dhjetëra të tjera ardhur nga jashtë, formulon frazën lapidare: "Dhe erdhi një moment kur ngjarjet u bânë mâ të mëdha se njerëzit." Me të tjera fjalë, sado idealist, sado vizionar, sado heroik njeriu, nuk ishte e mundur të shpëtonte prej atyre ngjarjeve i panjollosur më pak a më shumë, me ëndrra të pathyera a të patretura, pa plagë të vogla a të mëdha.
Ne mund të thoshim se në truallin shqiptar ngjarjet gjithnjë kanë qenë dhe vijojnë të jenë më të mëdha se njerëzit.
Rreth mesit të shek.XX, pyetjes, nga pozita moisiane e ekzilit, se ç’mund të bënin shqiptarët për ndryshimin e fatit të tyre kolektiv në kontekstin e atëhershëm gjeopolitik të botës, Koliqi i përgjigjej thjesht: tash për tash asgjë. Por ata duhet të bënin, sipas tij, doemos diçka, a më mirë shumëçka, për t’u gatitur për çastin pas mbarimit të Luftës së Ftohtë e rënies së Perdes së Hekurt. Dhe ajo që duhet të bënin ishte të bashkoheshin e të rrihnin mendjen për të zbuluar formulën e Shqipërisë së ardhshme, formulën e një Shqipërie, në të cilën, kështu meditonte Koliqi, jo vetëm çdo klasë e shtresë shoqërore, jo vetëm çdo krahinë e grupim politik, por çdo shqiptar pa përjashtim, edhe i hedhuri prej fatit në qoshen më të largët të botës, do ta ndjente veten si në shtëpinë e tij.

4. Ne mund të themi se kjo formulë, për të cilën apelonte Ernest Koliqi, edhe sot, pas gjysmë shekulli, jo vetëm nuk është zbatuar; ajo nuk është ende zbuluar. Nuk na e do zemra të mendojmë se nevoja për të as që shtrohet.
Thuhet sot, nga njohës të thelbit të problemit në fillimshekullin XXI, se Shqipëria është, më saktë vijon të mbetet, një si traumë e botës. Një traumë zanafillore kjo, e përsëritur, e thelluar dhe e kapitalizuar vijimisht në të ardhmen.
Traumë, pse problemi shqiptar është tepër i rëndë, tepër i ngatërruar, tepër i thellë, sa i ngjajshëm aq dhe i pangjajshëm me të tjerë: zgjidhja e tij qëndron përtej së mirës dhe së keqes së rëndomtë, përtej ideologjive dhe politikave të ditës, përtej modeleve të derisotpërdorur. Të kish qenë ndryshe, stërgjyshërit a gjyshërit tanë do ta kishin zgjidhur, siç i kanë zgjidhur problemet e tyre stërgjyshërit a gjyshërit e vëllezërve tanë të kësaj bote.

5. E gjithë jeta e vepra e Ernest Koliqit është e lidhur pas njohjes e zgjidhjes së këtij problemi. Ai jeton për të, krijon për të, studion për të, vepron për të, rrezikon për të, gabon për të. Pasi problemi shqiptar nuk është thjesht problem dijeje e vullneti, por jete dhe ekzistence, çështje e një synimi dhe e një kuptimi të epërm.
Koliqi i rreket problemit shqiptar në të gjitha prerjet e tij, si problem shpirtëror, shoqëror, historik, antropologjik, psikologjik, filozofik, politik, gjuhësor, letrar e, jo më së fundmi, si problem jetësor. Dhe në secilën nga këto prerje është ndërtues, themelvënës a reformues i një lloji të veçantë.
Pa asnjë përjashtim, struktura e thellë e të gjitha veprave të tij - por dhe e jetës së tij - i ngjan një sfere, brenda së cilës një element - dhe ai vetë - i afrohet e i largohet vijueshëm bërthamës, problemit, Atdheut, lidhja me të cilët është e pashmangshme.
Jo vetëm me anët e shumta të shndritshme të tij por dhe me anët e pakta të mugëta të tij Koliqi i shërben ndriçimit dhe zgjidhjes së thelbit të problemit shqiptar.
I shërben, ndër të tjera, duke u bërë problemi ynë, po të kujtojmë maksimën, sipas të cilës, shigjetojmë tek të tjerët atë çka nuk duam t’ia pranojmë vetes.

6. Dhe njeriu-kolektivitet shqiptar nuk e pranon përbaltjen, gabimin, fajin... e vet! Njeriu-kolektivitet shqiptar ka aversion ndaj historisë së vet, ndaj së kaluarës së vet. E rifillon ai periodikisht shumëçka nga e para. Gjithmonë ka qenë njeriu-kolektivitet shqiptar ai që është sot: shenjtori, më i miri, martiri! Njeriun-kolektivitet shqiptar e shenjon kompleksi i virgjinitetit: kurdoherë virgjin vetëndjehet e vetëshpallet ai. Cilësi këto që, paradoksalisht, kanë sjellë edhe mbijetesën, por edhe prapambetjen e racës. Që sjellin edhe përparimin, por edhe degradimin e shoqërisë. Edhe lartësimin, por edhe vetërënien e njeriut.
Aversioni ndaj historisë, rifillimi periodik nga e para dhe kompleksi i virgjinitetit (në thelb e njëjta gjë) largojnë prej nesh pranimin, kapërcimin a përballimin, ekonomizimin a zgjidhjen e kontradiktave, e konflikteve të brendshme, e dikotomive organike, e anarkive ‘noliane’, largojnë prej nesh njohjen, kuptimësimin a funksionalizimin e kompleksitetit të skajshëm, me të cilat është shenjuar që në gjenezë e pa të cilat nuk mund të kuptohet kjo botë e jona shqiptare.
Zgjidhjet që njeriu-kolektivitet shqiptar i jep nga koha në kohë problemit të vet, edhe atëhere kur ato ngjajnë diametralisht të kundërta, janë më shumë a më pak emanacion i së njëjtës paradigmë, i paradigmës që e shpërfill thelbin e problemit. Ndërkaq përballimi i thelbit të problemit lyp një paradigmë vërtet të re, e kjo nga ana e vet zbulimin, njohjen, pranimin e sendërtimin e formulës, për të cilën ka vrarë mendjen, ka kulluar shpirtin, ka jetuar-krijuar-punuar-luftuar-gabuar-pësuar, ndër të tjerë, Ernest Koliqi.
Por ata që vrasin mendjen, që kullojnë shpirtin, ata që jetojnë-krijojnë-punojnë-luftojnë-gabojnë-pësojnë në përpjekje për ndriçimin e thelbit të problemit, për zbulimin e sendërtimin e formulës, ata, më së shpeshti, shenjohen me gisht nga njeriu-kolektivitet shqiptar, ata e turbullojnë paradigmën e tij shekullore: aversion ndaj së kaluarës - rifillim periodik nga e para - kompleks i virgjinitetit, ata e shqetësojnë vizionin e tij ‘largpamës’: sot në sabah për sot në aksham, ata bëhen kur-e-kur armiku i tij, e thuajse gjithmonë problemi i tij.
Kështu Koliqi: kur-e-kur armiku ynë, thuajse gjithmonë problemi ynë. Problem të cilin nuk e kemi zgjidhur, nuk duam ta zgjidhim. Pa këtë problem ndihemi të sigurt; me këtë problem toka na rrëshqet nën këmbë. Problemi veç është e mbetet. Te ne.
           
7. Ngjarjet janë më të mëdha se njerëzit? Apo njerëzit janë më të vegjël se ngjarjet? Apo të dyja këto bashkë?
           
8. Gjermanët, pas tragjedisë së Luftës së Dytë Botërore, përballuan e zgjidhën problemin e fajit të tyre kolektiv e individual.
 Problemi ynë është më i vështirë dhe njëherësh më elementar se ky: në krye të herës problemi i moskuptimit, problemi i mosbashkimit, së pari, në njohje.
Ne jo vetëm nuk e pranojmë, ne nuk e njohim, kolektivisht e individualisht, fat-fajin. Fat-fajin tonë, kuptohet. Për njëmijëenjë arsye pranim-njohja e tij na është, deri më tash, vështirësuar. Pranim-njohjen e tij e kemi, deri më tash, pamundësuar.
Nën këtë qiell shqiptar, ku ngjarjet janë më të mëdha se njerëzit (dhe/apo njerëzit më të vegjël se ngjarjet), individët i ngjajnë, thuajse pa përjashtim, fëmijëve që kanë humbur rrugën. A mundemi ne, fëmijët e sotëm të po kësaj historie, ne rrugëhumburit e shekullit XX apo XXI, a mundemi ne, fëmijët e sotëm, të tregojmë me gisht një shokun tonë, një vëllain tonë, fëmijë si ne, për gabimin e bërë prej tij?
Mund e madje duhet, nga perspektiva e trungut dhe e mbulojës së problemit- dhe këtë e bën me zell njeriu shqiptar. Nuk duhet, pasi s’mundet, nga perspektiva e thelbit të problemit - dhe kësaj i shmanget njeriu shqiptar.

9.  Do të desha të tingëllojnë këtu, në tempullin që Koliqi e bashkëideoi dhe që i pari e njëmendësoi, ca fjalë të mrekullueshme të tij, në të cilat, ndër të tjera, kështu ma ka ënda të besoj, lidhja mes mjeshtrit e Problemit shpaloset simbolikisht në mënyrë magjistrale.
Le të vërehen sintagmat “sekret kryesuer”, “në fund të rruzullimit”, “vegimi i çmeritshëm”, “terri i dendun”, “qandër errsije ku gjimon në robni e vërteta”, “gjum i palavdi i vllazënve”, “shpirt i mshefun i sendeve”, “lajm i kulluet lirije e shpërblimi”.
“...shpirti i im u hap në nji vegim të pamatun tue kapërcye rrathët e shtëpís, të Shqipnís e  të Gjithësìs. Bjeshkët mâ të harrueme t`atdheut, viset mâ të largta të botës i pásh qartas, si t`ishin të përfshîme mbrenda  dritës së syve të ballit... Edhe n`at vegim me të marrë mendt, ngadhnjente ajrija e lume ku më dukej se papritmas nji sekret kryesuer do të delte në shesh.
 Shpirti i im rroku gjithëshkafen, e mblodhi dritë gjithkund tue derdhun njiherit an`e kand vezullimin e vet, deri sa u shkrep në fund të rruzullimit ke nji megje qi deshti të kapërcejë edhe s’mujt. Flatra qi lëvitte gjithënji ndoshta lypej për të vazhdue fluturimin e madh, por ajo rrihte, e robnueme në terr mbrenda meje, pa mujtë m’u shkepë mishit. Mbylla sýt i turbulluem. Edhe me sý  mbyllë vegimi i çmeritshëm qendronte në të pám t`im. Shpirti e trupi më shkelqejshin me dritë e me flakë. Vetëm aty ku vuente flatra e ngratë terri i dendun nuk zhdavaritej kurrsesi.
E atëherë e kuptova se ç’do njerí e send i botës përmban në vetvete nji qandërr errsije ku gjimon në robní e Vërteta e se âsht bukurija e saj qi i falë ngjyre të lylyverta përjashta rrokullís e njerzimit. E nji deshir i thershëm më pushtoi me e hapë burgun mbrenda meje ku vuente flatra në përpjekje të pafuqishme lirimi edhe burgjet e panjehuna ku mshefet bukurija e vërtetë e sendeve të botës, me i këputë verigat qi mbajnë të ngujueme në heshtje e n’errsí fytyrën e vërtetë t’onë e të çdo njeriu, a gjâsendi qi na rrethon. Vetëm ajo flatër e kapërthyeme në mish, qi lëvitte në mue, vetëm ajo ndoshta mund të më ndihmonte me përhapun nji lajm të kulluet lirije e shpërblimi sipër shpirtit të mshefun të sendeve e sipër gjumit të palavdí të vëllazenve.”

10. Ky kuvend në prag të një dite të shenjtë (Krishtlindjes – K.J.) është një ogur i mbarë. Portreti (i Ernest Koliqit – K.J.) në sytë e të gjithëve më ngjan me një simbol. Ka hyrë për herë të parë (!) në këtë shtëpi të shkencës shqiptare (selia e Akademisë së Shkencave – K.J.) ai që tok me të ndritur të tjerë ia vuri gurin e themelit. Hyn një përmasë e re, lartësuese, emancipuese. Një fllad purifikues i përshkon tash muret, don t’i përshkojë edhe shpirtërat... Le t’i dorëzohemi këtij flladi. Le të bëhemi fëmijë. Le ta kuptojmë e ndjejmë njëri-tjetrin. Dhe tok me fëmijët e tjerë të këtij vendi, të shekujve e të dekadave të shkuara e me ata që do të vijnë, me fëmijët e këtij vendi ku ngjarjet janë “mâ të mëdha se njerëzit”, le të përpiqemi të ndriçojmë at “qandër errsije ku gjimon në robni e Vërteta”, të përpiqemi të rritemi, të bëhemi të mëdhenj, të mëdhenj sa ngjarjet, më të mëdhenj se ngjarjet, ta zbulojmë e sendërtojmë formulën, ta shërojmë traumën e pashëruar të shpirtit e të fatit tonë kolektiv, Shqipërinë.
Dhimbja e këtij ndriçimi shërues do të jetë, me siguri, tepër e rëndë, por fitorja do ta kapërcejë ku e ku atë.

Fjalë e mbajtur në simpoziumin “Ernest Koliqi (1903-1975) – Jeta dhe vepra” organizuar më 21 dhjetor 2003 nga Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë i Akademisë së Shkencave me rastin e 100-vjetorit të lindjes së Ernest Koliqit.)

Google+ Followers