E shenjta

RUDIAN ZEKTHI

RUDIAN ZEKTHI
E shenjtë është çfarëdo entiteti apo dukuri që themelon, legjitimon apo garanton ekzistencën e përbashkët të një bashkësie njerëzish. Duke e konsideruar jetike këtë ekzistencë në bashkësi, për pjesëtarët e saj gjithë çfarë i bashkon është më e rëndësishme se çfarëdo dhuntie ekzistenciale personale, dhe vetëm nëpërmjet këtij raporti të individëve me bashkësinë fiton statusin e të qenit e paprekshme, e pacenueshme. Pra vetëm ky raport bën të mundshme të shfaqet detyrimi për pacenueshmëri, i cili, nga ana tjetër, e shfaq si dukuri sociale të shenjtën.

2. E shenjta, pra, është një dukuri sociale – nëpërmjet së shenjtës një bashkësi formohet dhe krijon identitetin e saj të dallueshëm nga bashkësitë e tjera. Është e vërtetë se ky koncept zanafillor dhe i përhershëm i së shenjtës është mjegulluar dhe relativizuar në kohën tonë si pasojë e faktit që individët, duke e zotëruar intuitivisht lidhjen mes së pacenueshmes dhe së shenjtës, gjithmonë e më tepër i konsiderojnë realitetet e tyre individuale si të paprekshme duke i shpallur të shenjta. Mirëpo e shenjta nuk është një fenomen individual – psikologjik, por kolektiv – social.

3. Sepse e shenjta legjitimon apo garanton domosdoshmërinë e të qenit bashkësi të individëve vetëm duke qenë një realitet që i tejkalon pjesëtarët e kësaj bashkësie, një realitet që secili prej tyre i vetëm nuk ia ruan dot paprekshmërinë. Në këtë mënyrë, e shenjta është një nga dhuntitë që dallon (edhe në mungesë të çfarëdo kriteri tjetër) për nga mënyra e të qenit individin nga bashkësia: individi mund të ketë gjëra të paprekshme (por jo të shenjta), kurse bashkësia nëse ka gjëra të paprekshme ato janë pashmangshmërisht të shenjta.

4. Sa herë që vërehen të paktën dy bashkësi njerëzore të ndryshme nga njëra-tjetra, kjo do të thotë se ato e kanë themeluar dhe garantuar përmes entitetesh të ndryshme domosdoshmërinë e pjesëtarëve të tyre për të ndenjur bashkë, pra do të thotë se ata kanë të shenjta të ndryshme. Prandaj të shenjtat e bashkësive të ndryshme janë të pabashkëmatshme – të papërkthyeshme te njëra-tjetra, në të kundërt, shpallja e tyre si bashkësi të ndryshme do të binte në oksimoron.

5. Kjo papërkthyeshmëri reciproke, në vend që të jetë dëshpëruese, është ngushëlluese sepse ekzalton mënyrën e të qenit të secilës bashkësi. Pranohet se bashkësia tjetër me të qenët e vet të papranueshme ka të drejtën të konsumojë humbjen apo dështimin e vet duke u lënë vetëm në këtë dështim. Edhe pa i shpallur luftë tjetrës, secila bashkësi ekzaltohet së brendshmi më dështimin potencial të tjetrës. Ky ekzaltim i konsumuar së brendshmi është i domosdoshëm për të garantuar paqen mes tyre – duke ruajtur secila të shenjtat e veta, atë që gjithsecila prej tyre e konsideron të paprekshme.

6. Mirëpo kjo paqe zgjat për aq kohë sa hiperfuqia e njërës bashkësi konverton në shfaqje të jashtme ekzaltimin që i vjen nga konstatimi i pavlefshmërisë të çfarë bashkësia tjetër e konsideron të shenjtë. Një moment i tillë në varësi të koniunkturës shoqërohet: 1. ose me shpallje lufte, 2. ose me konfirmimin pa luftë të hiperfuqisë së asaj bashkësie që cenoi të shenjtën e tjetrit.

7. Pra, ose luftë, ose poshtërim. Shprehja së jashtmi – për t’u vënë re nga tjetri – e ekzaltimit nga inferioriteti i të shenjtës së tjetrit (ekzaltim për çdoherë i nënkuptuar, por jo i shprehur) është refleks ose i nevojës për ta asgjësuar, ose i nevojës për ta poshtëruar tjetrin. Është shumë e rëndësishme të theksohet kjo: ky cenim i të shenjtës së tjetrit duhet të jetë, ose së paku duket së është shprehje e pakontrollueshme dot e ekzaltimit – i cili si i tillë është i pakuptueshëm, i pashpjegueshëm.

8. Sepse nëse te secila bashkësi ndërtohen diskurse racionale dhe kritike ndaj të shenjtës së tjetrit kjo nuk shpie në shpallje lufte apo shpallje arrogance prej hiperfuqisë, sepse ky diskurs kritik nuk konsiderohet si një përpjekje e adresuar për të cenuar të shenjtën e tjetrit, por është një konfirmim i të qenit të kujt e bën këtë lloj kritike; një lloj të folure me veten apo autosadisfaksioni. Sepse e shenjta ka të bëjë me mënyrën unike të të qenit të tjetrit, mënyrë të qeni që përfton një mënyrë tjetër të të qenit të arsyeshëm. Prandaj arsyetimi kritik i së shenjtës së tjetrit konceptohet nga ai të cilit i kritikohet e shenjta si nevojë e brendshme për afirmim, dhe jo si shprehje e jashtme aversioni.

9. Mbështetur mbi konsiderata të tilla teorike mbi të shenjtën, ne mund të shpjegojmë trazirat e sotme në territoret e banuara nga myslimanët. E vërteta është që në Perëndimin e krishterë (ashtu sikurse në qytetërimin islam) nuk kanë reshtur veprat teologjike apo titujt nga zhanri i orientalizmit me kritika dhe dekonstruktime të së shenjtës së myslimanëve. Dhe këto nuk kanë shkaktuar asnjëherë luftë apo reaksione masive, sepse siç thamë më lart, nuk janë konceptuar si cenim i së shenjtës së tjetrit, por si konfirmim i forcimit të së shenjtës së vet si e ndryshme nga ajo e tjetrit.

10. Në të kundërt, libra si “Vargjet satanike” të S. Rushdies, karikaturat daneze apo franceze, filmat holandezë apo koptë, në mos si shpallje e gjendjes së luftës janë konsideruar si shpallje e hiperfuqisë poshtëruese. Nga sa thamë më lart, kjo vjen ngaqë duke qenë vepra arti (pavarësisht nga cilësia) ato janë jokonceptuale, shprehje e nevojës së papërballueshme për të shfaqur jashtë ekzaltimin e brendshëm që është e vetmja provë e përkthyeshme e inferioritetit të së shenjtës së tjetrit.

11. S’është e vërtetë (të paktën s’është e saktë) mbrojtja që u bëhet nga qarqe të caktuara politike apo kulturore në Perëndim këtyre shprehjeve agresive të hiperfuqisë, duke i legjitimuar në emër të lirisë së shprehjes dhe lirisë së shtypit. S’është e saktë se këto janë shprehje e lirisë së shprehjes, sepse liria e shprehjes nuk përfshin në asnjë rast lirinë për ta poshtëruar tjetrin. Dhe s’është e saktë se janë pjesë e lirisë së shtypit: shtypi në thelb është vend ekspozimi informacioni dhe opinionesh, dhe jo veprash arti. Dhe opinionet kundër myslimanëve nuk kanë shkaktuar ndonjëherë gjendje stresi dhe trazirash në botën islame. Ekspozimi i veprave të artit është një aksesor i shtypit dhe jo funksioni i tij kryesor. Dhe vepra e artit duke qenë një atakim jokonceptual i së shenjtës vjen nga thellësia i të qenit të atyre që e kryejnë këtë cenim,duke kryer kështu një theksim brutal të papërkthyeshmërisë së qytetërimeve te njëri-tjetri dhe një tendosje të rrezikshme të kufijve të puthitur midis tyre.

12. Duke qenë e shenjta një entitet që e kalon individin dhe që garanton me ekzistencën e saj domosdoshmërinë e ekzistencës së një bashkësie njerëzish, prandaj nuk mund të cenohet pa shkaktuar reaksion: ajo përfaqëson arsyen e papërkthyeshme të të qenit të tillë të pjesëtarëve të kësaj shoqërie. Po ashtu: duke qenë e papërkthyeshme, e shenjta është e pacenueshme ndaj çfarëdo kritike apo dekonstruktimi; ajo mund të cenohet vetëm duke e prekur – duke vendosur kontakt fizik me të, pra duke e përdhosur. Veprat e artit që atakojnë të shenjtën manifestojnë përmes imazheve këtë kontakt fizik – cenimi dhe përdhosjeje të së shenjtës.

13. Por, siç e thamë, ndoshta thelbi i vërtetë i trazirave të sotme është modifikimi i konceptit të së shenjtës. Ndryshe nga çka qenë përherë, në shoqërinë e sotme postmoderne e shenjta nga një realitet sociologjik është shndërruar në një realitet psikologjik, paçka se ky shpërndërrim në vetvete është nul. Dhe nëse ky shndërrim ndodh, do të thotë se nuk ka më bashkësi, por vetëm individë secili me të shenjtën vetjake.

14. Por si mund të realizohet ky shenjtërim vetjak kur e shenjta është ajo që njëherazi tejkalon dhe garanton subjektin që i nënshtrohet kësaj shenjtërie? Përgjigjen e kësaj pyetjeje e kemi tashmë para syve: vetëm duke shpallur si arsye të ekzistencës së individit dëshirat dhe impulset e tij të papërkthyeshme dot për secilin nga të tjerët dhe që për individin në fjalë janë të paprekshme: as mund t’i kundërvihet, as t’i censurojë, as t’i tjetërsojë, përderisa arsyeja e të qenit të tij janë vetë ato.

15. Dhe veprat e artit në këtë kuptim janë shprehje e shenjtërisë vetjake (pavarësisht cilësisë së tyre) të atyre që i krijojnë. Në këtë kuptim, në kohën që po jetojmë veprat e artit akoma më tepër duke e rezervuar për vetë shenjtërinë, e prekin përmes përfaqësimit simbolik të imazheve shenjtërinë përtejindividuale të religjionit, duke e cenuar atë.

16. Çka thamë është e mjaftueshme për të shpjeguar reaksionet ndaj filmit të producentit kopt, por edhe karikaturat e gazetës franceze. Kjo gazetë ironizon pikërisht të drejtën e myslimanëve për të pasur të shenjtën e tyre si vlerë themelore e bashkësisë ku bëjnë pjesë. Duke mos e fshehur ironinë e saj, gazeta duket se nuk ka për qëllim të poshtërojë myslimanët, por t’i ndihmojë ata të emancipohen duke mos këmbëngulur më në natyrshmërinë e të pasurit një të shenjtë të përbashkët, pra në natyrshmërinë e të qenit një bashkësi. Mirëpo ky është një veprim kundërthënës: nëse qëllimi i sinqertë i gazetës është të emancipojë myslimanët duke u treguar atyre se shenjtëria është një konstruksion mitologjik që pengon emancipimin e shoqërisë, rruga e zgjedhur për ta bërë këtë është për çdo herë e gabuar: e shenjta mund të kritikohet, por nuk mund të tallet apo ironizohet.(Duke mos llogaritur këtu që për vetë myslimanët në mënyrë po ashtu të sinqertë është e vërtetë e kundërta: prania e së shenjtës është e vetmja mundësi e emancipimit, kurse mungesa e saj është provë e mjaftueshme e degradimit).

17. Në këtë marrëdhënie qëndrojnë filmi “Pafajësia e myslimanëve” dhe karikaturat e “CH.H”: filmi kopt ndjek një qëllim të gabuar: të shpallë luftë, apo të poshtërojë dhe për këtë ka zgjedhur metodën e duhur: një vepër arti. Kurse karikaturat e gazetës franceze ndjekin një qëllim të mirë: një bashkësi njerëzore që ato e konceptojnë të prapambetur, ta emancipojnë, por për këtë kanë zgjedhur metodën e gabuar: një vepër arti.

18. Dhe ky mund të jetë konkluzioni i fundit: nuk kemi të bëjmë me një përplasje mes një qytetërimi të emancipuar, të civilizuar nga shenjtëritë mitologjike të imponuara njeriut nga jashtë për ta mbajtur atë të nënshtruar dhe një qytetërimi anakronik të pacivilizuar ende nga mitologjia. Në të vërtetë kemi të bëjmë me përplasje mes dy shenjtërive. Shenjtërisë laike të individëve postmodernë për të cilët e shenjta (pra garantuesja e papërkthyeshme dot e ekzistencës së tyre) është çfarë vjen nga pjesa më e thellë, më imtime e njeriut; dhe shenjtërisë religjioze për të cilën e shenjta është përherë një realitet përtej njeriut – ngushëllim i vetëm për paplotësinë e tij. Në varësi të faktit se nga cila anë do të kalojë epërsia, do të përcaktohet e ardhmja jonë jo shumë e largët, nëse do të jetojmë në bashkësi apo vetëm si individë të papërkthyeshëm te njëri–tjetri.

Google+ Followers