Aida Bode: Për të bërë letërsi, kërkohet shumë më tepër se një frymëzim çasti


Flet shkrimtarja korçare,  emigrante në Shtetet e Bashkuara të Amerikës

Dhimbja është ndjenja më e bukur

D.Gj. – Do të dëshiroja, së pari, të di në detajet më kryesore që ju kanë mbetur në mendje, se si kanë qenë rrethanat që juve u larguat nga Shqipëria, nga Korça juaj e dashur  dhe shkuat në SHBA.
A. B. – Shkuarja  ime në Amerike ka të bëjë me faktin që unë u martova. Burri im jetonte këtu dhe unë ndoqa atë. Ky ishte shkaku kryesor dhe i vetëm.
D. GJ – Ju kujtohet si jeni larguar nga Shqipëria atë ditë, duke menduar se do të vinit rrallë në Korçën tuaj?
A.B. – Në fakt nga Korça jam larguar në 97-ën, kur ndodhi ajo gjendja e tmerrshme dhe kam jetuar tre vjet në Greqi përpara se të shkoja në Amerikë dhe largimi për në Amerikë ka qenë nga Selaniku, jo nga Korça.
D. GJ. – Aidë, ku ndryshon një familje shqiptare, një familje korçare në rastin tënd, me një familje amerikane? Na i thuaj në detajet më interesante, ç’të ka bërë përshtypje në këtë ndryshim midis dy lloj familjeve.
A. B – Po, ndryshimet janë shumë të mëdha, që nga kultura dhe që nga mënyra e jetesës dhe nuk e di, të them të drejtën, nëse do jepja dot një pasqyrë shumë të saktë, sepse për momentin dhe vetë pasqyra që unë kam për familjen shqiptare mund të ketë ndryshuar, ajo që di unë përpara pesëmbëdhjetë vjetësh me atë që është tani aty. Shoqëria shqiptare ka evoluar, politika, vendi, zhvillimi është tjetër, teknologjia ka ndryshuar shumë gjëra, kështu që nuk e di sa larg apo afër ndryshimet qëndrojnë këtë moment. Di të them që amerikanët janë njerëz shumë të mirë dhe ndihmojnë shumë individin. Përpiqen në çdo lloj mënyre që të ndihmojnë njeriun të gjejë vetveten dhe kjo është, si të thuash, gjëja më e rëndësishme për mua këtu. Patjetër që ka shumë vështirësi, por gjetja e vetvetes është arritja më e madhe për çdo njeri.
D. GJ. –Juve në SHBA jeni një nënë me dy fëmijë, jeni bashkëshorte dhe një nënpunëse që kryeni detyrat profesionale me të cilat siguroni të ardhurat për familjen tuaj. Cila është pjesa më e këndshme e kësaj jete midis familjes, gruas, nënës dhe nënpunëses?
A.B. –Është për t’u çuditur mënyra si çdo gjë është ndërthurur, ose më mirë të them si teknologjia ka ndërthurur këto tre role dhe i ka bërë krejtësisht të pashkëputura njëra nga tjetra. Kështu për shembull, unë mund të marr një mesazh elektronik nga puna edhe gjatë fundjavës apo në orën 10 të darkës dhe të më duhet të kthej përgjigje, po kështu edhe mund të gjej mundësinë gjatë orarit të punës të qëndroj në marrëdhënie me shtëpinë apo të shkëmbej një mesazh të shpejtë me miq apo dhe të dëgjoj radion sipas qejfit im.
D. GJ. – Atëherë të hidhemi tek pjesa më interesante e bisedës, ajo pjesë e cila na ka shtyrë në fund të fundit për ta bërë këtë bisedë. Është Aida Bode poete, shkrimtare. Jeni paraqitur së pari me romanin tuaj të parë me motive biblike, një roman mjaft interesant, me një narracion të rrjedhshëm dhe me një mjeshtëri do të thosha unë që e mban gjallë interesin e lexuesit deri në fund të tij. I shkruar me një dorë të sigurt, ndonëse si vepër e parë, të çudit mënyra sesi është shkruar. Gjithsesi, paralelisht me shkrimtaren, brenda jush është dhe poetja. Kush e sundon më shumë, shkrimtarja poeten apo poetja shkrimtaren?
A.B. –Poetja dhe shkrimtarja janë si dy binjake. Mendoj se ata që janë binjakë mund të na shpjegojnë në mënyrë të saktë sundimin e njërit apo tjetrit. Mendoj se janë krejtësisht dy rrugë paralele që ecin njësoj, hera herës dhe bashkohen. Nuk e di sesa shkencëtarë do e kundërshtonin këtë bashkim të vijave paralele, por në këtë rast kjo ndodh.
D. GJ – Juve nuk e shkëputni dot shkrimtaren nga poetja, apo jo?
A.B – As nga jeta e përditshme.
D. GJ. – Do të dëshiroja të dija diçka më shumë rreth romanit tuaj “Davidi dhe Bathsheba”. Është, siç thamë, një roman i cili ia vlen të lexohet. Si ju ka lindur ideja? Është pak interesante mënyra si keni shkuar drejtpërsëdrejti tek motivet biblike që pasqyrohen, zgjerohen, plazmohen dhe materializohen në këtë roman duke e bërë atë shumë të pranishëm, shumë të përthithshëm për lexuesin.
A. B. – Unë jam besimtare shumë e dedikuar. Patjetër që besimin tim e jetoj në mënyrë shumë private por libri është krijuar për shkak të njohurive që unë kam marrë nga besimi im. Ngjarja më ka bërë shumë përshtypje që kur e kam dëgjuar për herë të parë, pasi bëhej fjalë për një tradhti dhe për një vrasje dhe megjithatë nga kjo lidhje e këtyre dy personave historikë fetarë ka dalë një nga figurat më të mëdha që historia apo feja njeh dhe ky është mbreti Solomon. Gjithnjë më ka mahnitur fakti sesi u shpërblye në fund të fundit një lidhje sado e gabuar. Patjetër, Zoti, apo jeta, karma – quaje si të duash, domethënë ç’është bërë gabim do të bëhet e drejtë me domosdo, por në fund të fundit do të shpërblehet ajo ndjenjë apo vërtetësi që ka bashkuar dy njerëz. Dhe vetë realizimi i kësaj lidhjeje në mbretin Solomon është diçka shumë e mrekullueshme. Kjo ishte që më nxiti të shkruaja fillimisht një tregim të shkurtër, të cilin ia dërgova profesorit tim të letërsisë Niko Dako, dhe më pas, ai pasi e lexoi më nxiti që ta bëja libër.
D. GJ. – Atëherë, është një roman, një prozë shkruar me bindjen tuaj të thellë prej besimtareje. Paralelisht me romanin ka përfunduar edhe procesi i redaktimit dhe i përgatitjes për shtyp i librit tuja me poezi “Porti i Perëndimit”. Libri është i mbushur me motive befasuese, ku sundon brenga e largësisë me të dashuritë, me  Shqipërinë me vendlindjen tuaj, Korçën tuaj të dashur, motive të dashurisë, të mirësisë njerëzore, ku stigmatizohet e keqja dhe veset mbrapshta tek njeriu, që doemos duhet përmbysur nga e mira njerëzore, ku përfshihen edhe gjendje që krijohen nga përballja me realitetin, pra janë poezi që vijnë më së shumti nga përjetimet tuaja. A mund ët na thoni diçka se si janë shkruar këto poezi dhe pastaj ideja juaj për të shkuat te libri?
A.B. – Nuk mendoj, se poezia ime është thjesht një ditar i jetës sime. Shpresoj që kur ajo te jetë në vëmendjen lexuesit, të bëhet pronë e tij dhe çdokush, në radhë të parë të gjejë vetveten.
D.Gj. Madje unë do të shtoja se pikërisht kjo është edhe merita e poezisë suaj, edhe një nga vlerat më të spikatura të saj.
A.B. – Më vjen mirë kur dëgjoj diçka të tillë, sepse mendoj që një poezi që i përket vetëm një njeriu, fare mirë mund të mbetet brenda dosjes së tij, pa pasur nevoje të botohet, ndërsa çdo poezi, ku çdokush mund ët gjejë diçka nga vetja, mendoj se ia ka arritur qëllimit për të thënë diçka me zë të kartë.  Shumë herë ka shtysa të brendshme, por ka edhe shtysa të jashtme që më çojnë te krijimi i poezisë. Për shembull një udhëtim në tren, duke parë diçka nga dritarja e tij, mundë të dëgjoj një këngë, apo thjesht, një kujtim më zgjojnë energji poetike. çdo gjë pra, e ka fillesën te jeta dhe realiteti.
D.Gj. – Në poezinë tuaj edhe vuajtja, edhe plagët duken “të bukura” dhe bëhen kënaqësi estetike për lexuesin e saj.
A.B. – Mendoj se dhimbja është ndjenja më e bukur që kemi në jetë, pavarësisht se na bën të vuajmë. Mbaj mend gjyshet që thoshin: “Dhemb se jeton”.  Mendoj se kjo është një gjë shumë e mençur.
D.Gj, Në librin tuaj që po përgatitet për shtypë, hasim edhe forma interesante të poezisë, që rrallë i gjejmë në poezinë shqipe…A mund të na thuash diçka për to?
A.B. – Forma të tilla e kanë bazën në njohuritë të që kam marrë dhe marr vazhdimisht nga poetë bashkëkohorë. Për shembull, një nga këto format është vilanela, e cila është shumë e vjetër dhe e ka vendlindjen e vet në Francë. Ajo është lëvruar në Mesjetë në këtë vend, në mënyrë të vazhdueshme dhe shumë të suksesshme nga shumë poetë të asaj kohe edhe më vonë. Në librin tim kam disa vilanela, që mendoj se nuk janë shumë të mira, por gjithsesi, janë përpjekjet e para për të sjellë diçka të re në poezinë shqipe. Një formë tjetër është etheri, që ka një formë mjaft elegante dhe të thjeshtë. Një tjetër formë e re, e shpikur nga një poet anglez është oktana.  Oktana është një formë e shkurtër që  njëkohësisht, edhe të kufizon brenda kornizës së saj, por edhe të jep mundësi që të jesh sa më konciz dhe i saktë. Po ashtu edhe haiku që vjen nga Japonia, i cili mendoj se është një nga format më të vështira, sidomos në prozodinë shqipe, pasi të japësh një mendim të gjerë poetik brenda tre vargjeve, ku vargu i fundit është arkitrau i poezisë,  është vërtet gjë diçka pothuaj e pamundur. Dhe mua nuk më vjen mirë kur nga poetë shqiptarë jo rrallë abuzohet me haikun.
D.Gj. Ndërkohë lidhjet tuaj me letërsinë janë më të shpeshta me leximin e saj apo jo?
A.B. –Natyrisht unë lexoj vazhdimisht edhe letërsi shqipe edhe letërsi amerikane. Interneti është një mjet i mrekullueshëm që të krijon këtë mundësi. Aty unë kam njohur poetë të një niveli shumë të lartë,  prej të cilëve mësoj vazhdimisht. Mendoj se për të bërë letërsi, kërkohet shumë më tepër se një frymëzim çasti. Letërsinë nuk e kam parë asnjëherë si eglendisje. Është letërsia ajo që rrëfehet
D.Gj. Dhe ne fund të bisedës sonë, çdo të dëshironit t’u thoshit lexuesve të “TIRANA OBSERVER” me këtë rast?
A.B. – Dashuria merr fytyrën e çdo njeriu. Ta bëjmë këtë ndjenjë të madhërishme. Unë jam shumë krenare që përpiqem të bëj diçka nga njerëzit e mi.
Bisedoi: Demir Gjergji
Bota brenda

Duke lexuar poezinë e Aida Bodes, natyrshëm mund të vijnë përsiatje mbi botën dhe njeriun… Pa kuptuar mendimi të çon në bindjen, se Njeriu është krijuar si i tillë, për t’i pasur të gjitha, për të pasqyruar gjithçka, për t’i jetuar të gjitha, thuhet pak a shumë në librat e shenjtë. Tek e fundit, Njeriu është universi në kalim, një univers me jetëgjatësinë e një shkrepëtime në kohë nga koha e Gjithësisë, nga koha biblike. Me fjalë të tjera, ajo hapësirë pa cak, me qiej, bimë, ujëra, zjarre, me kataklizma e rikrijime, ai kaos në harmoni janë, tek e fundit, në atë trafik të mistershëm gjaku brenda trupit, në atë kafaz eshtrash të kraharorit, në atë çudi që quhet zemër, e vetmja gjë  e kësaj bote që ndalon vetëm një herë: atëherë ku jepet fryma e fundit bashkë me shpirtin, gjithçka, pra, është në dëshpërimin dhe lumturinë, në pikën e lotit apo në buzën e qeshur, në ankthin apo ngasjen për aventurë, në dashurinë dhe urrejtjen është vetë bota, në luftërat dhe paktet për paqe është sendërtimi i gjithçkaje në gjithësi. E nëse do të kërkojmë të dimë se ku mbaron kjo gjithësi, shihni një udhëtari bie globit rrotull, një Kolomb, a një Magelan, për shembull, të cilët nisen dhe mbërrijnë në të njëjtin breg ose, më mirë,  dëgjoni për Odisenë për shembull , që niset nga Itaka e mbërrin po aty. Ky cikël është pafundësia. Dhe…
Por le t’i ndërpresim këtu filozofimet dhe, për të vijuar më tej me argumentin se bota është brenda njeriut, le t’i kthehemi poezisë. E çfarëdollojshme qoftë ajo, mjafton të jetë poezi mirëfilli, si për shembull, ky libër që kemi në dorë nga Aida Bode (AB), i cili vërtet është në AB-n botimeve të  krijimtarisë së saj (ka nxjerrë në qarkullim vetëm një roman më parë), por niveli artistik i tyre, pohon për një krijuese me mëtime të mirëfillta artistike..

kur toka fjeti me detin

bregu u bë djep

dhe qielli butësi

aty lindëm unë dhe ti…


në dasmën e dashurisë me përjetësinë
nata e parë, u bëmë unë dhe ti!

Ka një trevë, ku fillojnë motivet e saj, një zonë ku ato ngjizen e formësohen për të ardhur në sipërfaqen e letrës. Kjo trevë është bota e saj e brendshme. Pra, në këtë rast, mbase kemi të drejtë të shprehemi: Bota jashtë është përthyer në shpirtin dhe ndërgjegjen e Aidës për të krijuar një kohë tjetër, që nuk mund të matet me orë ose kalendarë,  për të ndërtuar gjithashtu një hapësirë tjetër pa harta e itinerare udhëtimesh, pra një botë fantazie,  përjetimesh, mbresash, ndjenjash, emocionesh, të cilat gjithsesi, vjen një çast dhe bëjnë presion së brendshmi, për t’u shfaqur në botën reale, për t’u bërë pronë e saj. Pra krijimtaria e Aidës vjen si një palimpsest i dyfishtë. Duke u njohur me të, ti përjeton kohën biblike të universit që shpenzohet për dashurinë, pritjen, vetminë, trishtimin, pezmin, zhgënjimin, lumturinë, fatalitetin,… Duke lexuar poezinë e saj, ti udhëton pa pasur nevojë për Boing-ët, kroçerat ose trenat gati fluturues mbi jastëkë ajri, ndalesh në porte e limane malli, ulesh në aeroporte miqësie, pasi je ngjitur e ke përshkuar qiej fantazie. Dhe kjo ndodh si në magji! Mjafton të kesh në dorë këtë libër, modest për nga vëllimi, mjafton ta shfletosh atë e të ulësh sytë mbi atë bardhezi shkronjash dhe do të shijosh ngjyrat e botës e të shpirtit.
Arsyetimet e mësipërme do të ishin mbase butaforike, nëse në poezinë e Aidës nuk do të vinim re atë rravgim të saj drejt poezisë së vërtetë, larg stisjeve e qëndismave metrike në mungesë të rëndesës së mendimit dhe peshës së emocioneve. Këtë e pohon vetë Aida ndërsa thotë: “Kam mësuar ta shoh poezinë jo thjesht si spontanitet të ndjenjave, por si një vepër reale e cila kërkon shumë MUND dhe DJERSË për t’u gdhendur. Në disa prej poezive të kësaj përmbledhjeje, janë gjetur forma poetike (etheri, villanelle, etj) që s’janë lexuar më parë në shqip. Pra, po përpiqem të sjell diçka të re, diçka që nuk është e kufizuar me metrin dhe metrikën tradicionale, që njihet deri tani. Kjo për mua nuk është arritje, por një shkak për të menduar, që duhet të bëj shumë më tepër herën tjetër. ” Në këtë pohim ka sinqeritet dhe ndërgjegjësim. Për t’u shprehur më konkretisht, përpara se të hapë portën për të dalë nga shpirti ajo botë të brendshme që thamë më lart, Aida është përgatitur seriozisht duke e ushqyer talentin e vet me studim, punë, kërkim, lexime e përvojë të vazhdueshme. Për këtë arsye krijimtaria e saj shkon gjithnjë në kërkim të nivelit të lakmueshëm artistik, jo vetëm në elementët e saj të formës, por edhe në motive, në mesazhet që përcjell. Midis poezisë (përgjithësisht romantike) që vjen drejtpërsëdrejti nga shpirti njerëzor apo nga zemra e natyrës dhe asaj poezie moderne, që jo vetëm ka gëzofin e kohës dhe plazmën  botës, ku krijohet, por kultivon elementë nga më të ndryshmit të modernitetit, globalizmit, mënyrës së komunikimit, rrethanave e kushteve të ekzistencës së shoqërisë së sotme njerëzore, krijimet e Aidës priren gjithnjë nga kjo e dyta. Duke ardhur nga një botë ballkanike, konkretisht shqiptare, (më saktësisht, Korça i ashtuquajtur edhe Parisi i Vogël) autorja i ka brenda vetes të parët e vet, me gjuhën, me psikologjinë, pasurinë shpirtërore e kulturore, me traditat dhe historitë e jetës së tyre dhe me këtë ngarkesë, ajo ka marrë udhën drejt një bote tjetër, siç është Amerika. Atje ka gjetur tjetër jetë, gjuhë tjetër, tjetër kulturë, të tjera forma, qofshin këto edhe poetike. Meritat te talenti i Aidës spikasin në atë, se si ajo ka ditur t’i ngjizë në vargun dhe motivet e saj poetike, këto dy realitete virtuale. Në këto detaje e në të tjera, që do të kërkonin mbase një analizë më të zgjeruar të profilit të saj krijues, duhet kërkuar arsyeja, se përse poezitë e këtij vëllimit të kësaj autoreje dallojnë nga ato të poeteshave të tera të sotme shqiptare. Dhe këtu nuk është fjala vetëm për krijuesit fillestarë. Stili poetik i Aidës është fryt i brumit të saj të ardhur mirë tashmë në bukën e një libri si ky.


Demir Gjergji

Google+ Followers