NË KUJTESËN E GJELBËRT, NË KUJTESËN E UJËRAVE NË KUJTESËN DHE JETËN E GJAKUT... (POEZI NGA IRENA GJONI )

Botuar në gazeten “Milosao” Tiranë

  Foto në malet e Rugovës Kosovë

                                                               
IRENA GJONI ka kryer Studimet Universitare për degën gjuhë – letërsi. Në vitin 2007 ka përfunduar Studimet Pasuniversitare dhe ka fituar gradën “Master” për letërsi në Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë në Universitetin e Tiranës. Aktualisht është në ndjekje të shkollës doktorale po pranë këtij Universiteti. Ka punuar si gazetare në median e shkruar kombëtare dhe lokale, në Radio “Gjirokastra”, në radio dhe televizion të Sarandës. Aktualisht është pedagoge e jashtme në Universitetin e Tiranës Filiali Sarandë, mësuese letërsie në gjimnazin “Hasan Tahsini” Sarandë. Është redaktore e revistës “Arti  Jonik” dhe anëtare e Këshillit Artistik të Bashkisë Sarandë.              
                Që prej viteve të shkollës së mesme e në vijim ka botuar poezi, prozë letrare si dhe shkrime kritike e studimore në periodikë të ndryshëm. Në vitin 2003 ka botuar librin me poezi “Tatuazh në shpirt të detit”. Në 2008  boton librin studimor “Marrëdhënie të miteve dhe kulteve të  Bregdetit Jonian me ato ndërkufitare” (material me të cilin ka fituar Gradën “Master”), si dhe vëllimin me fiksione “Gjysma dashurish” (2010).

DËNIM ME VDEKJE SHPIRTIT TË QYTETIT PA LUMË

Në natën laboratorike,
kipsi fanatik
i ze fronin unikut të papërmirësueshëm.

I jep dënimin me vdekje
shpirtit të qytetit pa lumë,
më të shenjtës së idilit të jetëditënatës.

Endet përbaltjeve të varreve në agoni.
Pagëzuar "frymëmarrje e frymëmarrjes e fundit"
Askund nuk duket.

Rrugëtimeve, baladave
zëri është tretur…
e për kë tjetër s'ka jehonë ...

Rrugëtimeve, baladave
në kërkim të frymës së fundit.
Çastin e jetën e mat me një dashuri
në rendje të verbër vetëm pas tij.

Unik në ekzistencë të pashkëputshme
në trininë e verbër
shpirt-mendje-trup.

Fryma e fundit që pret,
vetëm ajo ka fuqinë hyjnore
të anullimit të dënimit me vdekje.

… ankthshëm po e pret ...


NË KUJTESËN DHE JETËN E GJAKUT

Sonte hëna njëzetekatërshe
valët jonike lazdron e  puth
për festë është veshur me shpirt të bukur…
e majë shpirti veron ëndrra ime...për Ty

Ti flet te unë më shumë se një kujtesë
Jeton te unë imazh i fortë
që vishet me frymë e gjak e shpirt e mendje
Shpirtit të kujtesës sime i jap gjelbërim
e shpirtit të imazhit tënd kaltërsi jonike


Oh, dhimbje mort!
Sa do doja të preknim pak
fundin e gjelbërt të kujtesës!
Të mbërrinim deri në kujtesën e ujërave...
Si përjetim shpirti
Duke e mbajtur në kujtesën e gjakut

Oh Zot larg...sa larg e afër jemi...
unë eci nëpër majën e shpirtit tënd...
ti nëpër një luginë me mjegull...
Rrugëtojmë per t’u takuar
të ngelur perjetësisht
në kujtesën e gjelbërt
në kujtesën e ujërave
në kujtesën dhe jetën e gjakut...


DASHURI BUZË GREMINE

Bëmë dashuri buzë një gremine
Në mollëzat e gishtave të tu,
një cermë hëne të prek

Me ty ëngjëll jam dashuruar unë,
Me ty nata e greminës,
Me ty hëna e njohur si hajdute zemrash

S’di kujt t’ia prishësh

Gremina të josh me fundin e mistershëm
Gëlltit një copë gremine
Hëna të josh me cermën e saj
Gëlltit një copë hënë
Thua se unë të josh me sekretet e pathëna
Gëlltit një sekret timin

Mua më duhet të të shpëtoj
prej vetes sime, greminës dhe hënës
Duke të futur në një akuarium shpirti
të padepërtueshëm prej shumë palë sysh njëherësh

se dashuria ha koka...

AUTOPORTRET

Ngjitur shtyllave të rrugëve

- Si në kohët e lashta,
lajmërimet e vdekjeve, - pëshpëris

(Ej, bukuroshe, kjo erë vjeshte
ta zhbën nocionin kohë?)

Fletës së letrës,
në këmbë i ka ngelur vetëm një gisht,
i mjafton balerinës virtuoze
të bëjë vallzimin e vdekjes
nën ritmin e erës

Fryma po i del çikë e nga një çikë

Ekspozitë...fotografike
Modele...- Biondia...e...Detit
Fo...to...graf...-me...ndjet... ...e... ...
              a...dh...u...r...u...e...s...v...e...
                  ...t...ë... ...s...a...j...

Shpirti i fluturoi
rrathëve të ferrit - rrugicave vjeshtake
Per t’u bastarduar
Nënkëmbëve të kushedi kujt
Fotograf - Mendjet e adhuruesve të saj

E fiksuar fotografive nga mendjet
Në çastet më fatlume a fatkeqe
sjellë adhuruesve të saj

Një vetull perfekte në ironi të dashurisë
e vjedhur një fije floku e verdhë,
e mbajtur fatsjellës,
një arkivol sysh - guackë perle kënaqësi,
një buzëqeshje vrasëse pa pagesë,
buzë të kopjuara me karbon të kuq buzësh
për t’u risjellë pranë netëve ogurzeza,
një gjoks ngacmues, përtej dekoldeve
                                    dhe bluzave të ngushta,
mantel të kuq gëzofësh - mburojë shigjetash,
një lot i zi,
përzier me helmin e dhimbjes e rimelit,
duar të sikletshme, përherë në mbajtje të shanceve,
ëndrra të mëdhaja,
pa ditur ditën e lindjes e vdekjes,
mendje në lojëra fantazie,
hipnotizuese për të tjerë

E gjitha e ndarë,
në një labirinth mendjesh,
E ngelur në të njëjtin vend,
E ngelur në të njëjtën moshë,
E gjendur në të njëjtën bukuri Beatriçase

Ekspozitë e parë me shpirt të rrënuar,
E paçuar gjer në fund,
E trembur nga bukuria e dikurshme,
Nga adhuruesit e shumtë gati mitikë,
Nga ëndrrat të ëndërruara dikur fatlume

Me shëmtimin krijuar prej zhgënjimit,
Me çmendurinë prapë pinjoll të zhgënjimit,
Eci rrugëve duke mbledhur gjethet e vjeshtës,
Me përfytyrime - fotografitë e mendjeve të adhuruesve
Pa i parë
Vetëm duke iu trembur
Bastardimit nga nënkëmbët
                         E kushedi kujt...



KËTU JETOHET, KËTU VDISET

Këtu jetohet.....dhe vdiset...

..maskohen njerëzit
e kalojnë duke dashuruar

Vrastar riti i zakonshëm i rutinës.

E morali me lëkurë dhie
vrastar për një shpirt bohem

ku një dashuri...është pak...për dashurinë

Koha jote rri e veçantë në mua
Për ty kam kohë sa kam frymë

...këtu jetohet... këtu vdiset...


AVLEMENT GALAKTIK

Në avlementin galaktik
ndesh, përshtat , nusëron
e përpunon ëndrrën

Pa mundur të kristalizojë
të vetmin labirinth,
atë të vetvetes.

Fat gllabërues
që barqeve konservon
lartësimin e profilit

I aftë të krijojë një tjetër ikonë...


HESHTON ME KLITHMËN E HESHTJES

Ëndrra që mbetet në ëndërr.
Je ti
Ëndrra që mbetet në ëndërr -
gur varri
që rri mbirë në kokën e heshtjes...
gur varri
që i flet….ëndrrës
gur varri
që heshton në ty
Heshton me klithmën e heshtjes



ME TY PO TRUPOJ  ZJARRE  PA U DJEGUR

Me ty po trupoj zjarre pa u djegur
duke të dhuruar zjarrmi nate
e etje buzëputhje zharitur në mall
në temperaturë diellore

Pak...kohë deti me Ty
...të kalëronim dallgët...
Eh, si djersiten ato…
si vjellin...zallin që kanë brenda

Kripa e jodi mbi lëkurë
Konturojnë harta thesaresh dashurish
Të pazbuluara kurrë
e të lexueshme vetëm
nga ata sy me shije deti

E guacka marroset
nën ritmin kalorësiak
të bukuroshit mitik

... Me ty po trupoj zjarre pa u djegur...





NJËZET E KATËR

Unë i dua thellësitë e mia jonike
dhe majat e maleve të tu
Ajo që s’është e thellë
e nuk kap majat te retë,
s’ka hyrë kurrë në shpirt
e s’ka rrëshqitur mbi lëkurë...



PËRNDRITJE  (F)LOÇKE

Trishtimi endet
në perëndimin e diellit.
Muzgu ngrihet nga thellësitë,
duke mbajtur në sup
arkivolin e heshtjes.

Dalëngadalë
errësira nis rëndon mbi ajrin

Trupi i (F)loçkës ershëm farfurin
duke përndritur natën

Është ora e saj...

RRUGËTIM

... së pari fillohet nga shpirti...
Pastaj nga lëkura, nga...
krejt ngadalë, si nëpër mjegull...
Butë dhe ëndërrueshëm
rruga për në qendër të botës
kalon nga era...



NË TË NJËJTËN TJETËRBOTË...

Erëligat e orëligat po e ndëshkonin
shkulshëmflokësh
shkulshëmrrënjshëm
shkulshëmzemrash
përpiqeshin t’ia merrnin
ikonën e projektuar në zemër.

Tërbimi frenetik ish’ pa fre
Pse e deshti
sa nuk e kishte dasht’
kush tjetër në këtë jetë
e nuk kishte për ta dasht’
as në përtej-jetë.

Shpirti vajtueshem kolovitet
nga parajsa në ferr
Stiksi ishte kufiri i fatit
Fati ishte AI
Ajo ishte e destinuar
të jetonte brenda fatit
Ajo jetonte brenda tij.

Ajo po e ndërtonte veten brenda tij
Ndanin të njëjtin puls zemre
Një frymëmarrje u mjaftonte të dyve
Hanin të njëjtin ushqim amëshimi
Tirrnin të njëjtën fije drite
Ternin të njëjtin tingull ajri

Vetëm në një lot ngrinin uragane
Tek një flokëz dëbore
ndërtonin themele lumturie
Deheshin në ekstazë
nga e njëjta aromë manushaqeje.

Josheshin nga të njëjtat muza
Tek i njëjti shikim shpërthenin
e shuanin vullkane brenda një sekonde
Shihnin të njëjtën ëndërr apokaliptike

... Jetonin në të njëjtën tjetërbotë...
     ... Jetonin në një tjetër  njëjtëbotë...

Google+ Followers