Salinger, ikja e fundme e një të ikuri

JD Salinger është një nga emrat më të mëdhenj të letërsisë amerikane, me një vepër që solli në jetë personazhin e famshëm të adoleshentit Holden, që në kërkim të dashurisë, vëmendjes dhe arritjes së burrërisë përjetoi gjithë andrallat e një brezi të sapodalë nga lufta. Salinger shkroi një libër që u bë më i famshëm se vetë ai, pozicionin e të cilit deri më sot nuk e ka sfiduar askush në letërsinë amerikane

Në një shoqëri si kjo e jona, ku antivlerat janë ato që ngrihen në piedestal dhe reklamohen me forcë nga makina e pamëshirshme dhe keqdashëse e propagandës, shpesh njerëzit që mbartin vlera të vërteta fshihen për të përcjellë kumtin e tyre vetëm përmes veprave. Ata nuk kanë nevojë për lavdinë vezulluese që zakonisht në publik e marrin të paaftët, apo reklamuesit e antivlerave. Atyre u mjafton që të mos lënë pa thënë atë për të cilën erdhën në jetë. Përcjellja e mesazhit, mbërritja e tij te njerëzit është shpërblimi më i madh që mund të marrin dhe që ata vetë presin. Në këtë shoqëri dukjesh pra, sapo la skenën një nga shkrimtarët që ishte shndërruar në një mit jo vetëm të kumtit që përcolli, por edhe për mosshfaqjen në publik, madje edhe në pjesën e pasme të kopertinës së librave të tij, ku zakonisht vendoset fotoja e autorit. Ai është i famshmi JD Salinger, shkrimtari që nuk jepte intervista, nuk shfaqej në ekrane, që arriti madje deri aty sa të deklaronte se në fakt nuk shkruante. Por sa më shumë që burri i mençur tërhiqej nga dritat e skenës, aq më e madhe bëhej fama e tij. Sot agjenti i librave të tij thotë: “Salinger ishte në këtë botë, por jo i kësaj bote”. Bota është shpesh banale, e Salinger nuk mund të mos ishte shpesh dhe vetë banal, por ndryshe nga bota, dhe madje ndryshe nga gjithë banorët e saj, kishte mësuar që të triumfonte mbi instinktet e ulëta. Në të ri Salinger ishte si të gjithë ne: në kërkim të famës, afirmimit, admirimit dhe suksesit. Shkruante, e ndërsa e bënte një gjë të tillë kërkonte që të ishte edhe person publik e të njihej nga të tjerët. U dërgonte letra drejtorëve të revistave, në të cilat bashkëngjiste tregimet që shkruante dhe priste famën. Po më pas çfarë ndodhi? Dëshira e tij u plotësua e pikërisht në atë moment nisi për të ndryshimi i madh. Ndërsa u bë i famshëm e kuptoi se ky ishte mallkimi më i madh që mund t’i binte një njeriu. Ndërsa mbante për herë të parë në duar librin e tij, me kapak të trashë, brenda të cilit ndodheshin fjalët e krijuara prej tij me një foto po të tijën në faqen e fundit, nisi të përjetonte shumë gjëra njëherazi, veçanërisht kur nisi të lexonte edhe vlerësimet e kritikës që e ngrinin në qiell. Në këtë moment ndjeu se të qenët i kuptuar nga të tjerët është ndonjëherë më e tmerrshme se të mos kuptohesh, apo të keqkuptohesh, që të qenët i admiruar është shumë më e lodhshme dhe rraskapitëse se të qenët i injoruar, që të shkruash e të publikosh janë dy gjëra krejt të ndryshme. Njerëzit e kësaj bote shkruajnë me qëllim që të lexohen, shkruajnë për ta publikuar dhe përhapur veprën e tyre, për t’u recensuar. Por Salinger që nuk ishte i kësaj bote, edhe pse përkohësisht u bë pjesë e saj. Kur pa materializimin e suksesit dhe famës vendosi që të zhdukej e të ikte njëherë e mirë nga sipërfaqja e gjërave. Iku nga rruga e 57 e Manhatanit, ku jetoi për një kohë të gjatë. Ishte një ikje nga sytë këmbët dhe mbi të gjitha iku nga vetvetja, sepse e dinte që kishte dobësitë e tij, siç i kam unë, ti apo të tjerët e racës njerëzore. Ishin dobësitë e tij për femrat e reja dhe dobësi të tjera, të cilat u përpoq që t’i nxirrte nga vetvetja përmes aktit për t’u zhdukur. Si e la qendrën e botës u zhvendos larg në New Hampshire, në mesin e hiçit. Gjëja e parë që bëri zhduki adresën, pastaj shkëputi linjën telefonike, i dogji të gjitha letrat e lexuesve dhe admiruesve të tij. Ajo që donte të bënte dhe të arrinte ishte të qenët vetëm me demonët e tij, demonë që mund t’i qetësonte vetëm përmes të shkruarit. Ishte e pamundur për të që të ishte i lumtur me vetveten. E dinte se kishte brenda vetes një talent të jashtëzakonshëm dhe shumë gjëra për të thënë. Por ai që ka një talent është i pari dhe i vetmi që ia njeh kufijtë. Sa më shumë e pëlqen bota, aq më shumë ai bindet se kjo botë është e paaftë që të bëjë një gjykim për të. Në këto rrethana mbeten dy mundësi: ose falimentimi si çlirim, ose ikja, arratisja. Salinger zgjodhi ikjen. Përgjatë viteve të kësaj ikjeje Salinger kërkoi që të përcillte të njëjtin mesazh që përcolli para se të vetëvritej në moshën 31-vjeçare edhe shkrimtari suedez Stig: “Harromëni”. Harroni që pas fjalëve që lexoni ekziston një njeri, mos kërkoni foto e autografe. Mos e vendosni foton nëpër bluza, apo reklama, mos organizoni mbrëmje në të cilat vijnë gazetarë dhe bëjnë pyetje idiote personale. Mos mendoni se jam i ndryshëm nga ju. Edhe unë ha karota, bëj pazar, kruaj dhëmbët, nëse kam shans mund të fus në shtrat ndonjë vajzuke. Por ama kishte një moment të vetëm që Salingerin e bënte të ndryshëm nga ne: momenti kur shkruante. Dhe në këtë ditë ndarjeje e lëmë të qetë e me respekt në botën e tij të largët e të fshehtë të fjalëve.

Kush ishte

Viti 1948 do ta shihte në majën më të lartë të suksesit me publikimin e librit të tij “The Catcher in the Rye” dhe antiheroin e tij adoleshent në luftë të vazhdueshme me prindërit. Sigurisht që ishte një roman me shumë linja autobiografike, por që përcillte karakteristikat e një brezi të tërë dhe ndoshta u bë edhe një busull për një brez më vonë. Protagonisti i famshëm i këtij libri, Holden Caulfield, u shndërrua brenda natës në simbol të adoleshentit amerikan dhe ndikimi i tij u përhap edhe përtej Atlantikut. Ky roman pati për shumë vite një shitje jashtëzakonisht të madhe dhe personazhi kryesor konsiderohet si ndër më të goditurit e letërsisë botërore, një personazh që pavarësisht kalimit të dhjetëvjeçarëve mbart tipare universale. Për Salinger ky ishte një sukses i menjëhershëm e tronditës dhe ai e përballoi me vështirësi ndryshimin e statusit financiar, por edhe mbi të gjitha famën. Kjo ndoshta bëri që më tej krijimtaria e tij të mos ishte e shumtë, ndërsa vendosi që të kalonte një jetë larg dritave të skenës e famës, që tashmë e kishte të madhe. Këtë mbyllje në vetvete ai e arriti me shumë sukses. Për shumë vite arriti që të shmangë kuriozët, paparacët, gazetarët e biografët deri në vitin 2000, kur një ish e dashur dhe bija e tij nga një martesë e dytë, publikoi një libër me kujtime, që sikurse pritej dhe sikurse ndodh me gjëra të tilla, shkaktoi një sensacion të madh, pasi nxirrte në dritë një pjesë të errët e të panjohur të shkrimtarit të madh që jetonte krejtësisht i tërhequr. Jerome David Salinger lindi në Nju Jork në vitin 1919 dhe ishte biri i një hebreu dhe një irlandezeje. Pasi shkoi në një numër shkollash shtetërore, ai vendosi që të provonte aktrimin dhe të shkollohej në një shkollë profesionale në Manhatan. Por i ati ishte tërësisht kundër dëshirës së tij për t’u bërë aktor dhe për të ndryshuar Salinger vendosi që të hynte në Akademinë Ushtarake, ku edhe u diplomua. Pikërisht kjo ishte periudha kur nisi të shkruante tregimet e para të shkurtra. Më pas kaloi një vit bredhjesh nëpër Europë, në vende të ndryshme të kontinentit dhe me t’u kthyer tentoi që të ndiqte studimet në disa universitete, por të gjitha i la përgjysmë. Në pranverën e vitit 1942, kur kishin kaluar disa muaj që Amerika ishte futur në luftë, pas sulmit në Pearl Harbor, Salinger u fut në ushtri dhe shërbeu deri në vitin 1946. Eksperienca e tij e luftës ishte e jashtëzakonshme. Ai pati shumë detyra në ushtri, ndër të cilat edhe atë të hetuesit të ushtarëve robër gjermanë. Më vonë për këtë përvojë do t’i thoshte të bijës: Nëse ndonjëherë të qëllon që të nuhasësh tymin e mishit të djegur të njeriut, kjo erë nuk do të të shqitet kurrë deri në fund të jetës”. Një nga të mirat e kësaj periudhe është se Salinger u takua me të madhin e letrave, Heminguej, që në atë kohë punonte si korrespondent lufte. Për të Heminguej nuk ishte njeriu i ashpër, brutal dhe arrogant që priste, por një njeri gati i ndrojtur. Në vitin 1948 Salinger botoi librin që e bëri të famshëm, që ishte edhe romani i parë dhe i fundit që mori një famë të tillë. Ai u bë jo vetëm libri më i lexuar në Shtetet e Bashkuara dhe më pas dhe në botë, por u shndërrua në një libër studimi për të gjitha shkollat e vendeve anglishtfolëse në botë. “The Catcher in the Rye” është pa dyshim libri më i rëndësishëm i Salingerit, që rrëfen në vetë të parë ndjesitë dhe përvojat e një adoleshenti që ka një jetë në pezulli dhe një përvojë të gjatë marrëdhëniesh zhgënjyese. Është pikërisht kjo atmosfera mbytëse e përjetuar nga brezi i adoleshentëve të pasluftës, të cilët kërkonin dashuri, por nuk e gjenin dhe kësisoj fajësonin veten dhe shndërroheshin në rebelë. Përmes këtij libri, Salinger mori statusin e një shkrimtari klasik dhe pavarësisht heshtjeve të gjata që pasuan suksesin e madh, askush nuk ka qenë në gjendje që t’ia sfidojë këtë status, edhe pse ka pasur nga ata që kanë shprehur dyshime për përmasën e letërsisë së tij. Libri i Salingerit është po aq pjesë e rëndësishme e letërsisë amerikane sa edhe vetë “Huckleberry Finn”. Në vitin 1953 vjen publikimi i librit të tij të dytë me tregime, ku autori vazhdon që të fokusojë jetën e adoleshentëve, pra të atyre që përjetojë moshën e të shndërruarit nga fëmijë në burra. Pavarësisht prodhimtarisë së paktë, Salinger ka qenë subjekt i shumë librave biografikë dhe i studimeve letrare e kjo ndërkohë që ai ishte i tërhequr plotësisht nga jeta publike dhe media. Shumë rrallë është shprehur ai për psenë e të shkruarit dhe mënyrën e tij specifike të krijimtarisë. Këtë ekzistencë të tij të mbyllur ai e ndau në më të shumtën e kohës me bashkëshorten e tretë. Ai u martua për herë të parë në vitin 1945 me Silvian, një martesë që zgjati vetëm 1 vit. Në vitin 1955 u martua për të dytën herë me Claire Douglas, me të cilën solli në jetë një djalë dhe një vajzë. Kjo martesë mori fund në vitin 1967. Pas një numri të madh marrëdhëniesh, në vitin 1988 ai u martua me Coleen O’Neil, një infermiere dhe një grua 40 vjet më e re se ai.

Google+ Followers