Luan Rama

Arjola Hekurani






“Dorëshkrimet e purpurta” dhe “Parisi letrar” janë dy vëllimet e reja që sjellin para lexuesit shkrimtarin Luan Rama. Libri i parë, veç të tjerash, sjell edhe ndodhinë interesante të studiuesit francez, Pierre Batiffol i cili zbuloi kodikët e Beratit dhe i dyti, u drejtohet autorëve francezë më në zë si: Hygo, Balzak, Flober, Bodler, Apollner, Eluard apo Colette, Desnos dhe Duras...
Në kërkim të historive të panjohura
Historitë e panjohura, apo ato për të cilat nuk është folur ende, e shtyjnë të derdhë në letër dhe të flasë për ngjarje apo karaktere interesante. Personazhet e tij thuajse gjithnjë kanë diçka për të thënë apo për të shkëmbyer me lexuesin. Shqipëria dhe Franca gjejnë ngaherë një pikë takimi në librat e tij, edhe atëherë kur janë histori të trilluara. Së fundmi, Luan Rama ka zgjedhur të vijë para lexuesit me dy vëllime të reja, “Dorëshkrimet e purpurta” dhe “Parisi letrar”. I pari, veç të tjerash, sjell edhe ndodhinë interesante të studiuesit francez, Pierre Batiffol, i cili zbuloi kodikët e Beratit dhe i dyti u drejtohet autorëve francezë më në zë si: Hygo, Balzak, Flober, Bodler, Apollner, Eluard apo Colette, Desnos dhe Duras...

Paraqiteni para lexuesit me një vëllim të ri të titulluar “Dorëshkrimet e purpurta”. Pse e kanë tërhequr vëmendjen tuaj dhe çfarë keni sjellë në këtë libër?

“Dorëshkrimet e purpurta” ishin vepra e skribëve të hershëm, e atyre njerëzve të pafjalë, që me artin e përkushtimin e tyre i lanë njerëzimit këta libra në parchemin, të cilët janë jo vetëm vepra arti dhe dëshmi e gjurmë të një kohe, por dhe histori. Ato janë burime të vetë buronjës së kulturës sonë hebraiko-europiane. Nga mijëra e mijëra dorëshkrime të purpurta të shkruara gjatë dhjetë-pesëmbëdhjetë shekujve të parë të erës sonë, të paktë janë ata kodikë që erdhën deri në ditët tona. Historia e kodikëve të Beratit, Beratinus 1 dhe Beratinus 2, është një nga ato mijëra histori të itinerareve të dhimbshme, ku fatmirësisht, pas një kalvari të gjatë, këto dorëshkrime mundën të shohin epokën moderne dhe të pikëtakohen me ne. Shumë nga skribët e hershëm ne nuk i njohim. Imagjinojmë një çast “scriptoria”-t e para, ato salla të mëdha e të heshtura, nën ftohtësinë e gurëve të rëndë të abacive dhe manastireve, atje ku murgjit në tavolinat e drurit shkruanin fjalët e shenjta, atje ku nën kubetë e larta miniaturistët pikturonin përfytyrimin e tyre të një Jezu Krishti, apo të një Shën Marku, Shën Mateu, Shën Luka apo Shën Gjoni… Ornamente dhe germa të stilizuara, shkruar në argjend dhe në ar mbi të purpurtën… Aventura e papiruseve dhe pergamenave është e vjetër që në kohën e faraonëve. Nga Dorëshkrimet e Detit të Vdekur dhe tregimet e kronistit të djegies së Jerusalemit, Flavius Jozef, bota kristiane do të njohë më pas Letrat e Shën Palit, që udhëtonte nëpër Mesdhe e deri në brigjet e Ilirisë, e më pas tekstet e ungjillorëve martirë, duke vazhduar shekuj më vonë me Vulgatën latine të Jeronimit, apo me Qytetin e Zotit të Shën Agustinit. Ata shkruanin librat, skribët dhe miniaturistët përshkëndisnin dorëshkrimet e purpurta, “iluminare”, çka lumturisht i gjejmë sot në ekspozitat e rralla apo muzetë e bibliotekat e mëdha të botës si Biblioteca Apostolica Vaticana, Bibliothèque Nationale de France, British Library… Nga Vergilius Vaticanus në Aratea, nga Codex Sinaiticus në Codex Purpureus Rossanensis, nga Weiner Dioskurides në Beratinus apo Robbula Codex etj., njerëzimi dëshmoi për gjenialitetin dhe forcën e artit të tij, ashtu siç e tregoi në veprat monumentale, arkitekturën e mrekullueshme apo afresket nga Trecento-s e Quatrocento-s, e deri në kohën e Renesancës. Gjithçka është krijuar përmes sakrificës, frikës, terrorit apo gëzimit të krijimit dhe magjisë së vetë artit.

Ajo çka duket më interesante është zbulimi i këtyre kodikëve nga një studiues francez, Pierre Batiffol. Si ka ndodhur kjo?

Biblisti francez, abati Pierre Batiffol, i cili udhëtoi në Berat në vitin 1885 dhe i bëri të njohur botës shkencore europiane ekzistencën e dy kodikëve të rrallë për historinë e dorëshkrimeve të rrallë “purpureus”, sillte ndërkohë edhe një dëshmi të lidhjes së vjetër shpirtërore të shqiptarëve me kristianizmin, edhe pse të ndarë që në kohën e hershme të skizmës kristiane, në ortodoksë e katolikë. Tundimi i Batiffol-it ishte i madh dhe ai kërkoi me çdo kusht ta studiojë këtë kodik të panjohur, i cili duhej të ishte ndër më të rrallët. Si vallë gjendej atje dhe përse në Berat? Por më parë ai u takua me konsullin francez të Janinës, Sauvaire, i cili i tregon për studimin e bërë tashmë nga peshkopi i Beratit Anthime Alexoudis lidhur me këta libra. Bëhej fjalë për një kodik të mrekullueshëm, i cili nxirrej në meshë, para popullit një herë në vit, më 27 janar, çdo herë në festën e ditës së shenjtit Gjon Gojarti (Joan Chrysostomos), në mënyrë që njerëzit ta shikonin, ta puthnin dhe të përuleshin para Librit të Shenjtë. Batiffol na shkruan se për rrugën nga Vlora për në Berat, me kalë, iu deshën 15 orë kalërim, çka tregon se ai ka ndjekur pikërisht këtë itinerar. Veprat e konsullit francez e të Janinës, Pouqueville, tashmë ishin bërë të njohura në Francë, por për kodikët dhe dorëshkrimet e vjetra nuk kishte asnjë informacion. Në përshkrimin e tij në hyrje të Beratit, Batiffol na njofton për “qytetin që ngrihet buzë lumit Apsus (Osum), ku për habinë e tij shikon plot hebrenj me fes të zi në kokë”. Batiffol-i vendoset në lagjen “Kala”, siç na shkruan ai, në “tokën e ortodoksëve dhe ku nuk ka asnjë xhami”, ndryshe nga pjesa tjetër e qytetit, e cila është e gjitha myslimane. Dritaret e tij shohin nga bedenat e kalasë dhe pamja tutje duhej të ishte padyshim me një ekzotizëm të rrallë, pasi duket që kjo pamje atë e ka ngacmuar së tepërmi. Dhe padyshim, takimi i parë është me peshkopin e Mitropolisë së Shenjtë, Anthim Alexoudis, i cili fillon t’i tregojë për Librat e Shenjtë. Nuk dimë sesa ditë ka qëndruar Batiffol-i në Berat, por nga sa kuptohet prej shënimeve të tij, qëndrimi ka qenë i shkurtër. Në fillim ka humbur shumë kohë derisa e ka bindur peshkopin që të hapë vendet e fshehta, ku ruheshin kodikët e vjetër. Por habia e tij ishte e madhe: një habi e përzier me një lloj trishtimi, pasi ai u gjend para një grumbulli të çrregullt të kodikëve të mbajtur keq. Por kodikët e çmuar, Alexoudis i mbante në një vend tjetër, me kujdes të veçantë. Ata kodikë, Batiffol-i do t’i shohë pak kohë para se të ikë. Në fillim ai na tregon për kodikët e kishës së Shën Gjergjit, apo të kishës së Ungjillëzimit, për dorëshkrime kishtare të shekujve XII, XIII, XV, me pergamenë, si edhe për “distikë” me disa dhjetëra fletë. Gjatë qëndrimit në mitropolinë e Beratit, në një nga dorëshkrimet, ai pikasi pra se dorëshkrimi ishte i vitit 1158. Duket se Alexoudis i ka treguar se para se të hyjë në lagjen Mangalem (siç shkruan Batiffol) në hyrje të urës së lashtë të Beratit, ishte një kishë me emrin “Fjetja e Shën Mërisë” dhe se aty ruhej një ungjill i shekullit VI. Batiffol-i shkoi në këtë kishë dhe dalloi me sa duket një ungjill të shekullit VIII, me pergamenë prej 260 fletësh. Por Batiffol na tregon edhe një histori të jashtëzakonshme që lidhet me Beratin dhe kodikët Beratinus e që përbën një skenë më vete filmike. Në kronikën e kishës së Shën Gjergjit flitej dhe për një laik, i quajtur Skuripeki, i cili në vitin 1356 i kishte bërë kishës një shërbim të madh: shpëtimin e ungjijve të vjetër. Ç’kishte ndodhur vallë? Kur serbët ishin dyndur nga veriu drejt Beligradit (Beratit), murgu Theodulos i ishte lutur atij që ta ndihmonte për të shpëtuar kodikët e shenjtë. Dhe një ditë, të dy së bashku, kishin ngarkuar kuajt me koshere bletësh, ku brenda tyre ishin fshehur 27 kodikë e dorëshkrime të vjetra kishtare, të cilat pastaj i kishin çuar në një vend të sigurt... Librat e vjetër që kanë mbetur në trashëgiminë tonë përbëjnë një kujtesë arti e mendimi. Kodikët shqiptarë, si kodikët e Vlorës, Korçës, apo Voskopojës, që lumturisht kanë mbetur deri në kohën moderne dhe të shkruar në hapësirën e shekujve X dhe XV, përbëjnë dhe ata një pjesë të dëshmisë historike.

I keni kushtuar faqe të tëra, libra, figurave të ndryshme, personaliteteve të rëndësishme të letërsisë, por edhe kulturës botërore, ashtu sikundër edhe personaliteteve të kulturës shqiptare apo atyre që kanë pasur lidhje me vendin tonë. I tillë është edhe libri i ri “Parisi letrar”. Çfarë ju shtyn të shkruani për këto figura dhe çfarë e bën interesante të shkruarin për ta?

“Parisi letrar” është nga librat që më ka pasionuar më shumë gjatë shkrimit. Dhe kjo jo sepse iu drejtohesh autorëve francezë më në zë, jo sepse ne jemi rritur me letërsinë franceze, por sepse në këtë ese kërkoj të rilevoj fakte e ngjarje nga jeta dramatike e tyre: Hygo, Balzak, Flober, Bodler, Apollner, Eluard apo Colette, Desnos dhe Duras... ne kemi lexuar për dekada me radhë romanet e poemat e tyre, por nuk i kemi njohur ata si shpirtra, si njerëz të trazuar dhe me fate shpesh tragjike, biografitë na kanë munguar. Sidoqoftë ata kanë dhe ngazëllimet e tyre, duke u bërë pjesë e asaj që thoshte dikur Heminguei “Parisi është një festë e pambarimtë”...

Jeta juaj si publicist, shkrimtar, përkthyes, unë do ju quaja edhe hulumtues (sepse rrëmoni në jetët e më të mëdhenjve të letërsisë) është e ndarë mes Shqipërisë dhe Francës, Tiranës e Parisit... çfarë i bën kaq të dashura këto dy vende?

Unë kam studiuar gazetarinë në Universitetin e Tiranës dhe audiovizualin dhe kinematografinë në universitetin e Parisit “Denis Diderot”. Por, në fakt, fillimisht punova në Kinostudion “Shqipëria e Re”, ku kalova vitet më të bukura të krijimtarisë dhe të marrëdhënieve shoqërore. Ishte si të thuash një “gazetari filmike”, pasi shkruaja skenarë filmash dokumentarë e më pas “prozë filmike” meqë shkrova skenarët e katër filmave artistikë, ndër të cilët edhe “Vajzat me kordele të kuqe”, bashkë me mikun tim të paharruar Gëzim Erebarën. Më pas, në vitet 1988-1991, hyri papritur diplomacia, nën grishjen e idesë apo ëndrrës për të parë botën përtej kufijve tanë të mbyllur. Dhe kështu ndodhi, megjithëse diplomacia dhe të shkruarit ecën paralelisht. Ju më pyesni se kjo krijimtari është e ndarë midis Parisit e Tiranës dhe kjo është e vërtetë: pothuaj gjithë librat që kam shkruar janë në këtë trajektore midis dy vendeve: edhe romani “Santa Quaranta” trajton historinë e qëndrimit të balerinës së famshme Isadora Duncan, që erdhi nga Parisi në vitin 1913 dhe qëndroi në Sarandë gjatë gjashtë muajve; po kështu, eseja mbi themeluesin e simbolizmit francez, Jean Moréas, në librin “Jean Moréas, Jani nga Moréa”, mbi këtë poet arvanitas, origjinën e të cilit e shpalosi në fillim poeti i madh Guillaume Apollinaire, i cili e konsideronte atë si atin e tij shpirtëror; po kështu romani “Camera Obscura” - “origjina” e Botës”, një libër ku plekset një histori shqiptare me historinë rokamboleske të tablosë e piktorit të famshëm francez Courbet, “Origjina e Botës” etj.

Çfarë ju bën të uleni e të shkruani?

Diçka që nuk njihet apo për të cilën nuk është shkruar. Kështu ka ndodhur me të gjithë librat e mi të deritanishëm. Ndodhi me “Santa Quaranta”, me “Jean Moréas”, apo me poetin dhe dramaturgun e shquar Jean Cocteau, “princin e poezisë franceze”, për të cilin më parë nuk ishte botuar ndonjë libër. Po kështu, në librin “Shkëlqimet e Meteorëve”, sjell përvojën e aktoreve franceze në sheshin e xhirimit, mitin kinematografik, ndërsa në librin “Dino-Shtegtari i Portës Sublime”, sjell historinë e panjohur për shqiptarë të jetës e veprës së këtij artisti të madh apo familjes së Dinove. Avanguardistin Abedin Dinon e kam njohur në Paris. Kam qenë disa herë në studion e tij me Jusuf Vrionin apo me Omer Kaleshin dhe ai më ka treguar për përvojën që kishte kur punonte në një studio me Pikason.

Me çfarë po merreni për momentin? Çfarë e ka tërhequr vëmendjen tuaj këto kohë?

Që me ardhjen time në Francë, në fillimin e viteve ‘90 të shekullit të kaluar, një pyetje e përhershme ngacmonte kureshtjen time: cilat ishin pikëtakimet franko-shqiptare gjatë historisë sonë të përbashkët?... Në fillim botova librin “Krushq të largët”, mbi pikëtakimet franko-shqiptare, libër ky që u botua dhe në frëngjisht në Paris, nga shtëpia botuese “Société des Ecrivains”, nën titullin “Pont entre deux rive” (Ura midis dy brigjeve). Tashmë, disa vite më pas, kam përfunduar librin “Kalorësit e Stuhisë – normandët, frankët dhe shqiptarët”, që është në botim e sipër nga botuesi im Petraq Risto. Disa informacione të rëndësishme i kisha nga librat e historisë, por dëshira e madhe për të zbuluar këto pikëtakime, më shtynë të hulumtoj dhe të shfletoj botime të kohëve të shkuara, dorëshkrime të vjetra e të zverdhura nga koha, kronika të kohës së Robert Guiscard apo kryqtarëve të shekullit XII-XIII që kishin kaluar nëpër brigjet shqiptare dhe kjo për t’i dhënë një përgjigje pyetjes sime: cilët kishin qenë protagonistët historikë të trojeve tona? Si dhe në ç’mënyrë ishin pikëtakuar frankët dhe shqiptarët? Dhe sa më shumë kërkoja, aq më shumë habitesha në morinë e fakteve, ngjarjeve, personazheve, për Karl Topian apo Charles Topia, këtë pinjoll me gjak shqiptar dhe francez, si dhe shumë të tjerë në vazhdën e tij, Merkur Bua Shpat, Konstantin Araniti apo Adrian Muzaka, eshtrat e të cilit mbetën në Picardie të Francës. Jo, frankët nuk kishin qenë të largët për shqiptarët, qoftë në kohën bizantine, në Mesjetë apo dhe gjatë epokës së Rilindjes. Hija e normandëve dhe e anzhuinëve të Charles d’Anjou-së, koha e “Regnum Albaniae”, apo e kryqtarëve frankë që nxitonin të merrnin brigjet e Ilirisë për të ndjekur Via Egnatia, princat shqiptarë para dhe pas rënies së Bizancit, etj., të gjitha këto kishin lënë gjurmë jo të pakta në historinë e dy popujve, e frankëve dhe shqiptarëve.

Duke marrë shkas prej ekspozitës së Omer Kaleshit, e cila është çelur së fundmi ne Paris, doja t’ju pyesja se si njihet dhe kultura shqiptare aty dhe përfaqësuesit e saj si vlerësohen në Francë?

Lumturisht në Francë ka një jehonë të kulturës shqiptare përmes veprës së Kadaresë, të koreografit të njohur shqiptaro-francez Angjelin Prelocaj, i cili së fundi shfaqi dhe pjesën e mrekullueshme Borëbardha, apo Inva Mula, një nga sopranot më me emër të botës operistike europiane, duke i kapërcyer dhe kufijtë e vet Francës. Por prania apo prezantimi i kulturës nuk mbetet vetëm në këto emra: artistët shqiptarë apo me origjinë shqiptare janë të shumtë, vetë fakti që Parisi ka mbetur një nga metropolet e kulturës botërore. Por të vjen keq që shteti shqiptar pak i interesuar është (ose aspak) që ta mbështesë prezantimin e kulturës shqiptare përmes manifestimeve kulturore që kërkojnë patjetër mbështetjen e shtetit: Politika Kulturore ka mbetur një slogan në letër, pasi deri tani kanë qenë artistët ata që e kanë bërë të njohur këtë kulturë.

Roli i diplomatit është edhe roli i një njeriu që nxit shkëmbim kulturash. Në rastin tuaj, si ka qenë ky proces dhënie-marrjesh?

Padyshim që kështu ndodh me ata diplomatë që e kanë në shpirt kulturën, pasi ka nga ata për të cilën kultura është një kompozante e rëndomtë, së cilës nuk i kushtojnë asnjë lloj rëndësie. Dhe përvoja që unë kam fituar si gjatë kohës si ambasador, por dhe më pas në UNESCO, ishte pikërisht kjo marrëdhënie kulturë-diplomaci, element dikur prioritar në diplomacinë franceze. Më gëzon fakti që sot, ambasadori Aliçka në Francë, i kushton një rëndësi të posaçme prezantimit të kulturës shqiptare.

Google+ Followers